MENTOR KIKIA


Në vitin 1995, ndërsa isha në vitet e para të punës si reporter te Gazeta Shqiptare, zhvillova një takim në kafenenë e ish-hotel Dajtit me disa sindikalistë, të cilët po përgatiteshin të shpallnin një grevë. Në mbrëmje, më thërret kryeredaktori dhe më tregon fije për pe të gjithë itinerarin e ditës sime të punës. Në sa kafene isha ulur, asokohe gazetarët nuk shkelnin në asnjë lloj zyre, përveç atyre që punonin në fletushkat e kontrolluara nga SHIK-u, dhe të gjitha lajmet prodhoheshin nëpër kafene dhe skutave të tjera. Më tregon me kë isha takuar, e madje në çpozicion të tavolinës isha ulur. Dikush apo disa, më kishin ndjekur gjatë gjithë ditës sime të punës, nga ora 9.00 deri në orët 17.00 kur unë u ktheva nga terreni për të shkuar në redaksi. Kryeredaktorin e kishin thirrur në një zyrë, që ishte maskuar diku si zyrë shërbimesh te hotel Rogneri dhe i kishin kërkuar me mirësjellje që artikulli im për grevën të mos publikohej. Në fakt, artikulli u publikua, por shumë i shkurtër dhe jo në vend të dukshëm.


Ishin kohë të rrezikshme dhe të frikshme ato…!


Këta ishin njerëzit e SHIK-ut. Ata ndiqnin këmba-këmbës gazetarë, sindikalistë, rivalë, kundërshtarë politikë, biznesmenë.pra, çdo gjë që mund t’i bëhej pengesë apo i duhej Sali Berishës. Struktura shtetërore që merrej me sigurinë kombëtare ishte shndërruar në një polici private me shef komisariati Bashkim Gazideden, njeri i bindur në mënyrë fondamentaliste ndaj Berishës. Shumë shpejt Gazidede e shndërroi SHIK-un në një emër drithërues. Të gjithë kishin frikë nga të gjithë. Një Sigurim Shteti edhe më të frikshëm nga ç’kishte qenë ai i komunizmit. Survejime amatoreske, duke ndjekur njerëz nga pas si hije, lista njerëzish me ne dhe kundër nesh, telefonata për çdo artikull që shkruhej dhe që nuk ishte në të mirë të pushtetit, gazetarë mercenarë që rekurohesin për një garsoniere për të spiunuar, provokuar, shpifur dhe sulmuar njëri-tjetrin!


Në vitin 1996, ndërsa me kolegun Alfred Peza po ecnim në rrugicat e ngushta të parkut Rinia të mbushur me kioska, për të dalë në sheshin Skënderbej ku do të mbulonim një protestë të paralajmëruar të opozitës, u sulmuam nga dy civilë trupmëdhenj dhe vetëm ndërhyrja e një nëpunësi të qeverisë, që na njihte, ndryshoi rrjedhën e jetës tonë.


Çdo strukturë shteti ka peshën e vet në piramidën shtetërore dhe nga pesha vjen edhe autoriteti dhe frika që ajo përcjell te shoqëria. Por SHIK-u, nën drejtimin e Bashkim Gazidedes, mund të ketë pasur për analogë vetëm ‘Gestapon’ naziste dhe Sigurimin e Shtetit komunist. Nëse gjatë një proteste do të thoshin se erdhi policia, pakkush do të kthente kokën, por nëse dikush do të thoshte, erdhi SHIK-u, atëherë të tërë do të trazoheshin.


