Nuk kanë humbur asgjë nga magjia dhe pasioni i tyre, ndonëse kantautori Elton Deda prej 6 vitesh vijon karrierën në Amerikë, ku së fundi ka nxjerrë në treg dhe një album me 12 këngë të rrymës, Rock dhe Blues.
“është kënaqësi e madhe të gjendesh pranë Sandrit dhe Redit, me gallatat e tyre... Megjithëse kjo ishte një mbrëmje e improvizuar, ne kemi rigjetur veten, sikur na është këputur filmi para gjashtë vitesh kur kam ikur unë. Kam gjetur po të njëjtin emocion me ta”, tregon Elton Deda.

Kantautori njihet ndër të parët që pas viteve ’90 kërkoi të shprehej ndryshe, me ritme moderne dhe klasike njëherazi, i vërtetë dhe origjinal. Vështirë se muzika shqiptare do arrijë të krijoje kompozime si "Qytet i vjeter" ose "Nuk kërkoj tjetër njeri", që mbajnë firmën e 37-vjecarit Deda. Këto dhe të tjera, që dikur i këndonin live në pub “Tre muskultierët”, i kanë sjellë dhe një herë, në një natë të vetme për publikun. “Pra, u lidhëm sërish me të njëjtën ndjenjë si më parë. Secili i di zërat e vet dhe mendojmë se po ia kalojmë mirë”, tregon kantautori.

Surprizën e rikthimit pas gjashtë vitesh në Tiranë, Deda nuk e rrëfen të gjithën. Tregon se përpos performancës së tij live në skenën e pishinës së këtij resorti, do jetë i ftuari surprizë para publikut shqiptar në një koncert të organizuar nga një media private. Për më tepër, ka ardhur edhe me rastin e nxjerrjes së albumit të tij. “Hë për hë nuk kam arritur ende në negociata këtu. Albumi është shkruar dhe realizuar në Amerikë. Shumicën e punës e kam bërë në studion time, ndërsa post-produksioni në një studio në Nju-Jork. Albumi përfshin 12 këngë Rock dhe Blues”, rrëfen Elton Deda.

Rikthimin e mikut të tij në gjirin e “Tre muskëltierëve”, Aleksandër Gjoka e ka interpretuar si një “sadisfaksion, por shumë i shkurtër”. Sandri nuk ngurron të thotë se e ndien mungesën e mikut të tij, pavarësisht se është shumë më i ri në moshë. “Toni ka një pjekuri, e jo vetëm nga ana muzikore. Kësisoj kemi gjetur emërues të përbashkët sidomos në muzikën Rock dhe Blues. Ai është kantautor e dirigjent njëherazi. Ka mbaruar studimet për piano, e kështu mund edhe të shkruajë pa problem për një orkestër prej 40 vetësh”, shprehet Aleksandër Gjoka.

Megjithëse kanë kaluar gjashtë vite që Elton Deda nuk jeton në Tiranë, Redon Makashit i duket sikur s’kanë kaluar shumë kohë që nuk e ka takuar Tonin. I duket sikur është rikthyer nga pushimet dhe për ta vërtetuar këtë thotë se “edhe për koncertin e sotëm s’kishim bërë asnjë provë paraprake. “Dhe ishim ashtu si dikur: ‘Tre muskultierët’”, thotë Makashi.

Gjithsesi largimi i tij ndihet. “Jo vetëm tek ne, por edhe te publiku shqiptar. Toni, megjithatë ka lënë muzikën e tij nga pas. Albumin e fundit ende s’ma ka dhuruar. Po më thoshte që ta blej me lekë...”, thotë me shaka Redoni. Për një të ardhme të tre së bashku në skenën shqiptare? “Shpresoj të rikthehem këtu pak më shpesh. Ndoshta një album të tre së bashku, mund të jetë një projekt pakëz i madh, pasi duhet të jesh këtu që ta ndjekësh këngën, por një koncert të tre së bashku, pse jo”, thotë Deda.