Tiranë - Rreth 60 shtetas shqiptarë janë kthyer nga vendet e Bashkimit Evropian për t'u riatdhesuar.

Pjesa më e madhe vijnë nga Gjermania, të ndjekur nga Suedia, Franca, Finlanda, Belgjika dhe Spanja. Kthimi është bërë me avion charter.

"Shtetasit deportivë janë shoqëruar nga një mjek suedez, si dhe nga dy monitorues të shtetit Belg, të cilët monitorojnë procedurat e depërtimit nga shtetet pjesëmarrëse", sqaron Policia e Shtetit.

Në Rinas janë pritur nga përfaqësuesja e Frontex-it Delfina Dubos, e cila ka shprehur edhe një herë vendosmërinë e shteteve pjesmarrëse të hapsirës Shengen, për zbatimin me rigorozitet të rregullave të qëndrimit nga shtetasit shqiptarë.

Shefi i Komisariatit të Policisë Rinas Ermal Milori ka theksuar rëndësinë e zbatimit të rregullave nga ana e shtetasve shqiptarë, të cilët udhëtojnë në Zonën Shengen, pasi shkelja e rregullave të qëndrimit në Zonën Shengen, si dhe kërkimi i azilit në këto vende për çdo lloj arsye është i paligjshëm dhe penalizon jo vetëm personat që shkelin këto rregulla, por edhe mund të sjellë pasojë dhe për të gjithë qytetarët shqiptarë për lëvizjen e lire në zonën Shengen. /Start/