Qeveria italiane dhe qyteti i Firences janë përfshirë në mosmarrëveshje përsëri për çështjen se kush është “pronari” i një prej statujave më të famshme në botë, Davidit të Mikelanxhelos! Kjo çështje ka sjellë valë debatesh për vite me radhë. Zyra e kryetarit të bashkisë së Firences tha se debati ka filluar që në vitin 1990. Problemi qëndron se 8 milion euro që fitohen çdo vit si pasojë e shitjes së biletave në “Galerinë Akademike”, ku qëndron statuja e Davidit shkojnë për qeverinë italiane dhe jo për qytetin. Kryetari i Bashkisë Mateo Renzi kohët e fundit ka kërkuar që këto përfitime të shkojnë për Firencen, sepse në fund të fundit Davidi është i yni - theksoi një nga zëdhënësit për shtyp të baskisë, duke shtuar se qyteti i Firences ka të drejtë të marrë pjesën e vet në këtë fitim. Ndërsa turizmi sjell para në Firence, ai sjell edhe shumë shpenzime, si kostot e pastrimit dhe sigurisë - tha zëdhënësi. Kryetari i bashkisë u shpreh se nuk është e drejtë që barra e mirëmbajtjes së ndërtesave disashekullore të bjerë mbi qytetarët fiorentinë.
Pas kërkesës Ministria e Trashëgimisë autorizoi një studim për të përcaktuar se kush është “pronari” i vërtetë i Davidit. Zyrtarët e kësaj ministrie arritën në përfundimin se Davidi i përket Italisë dhe jo qytetit të Firences. Qeveria e bazon kauzën e saj te fakti se ishte shteti italian ai që pagoi zhvendosjen e Davidit nga vendi i tij fillestar në “Pallatin e vjetër” tek Akademia, ku po qëndron sot. Presidenti i këshillit të Firences tha në deklaratën e tij të hënën se “ mendimi i juristëve romanë është shumë i rrezikshëm” duke vënë në dukje të gjithë trashëgimitë që mbushin muzeun kombëtar. Ai thekson se bashkia e Firences e autorizoi dhe e pagoi autorin për krijimin e kësaj statuje gjatë shekullit të XIV. Davidi qëndroi në “Pallatin e Vjetër për gati katër shekuj, deri në 1873, e më pas u zhvendos tek “Akademia” në mënyrë që të ruhej më mirë. Kur Italia u bashkua në 1871 “Pallati i Vjetër” kaloi nën juridiksionin e qytetit të Firences. Xhani tha se të dhënat e tij dëshmojnë se qeveria e re italiane me bazë në Romë pagoi për zhvendosjen e Davidit, sepse mori përgjegjësinë për “tutelën” mbi trashëgiminë e kombit të ri.
Shteti italian sigurisht nuk kërkonte pronësinë mbi statujën e Davidit që u dha me ligj dy vjet më parë. Në vend të kësaj është kërkuar që të kryejë funksionin e mbikëqyrësit e cila është pjesë e kompetencave të saj me të cilat qyteti i Firences kishte rënë dakord për të vendosur Davidin në akademi. Shumica e pikturave dhe statujave që ndodhen nën juridiksionin e shtetit italian dhe që janë të vendosura në muzeumet si “Galeria Uffizi” i përkasin qytetit –tha Xhani. Një pjesë e të ardhurave duhet t’i jepen qytetit u shpreh ai duke theksuar se “Qyteti i Firences ka të drejtë të marrë pjesë nga fitimet”. Mikelanxhelo i cili ka lindur në Firence e përfundoi skulpturën në vitin 1504. Ajo ka qenë një simbol i superioritetit të Firences ndaj armiqve të saj qysh atëherë. Në një deklaratë për të përditshmen “Il Corriere Fiorentino”, kryetari i bashkisë z.Renzi tha: “Megjithë respektin që kam për juristët romanë, dokumentet e pakontestueshme që ndodhen nën posedimin e administratës shtetërore flasin qartë: Davidi i takon Firences. Ministri i Trashëgimisë Sandro Bondi bëri të ditur në një deklaratë se ai nuk është i gatshëm të dorëzojë pronësinë e statujës. Bondi tha se e kishte gjetur veten të ngatërruar në një mosmarrëveshje absurde dhe të papërshtatshme për skulpturën, duke e cilësuar atë si një problem të parëndësishëm. Megjithatë ai theksoi se do të bashkëpunojë me përfaqësuesit e Firences në atë mënyrë që të shmangen polemikat.

...