>Dirigjenti  i njohur vlerësohet për kontributi e tij në artin shqiptar. Promovohet libri Bacheta shqiptare e dirigjimit
Dirigjenti Rifat Teqja është pa dyshim një prej emrave, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar në artin shqiptar. Për të vlerësuar kontributin e tij, dje mes një ceremonie ku ishin të ftuar miq, kolegë dhe ish studentë të dirigjentit të njohur u bë dhe promovimi i librit Bacheta shqiptare e dirigjimit. Ky libër për profesor Teqen vjen nga një ish studente tij, Lejdina Spathara, e cila për profesorin e saj tregon se kishte kohë që ai ishte lënë në harresë. Ky ishte dhe qëllimi për të cilin ajo shkroi dhe librin. Ajo tregon se në momentin që prof. Rifat Teqja e kishte marrë vesh lajmin, ishte emocionuar shumë. Është libri i parë që botoj për këtë artist të popullit dhe e zgjodha këtë emër, sepse ishte lënë paska në harresë.

Unë kam qenë ish studentja e tij, dhe frymëzimi ishte kaq i madh, sepse ai kishte një karrierë shumë të madhe dhe akoma vazhdon që ta ushtrojë profesionin. Për librin unë kam punuar gati dy vjet,tregon Lejdina. Më tej ajo shton se në aktivitetin e tij ai ka punuar shumë, por ajo ruan për të kujtimet më të bukura. Ka qenë profesor dhe dekan në sektorin e muzikës. Por ai ka punuar shumë dhe në TKOB, ndërkohë që shumë fakte nga jeta e tij unë i kam shkruar në libër. Aty gjenden të gjitha arritje dhe vështirësitë që ai ka hasur gjatë aktivitetit të tij. Kur e mori vesh për librin ai u emocionua, dhe ka qarë. Kur unë e mora përsipër që të bëj këtë libër, çdo gjë ishte e pamundur dhe më pas me këmbëngulje u realizua. Ai u emocionua, sepse më në fund doli dikush që shkroi për aktivitetin e tij, tregon ish studentja. Ndërkohë që gjatë aktiviteti të tij artistik,dirigjenti Rifat Teqja ka qenë drejtues orkestrash në shumë shfaqje dhe koncerte që kanë mbetur në kujtesën e publikut artdashës. Rifat Teqja falë pasionit dhe vullnetit të jashtëzakonshëm, arriti të ketë formimin e duhur teorik-shkencor,gjë e cila e përgatiti atë për të hyrë i sigurt me kompetencë në interpretimin e muzikës, e veçanërisht të asaj koncertore-simfonike  e skenike. Që në vitet e para të studimeve ai përjetoi rezultatet  e punës së tij, ndaj në vitin 1955, kur ai ishte akoma student i viti të dytë të konservatorit iu besua drejtimi i orkestrës filarmonike të Jalltës. Në programin e koncertit me këtë orkestër dirigjenti i ri drejtoi simfoninë nr.41 të c-dur Jupiteri të Moxartit dhe po në këtë vit ai drejton dhe simfoninë nr.40 po të këtij autori. Në vitin 1957 atij i besohet drejtimi i orkestrës së Minskut, ku ai dirigjon simfoninë nr.5 të Shopenit. Në vitet në vazhdim e deri në përfundimin e studimeve, atij iu besuan dhe drejtimi i i një varg koncertesh në republika të ndryshme të B.R.S.S. Pas diplomimit të tij, ku ai u vlerësua shkëlqyeshëm, ai fillon karrierën  e tij si dirigjent në TKOB. Në këtë strehë të muzikës shqiptare ai do të gjente shumë kolegë, të cilët do ta përkrahnin si Mustafa Krantja, Luk Kaçaj, Avni Mula etj. Karriera e tij në TKOB është e pasur. Ai ka drejtuar rreth 45 opera  e balete, koncerte etj. Gjatë karrierës në këtë institucion ai përcolli tek artdashësit veprat e autorëve më të shquar të muzikës botërore si Bethoven, Moxart, Rosini etj. Gjithashtu ai promovoi për herë të parë para publikut vepra të kompozitorëve shqiptarë, të muzikës së traditës dhe bashkëkohëse. Pjesa më e madhe e krijimtarisë së Zadesë, Konos, Ibrahimit, Zoraqit etj, kanë pasaportën interpretative të tij. TKOB ka qenë gjithmonë streha artistike e dirigjentit Rifat Teqja. Atë e gjen në studiot e orkestrës, të këngëtarëve lirik, të korit, të baletit e në prova skenike me koncerte maestër etj. Koreografi i njohur Agron Aliaj shprehet për dirigjenti Rifat Teqja se: Momenti më i freskët që më ka mbetur në kujtesë dhe momenti në të cilin Rifati më është shpalosur si artist i vërtetë ka qenë puna që kemi bërë me baletin Cuca e maleve së bashku me kompozitorin Nikolla Zoraqi. Në ato momente unë kam parë nga afër punën profesionale të tij. Ndërkohë që  dirigjenti Roland Çene shprehet se: Ai sëbashku me mjeshtër Mustafa Krantjen kanë meritën e madhe të formimit të shkollës së dirigjimit shqiptar,duke i dhënë vendit me dhjetëra dirigjentë që dhanë kontribute të çmuara në mbarë muzikën shqiptare. Emri i dirigjentit Rifat Teqja bën pjesë në atë grup muzikantësh shqiptarë, të cilët në gjysmën e dytë të viteve 50 i dhanë një shtytje të mëtejshme zhvillimeve muzikore në vend.
  **************************************
Aktiviteti artistik i dirigjentit Rifat Teqja

Pas përfundimit të Shkollës se Mesme Artistike Jordan Misja (1951), kreu studimet e larta muzikore në Konsrvatorin Çajkovski të Moskës, diplomuar më 1958 për dirigjim simfonik. U emërua menjëherë dirigjent kryesor i Orkestrës Simfonike të Teatrit të Operës e Baletit, të cilën e drejtoi për vite me radhë, duke realizuar mjaft shfaqje skenike ndër më të rëndësishmet e repertorit operistik e koreografik: operat Berberi i Seviljes (Rosini), Eugjeni Onjegin (Çajkovski), Madama Baterflaj, Bohema (Puçini), Aleko (Rahmaninov), Dasma e Figaros, Don Zhuani (Moxart); baletet Arrëthyesi (Çajkovski), Romeo e Zhuljeta (Prokofiev), Lola (Vasilienko), Don Kishoti (Minkus), Fadeta (Delib), etj. Ka merita për realizimin e disa veprave kryesore skenike shqiptare, si operat Mrika e Skënderbeu (Jakova), Toka Jonë (Gaci), Borana (Mula), Zgjimi (Harapi), Komisari (Zoraqi), baletet Cuca e maleve (Zoraqi), Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë (Ibrahimi), Para stuhisë (Zadeja), si edhe për interpretimin e fondit bazë të muzikës simfonike e orkestrale shqiptare. Nën drejtimin e tij u ekzekutuan për herë të parë në Shqipëri me dhjetëra vepra të repertorit të huaj simfonik e koncertal. Së bashku me Mustafa Krantjen është themelues i klasës së dirigjimit në Konservatorin Shtetëror; për disa vite drejtoi Orkestrën Simfonike dhe Katedrën e Kanto-Dirigjimit në Institutin e Larte të Arteve. Më 1995 fitoi titullin Profesor. Është laureuar me çmime të ndryshme kombëtare dhe mban titullin Artist i Popullit.