Rritja e fortë vendos bazat për betejën brenda BQE-së në lidhje me nxitjen e masave stimuluese


Deri vonë, pika në të cilën kanë rënë dakord ekonomistët ishte se SHBA-ja këtë vit do të tejkalojë rivalët e saj në fushën e ekonomisë, e nxitur kryesisht nga stimuli ekonomik i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe Partia Republikane në Kongres. Por Nxitja Trump ka treguar deri më tani se ka qenë e dobët. Ndërsa, nga ana tjetër, historia ekonomike e vitit 2017 ka qenë Eurozona euforike, shkruan Financial Times.


Rritja ekonomike në zonën e monedhës së përbashkët ka qenë më shumë se dy herë më e shpejtë në tremujorin e parë të vitit 2017 në krahasim me SHBA-në, duke ngritur pyetjen nëse rimëkëmbja e saj është vetëm një rritje momentale, apo nëse ka themele të forta dhe do të vazhdojë për një kohë të gjatë? Kjo pyetje është më shumë sesa thjesht një interesim akademik.


Nëse Banka Qendrore Europiane beson se ekonomia e Eurozonës do të jetë sa më e drejtë dhe sa më transparente, atëherë ajo duhet të fillojë të mendojë seriozisht për tërheqjen e masave të jashtëzakonshme stimuluese në takimin e saj në Estoni, që u mbajt javën e kaluar.


Investitorë, ekonomistë dhe politikëbërës i mbajnë mend mjaft mirë pasojat në kurriz të tyre të kostos së dështimit të Eurozonës. Në vitin 2001, ende në vazhdën e festimeve të krijimit të saj (1999), monedha euro kishte humbur pothuajse 20% të vlerës së saj, duke fituar pseudonimin diskriminues midis tregtarëve si monedhë tualeti.


Duke dalë nga kriza financiare e vitit 2009 me rritje të shpejtë ekonomike, BQE-ja rriti normat e interesit në fillim të vitit 2011 vetëm që Eurozona të hynte në një krizë më të thellë përpara fundit të vitit.


Edhe po ti referohemi historisë, ajo tregon se duhet bërë shumë kujdes. Por janë të shumtë investitorët dhe ekonomistët që kanë arritur në përfundimin se rimëkëmbja e fundit e Eurozonës bazohet dhe është ndërtuar me të vërtetë mbi themele të qëndrueshme.


Peter Praet, kryeekonomisti i BQE-së, ka folur për një rritje gjithnjë e më të fortë në një ekonomi që ka treguar një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme ndaj goditjeve të jashtme.


Pavarësisht nga kriza greke e vitit 2015, rritja e përgjithshme në zonën e monedhës së vetme e ka tejkaluar atë të SHBA gjatë më shumë se dy viteve të fundit, kur Eurozona u zgjerua me 5.1%, krahasuar me 4.6% e SHBA-së.


Një shenjë edhe më inkurajuese, sipas z. Praet, është natyra e gjerë e ringjalljes së Eurozonës, e cila nënkupton një rimëkëmbje më të fuqishme. Ekonomia e Italisë u rrit 0.4% në tremujorin e parë, ndërsa PBB-ja e Portugalisë u rrit me 1%. Diferenca e normave të rritjes në të dyja vendet dhe në sektorë të ndryshëm është në nivelin e saj më të ulët gjatë dy dekadave të fundit, duke pasqyruar një konvergjencë të normave të rritjes në nivele më të larta në vendet përreth, vazhdoi më tej z. Praet.


Rimëkëmbja ka themele të forta


Ekonomistët e sektorit privat gjithashtu mendojnë se rimëkëmbja është e qëndrueshme dhe madje edhe e bazuar në themele të forta. Erik Nielsen, kryeekonomisti i UniCredit, tha se faza e parë (e rimëkëmbjes së Eurozonës) është nxitur nga eksportet dhe tani po përhapet edhe në konsum dhe madje në disa vende të tjera edhe në fushën e investimeve.


Arne Pohlman dhe Ricard Torné nga FocusEconomics shtuan se përveç të dhënave pozitive, Eurozona po pastron pengesat politike, duke iu referuar zgjedhjes së muajit të kaluar të Emmanuel Macron si President i Francës dhe mbështetjes së madhe që ka marrë në sondazhet paraprake, partia e Angela Merkelit, përpara zhvillimit të zgjedhjeve në shtator.


Parashikimi i konsensusit për rritjen e Eurozonës në vitin 2017 është rritur me më pak se 1.4% gjatë verës së kaluar në më shumë se 1.7% gjatë këtij viti, të dhëna këto sipas FocusEconomics.


