Prishtinë, 20 gusht - Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i ka quajtur keqinterpretim deklaratat e tij në të përditshmën serbe “Danas”, kinse Kosova është e gatshme për reagim të armatosur në rast se serbët e veriut vendosin që t’i bashkohen Serbisë apo të shpallin pavarësinë e kësaj pjese të Kosovës, raporton RTK.
”Qeveria e Kosovës është e gatshme që të marrë vendim për intervenim të armatosur në rast se serbët e veriut vendosin që t’i bashkohen Serbisë apo të shpallin pavarësinë e kësaj pjese të Kosovës”, shkruan sot e përditshmja serbe “Danas”.
Sipas kësaj gazete, për mundësinë e intervenimit të armatosur për mbrojtjen e integritetit territorial të Republikës së Kosovës është njoftuar edhe bashkësia ndërkombëtare. “Jemi të gatshëm edhe për reagim të armatosur”, citohet nga “Danas” të ketë thënë ministri i Brendshëm i Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi.