Seanca plenare ka vazhduar punimet me votimi e tekstit të interpelancës së ministres, Mimoza Kusari-Lila, sipas kërkesës së grupit të deputetëve lidhur me vendimin e MTI-së për vendosjen e tarifës prej 35 % për importin e çimentos nga Shqipëria.

Deputeti i pavarur, Emin Gërbeshi, i cili me një grup të deputetëve ka thirrur këtë interpelancë edhe njëherë ka kritikuar vendimin e ministres duke rikërkuar shkarkimin e saj. Por, pasi që vendimin ministrja e ka shfuqizuar më 25 korrik, grupet parlamentare më një votim formal kanë hequr këtë pikë nga rendi i ditës.

Emin Gërbeshi i cili më një grup të deputetëve ka thirrur interpelancën, ka thënë se më 11 qershor, MTI mori vendim për vendosjen e tarifës prej 35 % të çimentos së importuar. Sipas tij, në seancën e fundit është paraqitur mocioni, por nuk kishte kuorum, sepse koalicioni nuk qëndroj në seancë, duke krijuar mungesën e kuorumit dhe duke dëshmuar se në Kosovë nuk funksionon demokracia.

Gërbeshi ka shtuar se e keqja më e madhe është se peng të këtyre interesave janë një pjesë e deputetëve të cilët nuk po mbrojnë interesat e qytetarëve, por janë vënë në shërbim të klaneve të caktuar, të cilat po e dëmtojnë Kosovën, po e dëmtojnë demokracinë dhe kombin.

Deputeti ka kërkuar edhe njëherë shkarkimin e ministres Kusari-Lila.

“Jo pak vendime që ka marr kjo Qeveri, disa politike e disa ekonomike sidomos me privatizimin kanë rënë në kundërshtim me interesat e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kështu ndodhi edhe me vendimin e MTI-së vendim i cili krijoj efekte negative në ekonomi sidomos në sektorin e ndërtimtarisë, krijoi monopol, destabilizoj furnizimin e tregut dhe ngriti çmimet, eliminoj konkurrencën e lirë të tregut dhe qarkullimin e mallrave dhe gjithë kjo u bë për interesa të grupit të caktuar, pjesë e së cilës është edhe ministrja Kusari-Lila. Dhe të gjithë ata që e përkrahën dhe që dihen publikisht. Për këtë arsye ne kundërshtuam një vendim të tillë dhe kemi kërkuar shkarkimin e ministres dhe e kërkoj edhe tani”, ka deklaruar Gërbeshi.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka kritikuar veprimin e koalicioni qeverisës për lëshimin e seancës së fundit, duke e quajtur një veprim skandaloz.

“Së pari unë nuk e kam marr një vendim të tillë. Ajo që ka ndodh në dy seancat e fundit ka qenë e paprecedent dhe një veprim shumë skandaloz dhe i papërgjegjshëm që e ka bërë Partia Demokratike dhe partnerët e koalicionit. Dhe gjithë ai presion dhe gjithë ato të vërteta që kanë rreth atij vendimi u dëshmua më vonë, por jo me një arsyetim ose tentim arsyetim banal të ministres se nuk e kanë bërë prej presionit, por prej vullnetit të mirë që nuk qëndron. Si duket i kanë kryer ato punë ajo dhe ata tjerët që kanë qenë të involvuar, i kanë kryer bizneset e tyre”, ka thënë Beqiri.

Ndërkaq kryeparlmentari, Jakup Krasniqi ka hedhur në një votim formal pikën e rëndit të dirtës, e cila kishte të bënte me vazhdimin e interpelancës së ministrës Kusari, e cila me shumicë votash është hequr nga rendi i ditës.

Po ashtu është vendosur që pikat dy dhe tre të rendit të ditës të lihen për seancën e pasdites, që kanë të bëjnë me shqyrtimin e rekomandimit të Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media dhe shqyrtimin e Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordi të Radiotelevizionit të Kosovës.

Më pas seanca ka vazhduar me miratimin e Projektligjit për shfrytëzimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e ndërtesës bashkëpronësi, Projektligjin për pasurimin e miellit, ai për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për letërnjoftim.