SHERRI


Deputeti demokrat: Janë 19 socialistë të lidhur me krimin


Pjerin Ndreu - Është e turpshme, zoti Arben Ndoka ka qenë drejtor drejtorie në kohën e qeverisjes së PD-së. Fisi i Ndokajve në Lezhë ka qenë shtylla kurrizore e PD-së. Si del e flet për ata njerëz që i kanë pasur deri në vitin 2009 pikën mbështetëse kryesore


Luçiano Boçi - Strazimiri po pinte një cigare dhe po fliste në telefon dhe se kishte mendjen fare nëse po i afrohej njeri. Deputetët socialistë e sulmuan atë nga mbas shpine, duke e goditur në kokë, ndërsa Strazimiri ka bërtitur me forcë duke kërkuar ndihmë


Sali Berisha - Me urdhër të Edi Ramës, një nga banditët e agreson këtu tek po pinte një cigare. Ky është një akt i pashembullt, që dëshmon fytyrën e vërtetë të Edi Ramës dhe klikës që ka uzurpuar pushtetin


Edi Paloka - I keni bërë llogaritë gabim nëse do të vazhdoni kështu, mos e vazhdoni këtë seancë, ishit ju që morët masë për fjalët e Berishës, ndërsa tani u kërcënua edhe me jetë deputeti. Ju vazhdoni si të doni, por edhe ne dimë si të vazhdojmë


Olta Xhaçka - A mund të na thoni, zotëri, meqenëse nuk na e thotë ministri, e ne të tjerët nuk e ditkemi, kush është ky person në kërkim? Se duam ta dimë, të paktën të mos shoqërohemi dhe ne. Mund të jetë në grupin tuaj apo tonin, ta dimë


Gent Strazimiri - Ju ka ardhur me sms kjo kërkesë. I kemi bërë publikë, emër për emër dhe kemi bllokuar seancë parlamenti pikërisht për të futur disa persona, që nuk e meritojnë të jenë këtu. Për më tepër, do të flasim edhe më vonë


Jozefina Topalli - Ajo listë është shumë më e gjatë nga ai emër që unë kam dhënë, në mazhorancën e emëruar nga Edi Rama ka kriminelë, ka mafiozë, ka trafikantë dhe kjo është fatkeqësia më e madhe


Vangjel Dule - Duhet të jemi të qartë që çdo gjë që ndodh në korridoret e këtij Parlamenti dhe jashtë tij, e ka zanafillën pikërisht në mikrofonat dhe podiumin e këtij Kuvendi, ndaj të cilit duhet të jemi shumë më të vëmendshëm dhe më të përgjegjshëm ndaj çdo fenomeni të dhunës verbale


Herion Mesi


Genti StrazimiriKuvendi kthehet sërish në një arenë gladiatorësh, ku përplasjet verbale prej kohësh po ua lënë vendin përplasjeve fizike mes deputetëve. Sërish protagonist në këtë sherr të radhës ishte deputeti demokrat Gent Strazimiri, i cili menjëherë pas fjalës së tij në seancën e djeshme do të konfrontohej fizikisht me dy deputetët socialistë, Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu. Ky sherr bëri që opozita të largohej nga seanca e djeshme parlamentare.


