Katër muaj pas daljes së numrit të fundit të revistës javore MAPO (numri i 245 doli në 4 shtator 2011), ekipi i gazetarëve të saj rikthehet me një botim të ri. Do të jetë sërish një revistë e përjavshme, e quajtur JAVA, ajo që do të zëvendësojë Mapon në treg. Skënder Minxhozi, Lorenc Vangjeli, Ben Andoni dhe disa bashkëpunëtorë të hershëm të projektit Mapo, kanë ndërmarrë nismën për të vijuar rrugën e nisur pesë vjet më parë.


JAVA duket se do të ketë shumë nga ADN-ja e Mapos. Një ngjashmëri e kërkuar nga stafi i gazetarëve, për të dhënë mesazhin e vijimësisë për tregun dhe lexuesit e shumtë brenda dhe jashtë vendit. Linja e saj kritike ndaj qeverisjes, faktet dhe dosjet e korrupsionit, reportazhet nga të gjitha trevat shqiptare, shkrimet polemike dhe intervistat me figurat më të njohura publike, do të jenë synimi i stafit të Javës.


Revista Java do të dalë çdo të shtunë në treg dhe do të kushtojë 50 lekë. Faqja në internet e revistës është www.revistajava.com dhe do të jetë operative qysh pas daljes së numrit të parë në treg, të shtunën e ardhshme, 7 janar 2012.