Trazhgim Sokolaj

Familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit dorëzuan dje në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzim penal ndaj deputetit Fatmir Mediu, duke kërkuar rihapjen e hetimeve ndaj tij. Padia penale është dorëzuar në orët e mëngjesit në Prokurorinë e Përgjithshme, nga nënat e personave që humbën jetën në tragjedinë e Gërdecit. Të veshura me të zeza, ato hynë njëra pas tjetrës në organin qendror të akuzës, ku dorëzuan padinë penale me të cilën i kërkojnë Prokurorisë së Përgjithshme të rihapë hetimet ndaj Mediut, duke kërkuar përsëri në Parlament autorizim për ndjekjen penale ndaj tij. Pa u zgjatur shumë në kallëzimin e tyre, familjarët e viktimave thonë se po bëjnë padi për të njëjtën ngjarje, pasi Gjykata e Lartë pushoi gjykimin ndaj Mediut, më 14 shtator 2009, me pretendimin se imuniteti i tij si deputet e bën të pamundur vazhdimin e gjykimit. Duke renditur shkeljet që sipas tyre sollën vdekjen e 26 personave, familjarët pohojnë në kallëzim se përzgjedhja e vendit për demontimin e municioneve është në shkelje të ligjit. Sipas kallëzimit, rreziku në Gërdec i është bërë me dije Mediut me shkresën nr.2408/1 prot, datë 3 maj 2007, të Komandantit të Komandës së Forcës së Bashkuar. Në kallëzim thuhet se urdhri i tij nr. 2044, datë 7.12.2007 "Për kalim municioni ndërmarrjes Meico", i firmosur nga Mediu, është në kundërshtim flagrant me ligjin dhe vendimin e Qeverisë, pasi autorizon çmontimin e kalibrave të mëdhenj, kur VKM fliste për kalibra të vegjël. "Marrë në kompleksitet me veprimet që ai ka kryer me bashkëpunëtorët e tij si, të pandehurit: Ylli Pinari, etj, rezulton se nuk ka qenë një veprimtari sporadike, por e parashikuar mirë, si në paracaktimin e shoqërisë tregtare, që do të fitonte të drejtën për këtë aktivitet dhe vendin e demontimit. Në këndvështrimin tonë, deputeti Mediu e ka kryer këtë veprimtari të kundraligjshme në bashkëpunim me të pandehurit Delijorigj, Pinari dhe shoqërinë "Albademil", thuhet në kallëzim. Na krijohet përshtypja se personat e sipërcituar kanë vepruar gati si një organizatë kriminale, në kuptimin që i jep neni 28, pika 1, parag 2, i Kodit Penal", thuhet në padinë e dorëzuar dje nga familjarët e viktimave të Gërdecit.