Konfrontimi


Gjithçka nisi nga foltorja e Kuvendit, teksa deputeti demokrat deklaroi se në sallën e Kuvendit janë të paktën 19 deputetë që janë me precedentë penalë dhe kanë lidhje me njerëz të botës së krimit. Në grupin tënd parlamentar ke të paktën 19 veta me precedentë penalë, persona të kërkuar, të shpallur në kërkim apo persona që kanë bërë burg për narkotrafik, vjedhje vilash me dhunë; kanë bërë burg për prostitucion. Ti e di dhe nuk flet. Ju zëvendësuat gratë deputete me kriminelë, iu drejtua Strazimiri ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, në fjalën e tij për projektligjin për përdorimin e armëve. Por pikërisht kjo deklaratë do të nervozonte deputetin socialist, Pjerin Ndreu, i cili do të replikonte ashpër nga vendi me deputetin demokrat që po zinte vend në karrigen e tij në sallë, teksa pas tij në Kuvend fliste Sali Berisha. Deputeti Pjerin Ndreu vijoi debatin në distancë me Strazimirin, duke i kërkuar të vërtetonte akuzën e tij. Cilët janë këta deputetë kriminelë që flet me kaq siguri. Me kë e ke? – pyeti Ndreu. Ndërsa Strazimiri u përgjigj duke i treguar deputetin Arben Ndoka që qëndronte pranë tij, është njëri prej tyre, tha Strazimiri. Kaq ka mjaftuar që debati të degjeneronte fillimisht në akuza verbale mes ligjvënësve. Ik mor ordiner, u bërë ti. Ta tregoj unë kush është krimineli këtu. Të ka lënë me pasoja rripi më duket, tha Ndreu duke iu referuar sherrit të pak javëve më parë, që deputeti demokrat, Strazimiri, u konfrontua fizikisht me deputetët socialistë, Armando Prenga dhe Xhemal Qefalia, në korridoret e Kryesisë së Kuvendit. Por debati nuk u mbyll me kaq, pasi Strazimiri iu drejtua Ndreut me fjalët: Ik mor halabak, polic je ti dhe asgjë më shumë. Dhe në mes të këtyre batutave do të ndërhynte nga salla edhe deputetja tjetër socialiste, Olta Xhaçka, e cila i kërkoi Strazimirit emra konkretë të deputetëve që ai i akuzoi si të lidhur me krimin. Menjëherë pas këtyre replikave të njëpasnjëshme, Strazimiri u pa të dilte nga salla në ambientet e Kuvendit teksa komunikonte me celularin e tij dhe pak çaste më vonë, do të dilnin dhe dy socialistët Ndreu dhe Ndoka. Nuk do të zgjaste shumë, kur në sallë tërhoqi vëmendjen një zhurmë që vinte nga korridoret, zhurmë që do të detyronte kryetarin e seancës, Vangjel Dule, që të ndërpriste seancën. Në sallë u krijua një situatë kaotike në ambientet e Kuvendit, teksa deputeti demokrat Sali Berisha qëndronte në këmbë në foltoren e Kuvendit. Kjo është fytyra jote, iu drejtua Berisha, Kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzoi si urdhëruesin e këtij konfrontimi fizik mes deputetëve të tij dhe demokratit Strazimiri. Por ky konfrontim mes tyre nuk arriti të filmohej, pasi ndodhi në ambientet e korridorit të Parlamentit, aty ku kamerat e gazetarët nuk lejohen të qëndrojnë. Deputetët u ngritën të gjithë në këmbë dhe vrapuan të dilnin jashtë për të ndarë deputetët, që sipas dëshmitarëve po konfrontoheshin ashpër me njëri-tjetrin. Ndërkohë, menjëherë pas këtij konfrontimi, Ndreu është parë të dalë nga Parlamenti dhe pak minuta më vonë në shoqërinë e ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli do të dilte edhe Gent Strazimiri, i cili nuk dha asnjë deklaratë për gazetarët që ishin mbledhur të gjithë në oborrin e Parlamentit.


Pjerin Ndreu


I ftuar në rubrikën Opinion në News24, deputeti i PS-së, Pjerin Ndreu, mohoi se në Parlament ka njerëz të inkriminuar dhe akuzoi Strazimirin si provokator të vazhdueshëm. Strazimiri është një provokator i vazhdueshëm. Normalisht kemi pasur shkëmbim fjalësh, por kanë qenë shumë njerëz aty dhe nuk është zgjatur historia sa bëhet. I them Strazimirit dhe atyre që janë pas Strazimirit, se unë jam krenar për gjithë karrierën time policore dhe as Strazimiri dhe askush nuk mund ta njollosë atë karrierë. Jam larguar me kërkesën time nga policia. Vetë Sali Berisha më ka mbrojtur personalisht me emër ndaj akuzave politike që ranë ndaj meje në atë kohë. Nëse më denoncojnë me fakte në prokurori dhe nëse vërtetojnë akuzat, jam gati të dal përgjithmonë nga Parlamenti. Niveli i Parlamentit po bie në nivelin e pijanecëve, që pasi pinë, dalin në foltoren e Parlamentit dhe nuk dinë çfarë thonë. Kriminelë në Parlament nuk ka. Nuk është e nevojshme ta bëjë biografinë tonë Strazimiri, deklaroi Ndreu.


Ky shkrim Rikthehet dhuna në Parlament, Strazimiri përplaset me Ndokën dhe Ndreun u publikua me pare te Gazeta SHQIP.