Kuvendi miratoi dje zyrtarisht deputetin e PD-së Gazmend Oketa Minisëtr të Mbrojtjes. Me 73 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim deputetët e mazhorancës miratuan dekretin e Presidentit të Republikës për emërimin e zotit Gazmend Oketa në postin
e Ministrit të Mbrojtjes. Gjithashtu, me shumicë votash Kuvendi miratoi edhe dy
dekrete të tjera të Presidentit atë “për shkarkimin e Gazmend Oketës nga posti i zëvendëskryeministrit” dhe “për shkarkimin e zotit Fatmir Mediu nga posti i Ministrit
të Mbrojtjes”. Deputetët e opozitës të pranishëm në sallë nuk morën pjesë në votim.
Kandidatura e z. Oketa për detyrën e Ministrit të Mbrojtjes u propozua nga kryesia e PD-së, pas dorëheqjes nga ky post të Fatmir Mediut. Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu u dorëhoq nga drejtimi i dikasterit të mbrojtjes, pas aksidentit të rëndë të ndodhur mesditën e 15 marsit, në Gërdec. Pavarësisht debateve të shumta ne seancë për ngjarjen e Gërdecit dhe lajmin e NYT për trafikun e armëve në Shqipëri, kryetarja Kuvendi ndoqi rendin e ditës në kundërshti me kërkesat e opozites. Kësisoj, Kuvendi miratoi me 73 votat pro të mazhorancës dekretin e Presidentit të Republikës për emërimin e z. Gazmend Oketa në postin e Ministrit të Mbrojtjes. Gjatë seancës plenare u miratua edhe Programi i Punës së Kuvendit për periudhën 27 mars - 26 maj 2008, miratimin e Kalendarit Trejavor të Punimeve të Kuvendit për periudhën 27 mars - 21 prill 2008, miratimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi, për bashkëpunimin policor ndërkufitar”, projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, për lëvizjen e ndërsjelltë të shtetasve dhe të Protokollit të saj për qarkullimin në zonat kufitare”.