Në kuadër të këtij aksioni, ditët e fundit rreth 110 subjekte u kapën me shkelje, u zbuluan dhe sekuestruan 60 509 litra alkool i pafiskalizuar, ndërsa shkelësit e ligjit janë kallëzuar në organin e akuzës.
Edhe pse gjatë fushatës së mësipërme u bë sensibilizmi dhe informimi i të gjithë subjekteve, që aktivitetin e tyre e kanë të lidhur me tregtimin/mbajtjen dhe shitjen e produkteve të akcizës, u shpjegua rëndësia e njohjes me elementet dallues të sigurisë për produktet e akcizës, në mënyrë që të mos i shkaktohet dëm biznesit të tyre dhe gjithë ekonomisë, rastet e abuzimeve nuk kanë munguar.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në vijim të fushatës së mësipërme, në muajin prill 2015 filloi fazën operative të ushtrimit të kontrolleve tek të gjithë operatorët ekonomikë që veprimtarinë e tyre e kanë të lidhur me produktet e akcizës.
Gjashtë grupe të përbashkëta, me pjesëmarrjen e Departamentit të Akcizës, Antikontrabandës dhe Crown Agents, ushtruan kontrolle në Tiranë, Lezhë, Shkodër, Lushnje, Fier, Berat dhe Vlorë, duke filluar nga njësitë tregtare deri në impiantet që prodhonin/tregtonin produkte akcize, si birrë, pije alkoolike, verë, duhan i grirë, cigare, etj.
Janë kryer 560 kontrolle, nga të cilat rezultuan me shkelje 110 raste. Subjekteve me shkelje iu janë sekuestruar produkte akcize, si: birrë, pije alkoolike, verë, duhan i grirë dhe cigare, të pa pajisura me pullë fiskale/kode sigurie.
Gjithashtu, u bllokuan dhe 4 kantina që prodhonin verë dhe pije alkoolike, të cilat operonin në mënyrë klandestine me vendndodhje në Kavajë, Krujë, Vaqarr, Tiranë dhe në Llakatund-Vlorë.
Në total janë zbuluar dhe sekuestruar 60 509 litra alkool i pafiskalizuar.
Subjektet e mësipërme u penalizuan, iu sekuestrua sasia e gjetur në mjediset e tyre, si dhe u bë kallëzim në prokurori për procedim të mëtejshëm për kryerjen e veprës penale "Prodhim i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industriale dhe ushqimore".
Gjithashtu u sekuestruan edhe 5 depozita me kapacitet 4,000 litra, 3 depozita me kapacitet 3,000 litra, 7 depozita me kapacitet 1,600 litra dhe 5 depozita me kapacitet 2,200 litra.
Administrata Doganore do të vijojë fushatën kundër informalitetit, kundër prodhimit/ importimit në mënyrë të paligjshme të produkteve të akcizës, me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, sigurimin e konkurrencës së ndershme dhe rritjen e të ardhurave, në mënyrë të vazhdueshme, në të gjithë vendin.
/GS/