Rikthehet 10 vite pas ngjitjes së fundit në skenë, duke ardhur me një frymë më të re dhe më entuziaste baleti I pare kombetar shqiptar “Halili dhe Hajria” me koreografi të Arjan Sukniqit.

Figura kryesore që tërheq edhe trupen pas vetës është prijësi, Halili i cili u interpretua nga balerini i ri Mario Thanasi, i ndodhur për herë të parë si solist në një rol kombëtar.

Halili përmes gjuhës së trupit i jep forcë dhe shpresë shoqëruesve të tij.

Enada Hoxha e rivesh kostumin e Hajries me një eksperiencë më të madhe mbi supe.

Përmbajtja e këtij baleti mbetet stoike, por nuk mungojnë lëvizjet dhe efektet skenike, të cilat i japin freski dhe dinamizëm baletit.

Ky balet ka thyer gjithë rekordet pothuajse 400 herë është shfaqur ne skene. Për herë të parë është vendosur në 13 janar të vitit 1963 nga kompozitori Tish Daija, baletmaestri Panajot Kanaçi dhe dirigjenti Mustafa Krantja.

Po ashtu, në turnetë ndërkombëtare në Greqi, Itali, Turqi e Francë ka pasur sukses të padiskutueshëm, ndërsa në Francë është vënë në skenë nga një trupë franceze e më pas kjo ka ndodhur edhe në Prishtinë, nga baletmaestri Panajot Kanaçi.