Në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar, gjatë fundjavës do të rikthehet komedia "Romancë dashurie" e autorit italian, Aldo de Benedetti. Me regji të Milto Kutalit dhe interpretimin e aktorëve Bujar Asqeriu, Roland Trebicka, Anila Bisha, Luljeta Hoxha, vepra ka në qendër raportet familjare. Sipas Kutalit, komedia ka mesazhe aktuale të familjes së sotme, jo vetëm shqiptare. Vepra është një ngjarje më shumë e jetuar nga krijuesi i saj, De Benedetti, sesa një trillim letrar. Ajo ka në qendër raportet familjare, situata plot humor që provokohen nga ngacmime të shpirtit aventuroz të protagonistëve e që më pas prodhojnë realitete që mund të cenojnë, madje të çojnë deri në shkatërrimin e familjes. Por, mos të harrojmë, heronjtë tanë janë pjesë e përditshmërisë moderne. Si të tillë, ata nuk provojnë precedentin "ndarje", pasi shoqëria e sotme, edhe pse jo rëndom, prodhon ende shpirtra të brishtë që kanë të qëndrueshëm genin e së mirës njerëzore, vendosur kjo natyrshëm në frymën sunduese të mesazhit të komedisë: "Familja duhet mbrojtur me çdo kusht".