Zhizel një nga baletet më të bukura të historisë së operas do të rikthehet për publikun si një homazh në kujtim të mjeshtrit të madh Agron Aliaj . Baleti Zhizel u vendos për herë të pare në skenën shqiptare, në dhjetor të vitit 1988 nga koreografi, Aliaj.  Rikthehet në vitin 2018-të, pasi këtë vit bëhen plot 30-të vjet nga vënia në skenën shqiptare të baletit Zhizel, kohë kur mjeshtri Agron Aliaj ja propozoi për here të parë këtë vepër publikut shqiptar. E risjellim në këtë kalendar artistik në nder të 85-vjetorit të lindjes së koreografit, Mjeshtrit të Madh Agron Aliaj, thuhet në njoftimin për shtyp nga TKOB.


Edhe pse një produksion krejtësisht i ri në skenografi, kostume apo ndriçim, kjo vepër realizohet mbi atë ide koreografike, skenash dhe kostumesh që koreografi krijoi 30-të vjet më parë dhe la në partiturën e tij të shënimeve. Prodhimi ka ndryshuar duke avancuar idetë bazike të skenografit dhe kostumografit Shaban Hysa, që realizoi 30-të vjet më parë këtë vepër, por këtë herë gjithçka shihni në skenë është realizuar nga skenografi i ri, Renold Sula.


Kjo shfaqje është një shenjë vlerësimi për veprat dhe punën e jashtëzakonshme që Agron Aliaj na ka lënë. E fillojmë me baletin Zhizel por në vijim të kalendarit tonë artistik 2019 do të nderojmë figurën e koreografit Aliaj me vepra të tjera të tij, thuhet në njoftimin e TKOB. Vepra do të vijë në skenë në datat 9,10 dhe 11 nëntor në orën 19.00 në Artturbina. Baletmaestër do të jetë Enada Hoxha ndërsa kostumografia nga Ardi Asllani. Zhizeli do të interpretohet nga balerinët Adela Muçollari (09 nëntor), Ledia Sulaj (10 dhe 11 nëntor)


Libreti i baletit Zhizel është ndërtuar mbi motivet e një legjende të lashtë gjermane mbi vilisat, të fejuara që vdesin pa arritur të martohen.


Akti I parë


Një fshat i qetë. Në një shtëpi të rrethuar nga pyje dhe vreshta jeton Berta me vajzën e saj Zhizel, vajzën më të bukur të fshatit. Është koha e vjeljes së rrushit. Fshatarët janë mbledhur për vjeljen e prodhimit. Një grup fshatarësh përshëndesin me dashuri Zhizel. Ndërkaq princ Alberti dhe shërbëtori i tij hyjnë në kasollen e gjuetarëve dhe Alberti del pas pak i veshur si fshatar. Këtë gjë e vë re rojtari i pyllit, Hansi. Alberti drejtohet nga shtëpia e Zhizel. Ëilfrid(shërbëtori i Albertit mundohet ta ndalojë, por Alberti e detyron të trokasë dhe të largohet, ndërsa ai vetë fshihet prapa shtëpisë.  Del Zhizel dhe habitet kur nuk shikon njeri. Ajo fillon të kërcej. Befas Alberti del përpara saj, i shkon pas, e zë për dore dhe e shtrëngon me ngrohtësi. Kërcimi i tyre shëndërrohet në një dialog dashurie.


Zhizel si duke bërë shaka shpreh dyshimin e saj në sinqeritetin e Alberit. Lulja së cilës ajo është duke i hequr petalet tregon se Alberi nuk më do Alberi merr një lule tjetër dhe i provon të kundërtën. Zhizel qetësohet dhe vazhdon të kërcej me Albertin.


Hansi i afrohet vajzës dhe i thotë që të mos u besojë fjalëve të Albertit, por ajo mendon se Hansi e bën këtë nga xhelozia dhe nuk i bindet.


Fshatarët kthehen nga vjelja e rrushit dhe zhvillojnë festën e rastit. Vajzat i luten Zhizel që të kërcejë bashkë me to. Alberti ndjek i mahnitur kërcimin e saj dhe e kurorëzon Zhizelin si mbretëreshën e festës.


Dëgjohen tingujt e një briri dhe në skenë hyjnë një grup damash dhe kalorësish që kthehen nga gjuetia për të pushuar. Është paria e fshatit fqinj e kryesuar nga Duka dhe e bija, e fejuara e princ Albertit. Princeshën Batilda e mahnit bukuria e Zhizelit dhe i dhuron asaj një gjerdan floriri. Ndërkohë princesha e pyet Zhizelin nëse ka të dashur.


Zhizeli e sinqertë i shprehet se këtu ishte dhe kërkon ndërkohë ta gjejë për t`ia prezantuar. Në përfundim të festës shfaqet Hansi i cili këmbëngul të bind Zhizelin se Alberti nuk është ai që paraqitet. Alberti  e kundërshton Hansin i cili detyrohet të vërtetojë  thënien e tij për të vërtetën e Albertit . Hansi u tregon të gjithëve shpatën e Albertit që e ka fshehur, me qëllim që të dukej si fshatar dhe u tregon për mashtrimin e tij. Alberti tenton të vrasë Hansin me shpatë.  E shqetësuar Zhizel kërkon nga Alberti sqarim.


Hansi thërret edhe një herë parinë e fshatit fqinj që tashmë ishte larguar. Në skenë vijnë gjahtarët  bashkë me princeshën  Batilda dhe babain e saj. Princesha habitet nga veshja fshatare e Albertit i cili justifikohet se ka qënë për gjah. Ndërkohë ndërmjet Albertit dhe princeshës hyn Zhizel e cila i tregon princeshës se ky ishte personi që donte ti prezantonte dhe që i ish betuar se do ta donte përjetë.


Princesha  Batilda  i thotë se ajo është e fejuara e tij legjitime. Zhizeli  hidhërohet së tepërmi, heq nga qafa gjerdanin dhe shembet përtokë. Kur vjen në vete asaj i duket sikur përpara saj vallzojnë lulet, të cilat e lajmërojnë për fatkeqësinë. Ajo rikujton çastet e dashurisë me Albertin dhe kur sheh shpatën kërkon të vrasë veten., por Hansi e ndalon  në kohë. Ajo kërkon nënën, por nuk e njeh.  Zemra e saj pushon së rrahuri.


Akti II


Kanë kaluar disa kohë. Princi Albert nuk e harron dot Zhizelin. Ai vjen në këto anë i tërhequr nga kujtimi i vajzës. Befas i duket sikur gjithë sheshi mbushet me vajza që vallzojnë nën dritën e hënës bashkë me të parën e vilizave Mirtën. Atij i duket se pranë ka Zhizelin, vajzën e thjeshtë fshatare, që diti të dashurojë dhe ruaj të pastër dashurinë e saj.  I afrohet dhe kërcejnë të dy bashkë. Vajzat kërkojnë t`i ndajnë por ata nuk largohen nga njëri-tjetri. Albertit i duket sikur Hansin e ndërshkojnë të gjitha vilisat, pasi ai u duket atyre si shkaktar i fatkeqësisë që ka ndodhur dhe Zhizel që mbron dhe kërkon ta falin nga gjykimi e dënimi i Mirtës e vajzave të tjera. Figura e thjeshtë e kësaj vajze ngrihet madhështore si simbol i triumfit të dashurisë. Ndërkaq agon dita e re.  Përfytyrimi zhduket. Në skenë Alberti mbetet vetëm me një trëndafil të kuq në dorë.


8 nëntor 2018 (gazetaShqip.com)