Ekonomia dhe politika


Arne Pohlman dhe Ricard Torné nga FocusEconomics shtuan se përveç të dhënave pozitive, Eurozona po pastron pengesat politike, duke iu referuar zgjedhjes së muajit të kaluar të Emmanuel Macron si President i Francës dhe mbështetjes së madhe që ka marrë në sondazhet paraprake, partia e Angela Merkelit, përpara zhvillimit të zgjedhjeve në shtator.


Shumica e ekonomistëve vërejnë se një normë e tillë rritjeje është më e lartë se një normë e zakonshme për Eurozonën, e cila gjithashtu shpjegon edhe rënien e vazhdueshme të nivelit të papunësisë nga 12.1% në 2013 në 9.3% në prill të këtij viti.


Një pyetje e rëndësishme është se për sa kohë mund të vazhdojë nxitja e rritjes së nivelit të punësimit, pa u zgjeruar presionet inflacioniste. Një tjetër është nëse kjo rritje mund të vazhdojë pa u mbështetur në programin e stimulimit monetar të BQE-së dhe normat e interesit tejet të ulëta.


David Mackie, ekonomist në JPMorgan, shprehet se provat nga vendet ku cikli ekonomik ishte më i avancuar treguan se ekzistonte një mundësi për të përparuar më tej, përpara se politikëbërësve të Eurozonës, do tu duhej të vepronin për të qetësuar këtë rritje të ekonomisë.


Rritja e pagave dhe e inflacionit bazë në vende të tjera mund ta bindë BQE-në që shtyjë për më vonë çdo veprim derisa papunësia të shkojë sa më afër niveleve anglosaksone, nën 5%, dhe jo shkalla e papunësisë me rreth 8%, të cilën banka qendrore e konsideron si nivelin ideal.


Debati u përqendrua në pikën nëse kjo rritje është aq e fortë sa mund të përballojë edhe largimin e Eurozonës nga programi i jashtëzakonshëm i bankës për blerjen e obligacioneve.


Kampi në të cilin është i përfshirë edhe z. Praet e pranon ndryshimin e perspektivës, por preferon të mos gabojë duke treguar kujdes dhe tani për tani të mos bëjnë asnjë veprim. Kampi tjetër, në të cilin përfshihen anëtarë të këshillit gjerman dhe anëtarë ekzekutivë të bordit të BQE-së si Benoît Curé, janë të mendimit se mosrespektimi i forcës së rimëkëmbjes do të kërcënojë kredibilitetin e bankës qendrore.


Ekonomistët thonë se rënia e normës së inflacionit në muajin maj në 1.4%, nga 1.9% që ishte në prill, largoi çdo presion të mundshëm që binte mbi BQE-në për të vepruar sa më parë.


Ken Wattret, ekonomist në TS Lombard tha se Marrëdhëniet tradicionale midis rritjes dhe inflacionit duket se kanë rënë. BQE-ja duket se është pak më e sigurt për rritjen. . . por, nga ana tjetër, nga ajo e inflacionit ajo duhet të tregohet shumë e kujdesshme.


BQE me siguri që do të vazhdojë të blejë obligacione prej 60 miliardë eurosh deri në fund të këtij viti, por ekonomia më e fortë e bën gjithnjë e më shumë të mundshëm faktin se një vendim për të kompensuar blerjet e bonove në 2018 do të merret në një moment më të vonshëm gjatë këtij viti.


Ekonomistët gjithashtu po i paralajmërojnë njerëzit të mos largohen nga euforia e Eurozonës, duke qenë se zona e monedhës së përbashkët ka shumë probleme strukturore që duhet të rregullohen. Përfundimi i bashkimit bankar, i bashkimit të tregjeve të kapitalit dhe ndërmarrja e hapave drejt integrimit fiskal mbeten disa prej çështjeve më shumë të diskutueshme në të gjithë Europën.


Italia, ekonomia e tretë më e madhe e Eurozonës, gjithashtu mbetet një shqetësim afatgjatë edhe pse rritja e kohëve të fundit i ka tejkaluar pritshmëritë. Z. Nielsen tha se ekonomia italiane kishte më shumë se dy dekada që nuk po përshtatej dot me botën reale, dhe se financat e saj mbeteshin të paqëndrueshme. Ai ra dakord mbi faktin se kishte një mundësi për të arritur një nivel të qëndrueshëm borxhi, por shtoi gjithashtu se rruga drejt një mundësie të tillë është shumë e vështirë.


Megjithaë, shqetësime të tilla nuk është se janë aspak të reja. Ajo që ngjall interes tek investitorët dhe ekonomistët është se ata nuk janë më qendra ekonomike e Eurozonës. Në vend të kësaj, ata janë zëvendësuar nga një tjetër histori, ajo e një rimëkëmbjeje gjithnjë e më të fortë. /Monitor