Në vitin 1997, kur Gazidede ishte arratisur bashkë me shpurën e tij dhe shërbimin sekret e mori në dorë një tjetër pedagog i Shkencave të Natyrës, Fatos Klosi, hyra për herë të parë në ndërtesën e SHIK-ut, për të intervistuar Zotin Klosi. Ishte tërësisht e zbrazur. Oborri bosh, i mbushur me letra që i shpërndante era, nja dy-tri makina (ishin ca Volkswagen ngjyrë jeshile që bridhnin pa targa, por që ne i njihnim, pasi qëndronin me shërbim 24 orë para redaksive të gazetave joqeveritare), korridore të shkreta, disa zyra të hapura e disa jo, por këmbë njeriu brenda. Nisur nga emri që kishte pasur, të krijohej ndjesia e një kampi përqendrimi nga i cili sapo ishin larguar nazistët. Këtë ndjesi përjetova kur u futa brenda. Kisha frikë, mendoja se dikush ishte duke më ndjekur nga pas, ngrija sytë mbi çati pasi kisha një ndjesi sikur në tarracë kishte snajperë. Mos mendoni se isha paranojak. Jo jo, këtë ndjesi do të provonte çdo njeri jo pjesë e qeverisë, e aq më shumë një gazetar të cilit i ishte dashur të zbriste në mesnatë nga apartamenti përmes tubit të rrjedhjes së ujërave, kur njerëz misteriozë i binin derës me shkelma. Fatos Klosi kishte vendosur mbi tavolinë një mori fotosh që tregonin njerëz të SHIK-ut, të veshur civilë, të cilët ishin në vijën e parë të forcave që shpërndanin demonstruesit e opozitës. Një djali i ri, me flokë kaçurrela të gjata si bubuzhel, kishte në dorë një hu nga 2 metra të gjatë me të cilin kishte goditur tre vetë njëherësh. Të tjerë që po tërhiqnin zvarrë dikë nëpër trotuar. SHIK-u kishte dokumentuar aksionet e veta për të fotografuar ata që merrnin pjesë në demonstrata, pasi kjo, me logjikën e asaj kohe, ishte e paligjshme. Kam parë edhe qeli të përgjakura këtu vazhdonte të tregonte Klosi, i cili ndërtoi një strukturë shtetërore nga e para.


Ndërsa kujtoj frikën tonë nga SHIK-u, kujtoj një nga viktimat më absurde të asaj kohe, një djalë nga Mirdita, Bardhok Lala, i cili shumicës së lajmeve që shkruante në një gazetë ku punonte, u referohej sipas burimeve që nuk duan të identifikohen, burime të cilat as vetë Bardhoku i shkretë nuk i dinte në shumicën e rasteve, pasi ishin thashetheme kafenesh. Pikërisht për të treguar këto burime, Bardhoku u rrëmbye dhe u gjend disa ditë më pas i hedhur në një kanal, i menduar si i pajetë. Një miku i tij e fshehu në një banesë në periferi ku e mjekoi dhe unë me kolegët e mi e vizitova atë. Ishte masakruar kafshërisht. Nuk di se çfarë shtazësh mund të kenë qenë. Tortura të para vetëm në filma ku ndonjë terroristi islamik i kërkohet të tregojë se ku është fshehur bomba atomike që do të shpërthejë e do të vrasë miliona njerëz. Ndërsa Bardhoku ishte masakruar për të treguar se kush ia jepte informacionet që dilnin në një gazetë që kishte gjithsej 500 blerës. Bardhok Lala i shpëtoi vdekjes, por nuk u bë më njeri normal, pasi ndaj tij ishin bërë të gjitha ato që iu bënë hebrenjve, ata që përfunduan në Nuremberg.


Për t’i vënë vulën, në vitin 1997, SHIK-un e shndërruan në strukturë ushtarake dhe e hodhën në luftë kundër popullit për të prodhuar një nga pjesët më të zeza të historisë së Shqipërisë.


Ajo që bëri Fatos Klosi ishte zhdukja e frikës së njerëzve nga SHIK-u. Zhdukja e frikës nga një institucion shtetëror të cilin Gazidede e mbushi me soj-soj kriminelësh e injorantësh që nxirrnin dokumentin e agjentit sekret në autobus për të mos paguar biletën e urbanit.


Pikërisht për këto dhe shumë më tepër se kaq, Fatos Klosi tha se zëvendësimi i Bahri Shaqirit me një nga njerëzit më të besuar të Bashkim Gazidedes, do të sjellë gjëra të frikshme në këtë vend. Pikërisht për këto dhe shumë më tepër se kaq, unë kam sërish frikë nga SHIK-u (SHISH-i). Pikërisht për këto dhe për më tepër që jemi para zgjedhjeve, ne duhet të trembemi se SHISH mund të bëhet sërish SHIK. Ndaj dhe për këtë ne duhet ta ngremë zërin të gjithë, edhe ata që e kanë përjetuar e vuajtur atë kohë, edhe ata që e kanë harruar, edhe ata që nuk e kanë jetuar, por kanë dëgjuar e lexuar.


Bashkim Gazidede nuk jeton më. Por hija e tij e frikës është ende mes njerëzve dhe tashmë, me rikthimin e njerëzve të besuar të tij në krye të shërbimit, ajo frikë rikthehet, jo më si kujtim, por si një realitet.


Unë kam sërish frikë tashmë…!


Rikthimi i frikës nga SHIK-u i Bashkim Gazidedes burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip