Veliaj: Shtatori muaj fantastik për hapjen e shkollave, brenda mandatit i japim fund mësimit me dy turne


Pas hapjes së 4 shkollave të reja në Tiranë, tre prej të cilave të ndërtuara nga e para, Bashkia e Tiranës sapo nisi rikonstruksionin e plotë të shkollës 9-vjeçare Dora dIstria. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet që po kryhen në këtë objekt dhe shtoi se falë këtij projekti, shkollës do ti shtohen 11 klasa të reja, ndërsa e gjithë godina do të pajiset për herë të parë me një sistem qendror ngrohjeje.


Ai theksoi se në përfundim të këtij investimi nxënësit e shkollës do të kenë jo vetëm mjedise më të mira dhe më të ngrohta, por do kenë mundësi që mësimin ta zhvillojnë vetëm në një turn. Më vjen mirë që tek ish shkolla ime, që dikur mbante emrin 20 Dhjetori, sot Dora dIstria, po bëjmë jo vetëm një rikonstruksion total të godinës, por po shtojmë edhe 11 klasa të reja, për të futur konceptin parashkollor dhe për ti dhënë fund mësimit me dy turne, tha kryebashkiaku Veliaj.


Ai u shpreh i kënaqur me ecurinë e projektit madhor për ndërtimin e shkollave të reja dhe rikonstruksionin e atyre ekzistuese, duke theksuar se falë këtyre investimeve nga ana e Bashkisë së Tiranës është bërë e mundur çlirimi nga mbingarkesa e disa zonave që më parë ishin dhe më problematiket. Jam disa herë i lumtur që jam këtu sot, së pari sepse kemi pasur një muaj fantastik si shtatori, ku kemi hapur shkolla të reja, kemi mbaruar investime në shkollat ekzistuese, është çliruar nga fluksi Kombinati, Bregu i Lumit, Pazari i Ri, pra disa nga lagjet problematike. Shkollat elitare kombëtare si Liceu Artistik apo Shkolla e Baletit dolën projekte të suksesshme, pra kemi vënë përpara një pjesë të ambicies tonë për të ulur mësimin me dy turne, shtoi Veliaj.


Kreu i Bashkisë së Tiranës siguroi se deri në fund të këtij mandati problemi i mësimit me dy turne do marrë fund. Gjithashtu, ai kërkoi edhe bashkëpunimin e prindërve për anomalitë që mund të krijohen nga transferimi i nxënësve të kësaj shkolle në shkollat e tjera deri në përfundimin e punimeve. U kërkoj mirëkuptim prindërve që, teksa po bëjmë mësim në shkollat alternative, se në një periudhë prej pak muajsh do të kemi totalisht të rikonstruktuar shkollën ekzistuese plus klasat e reja, që zgjidhin të gjithë këtë anomali që kemi pasur në Njësinë 10. Ashtu si edhe në Njësinë 8, edhe në disa njësi të tjera të Tiranë i kemi dhënë fund mësimit me dy turne, gradualisht në të 24 njësitë do të vazhdojmë me këtë ritëm për tu siguruar që fundi i këtij mandati na gjen të sistemuar. Ne mund të kemi debate të tjera në zgjedhjet e ardhshme, por jo debatin e shkollave me dy turne, tha Veliaj.


Projekti i rikonstruksionit që ka nisur të zbatohet në këtë shkollë parashikon që në anën jugore të oborrit ngjitur me godinën ekzistuese të ndërtohet një shtesë 3 katëshe për 11 klasa mësimi dhe vendosja e dhomës teknike në katin përdhe. Klasat do të jenë të vendosura në dy krahët e korridorit si një vazhdim i atij ekzistues. Gjithashtu, shkolla do të ketë një sistem qendror ngrohje dhe për këtë qëllim po bëhen instalimet për të rritur dhe përmirësuar mirëfunksionimin e të gjitha ambienteve për nxënësit dhe mësuesit. Në shkollë do të bëhen edhe një sërë punimesh të tjera, si ndërrim i dyerve dhe dritareve, instalimet elektrike dhe hidraulike, rikonstruksion i gjithë nyjave sanitare si dhe izolimi i tarracës.


25 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)