Shëtitorja "Republika" në Patos së shpejti do të ketë pamjen e re tërësisht të rilindur nga pikëpamja urbanistike. Hapësira përgjatë bulevardit "Republika", duke filluar në sheshin qendror të qytetit, i është nënshtruar rikualifikimit urban.

Zhvillimi i këtij projekti të rëndësishëm infrastrukturor i konceptuar në dy faza, konsiston në rikonstruksionin e rrjetit të infrastrukturave nëntokësore, rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve, rikonstruksionin e trotuarit dhe shtrimin me pllaka guri në një sipërfaqe prej 3400m2, shtimin e sipërfaqeve te gjelbra deri në 1600 m2, ndriçuesët dekorativë etj..

Gjithashtu, një element i rëndësishëm i projektit dhe që do të ndryshojë tërësisht pamjen e qytetit është ndërhyrja në çdo shesh pallati dhe trotuar, duke e rehabilituar dhe alternuar sipërfaqet e gjelbra; ndërhyrja në fasadat e pallateve përreth, duke i lyer dhe suvatuar në rast se ky i fundit mungon, si dhe lirimi i hapësirave publike nga ndërtimet pa leje.

* * *

Shkolla "Zhani Ciko", e vetmja shkollë e mesme brenda qytetit të Patosit, ofrohet këtë vit shkollor për 480 nxënësit dhe 25 mësuesit e saj, me të gjitha kushtet e një institucioni modern e bashkëkohor, falë investimit të Ministrisë së Arsimit.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot mjediset e rikonstruktuara të shkollës, e cila tashmë i ka të gjitha mundësitë për të rritur nivelin e mësimdhënies dhe edukimit të brezit të ri. Rikonstrukioni i saj përfshin instalimin e sistemit të ri elektrik, rikonstruksionin total të nyjeve higjenosanitare; instalimin e sistemit të ngrohjes dhe mbrojtjes nga zjarri sipas standardeve bashkëkohore, si dhe mobilimin e kabineteve të reja dhe ndërtimin e palestrës me gjithë elementet e nevojshëm të saj.

Gjithashtu u bë një sistemim i përgjithshëm i gjithë territorit të shkollës, duke e kthyer edhe në një qendër komunitare, përmes funksionimit për komunitetin edhe të këndit sportiv të pajisur me fusha basketbolli, volejbolli si dhe ambiente të tjera.

Kryeministri inspektoi ambientet e reja sportive, duke dashur t'i testonte edhe vetë. Teksa u ndodh në palestrën e re, Kryeministri zhvilloi një minindeshje basketbolli sëbashku me mësuesen e edukimit fizik. Kryeministri kreu disa gjuatje nga pika e goditjeve, ndërsa shkëmbeu batuta me nxënësit për domosdoshmërinë e aktivitetit fizik si një e mirë për shëndetin.