Policia Kufitare në Rinas ka prangosur një 22-vjeçar shqiptar të kërkuar në të gjithë Europën.


Alfred Rrasa po kthehej nga Kroacia, ndërsa policia bën me dije se ishte i kërkuar ndërkombëtar për vrasje.


Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Rinas arrestuan shtetasin Alfred Rrasa, 22 vjeç, nga Shkodra. Ai ishte kthyer si i deportuar nga autoritetet kroate. Nisur nga dyshimet pas krahasimit të fotove me personin dhe shpjegimeve konfuze që jepte, rezultoi se ishte shtetasi Alfred Rrasa, ndërsa të dhënat në dokumentin e kalimit ishin të vëllait të tij, njofton policia.


Policia sqaron se 22-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Cuneos, ne Itali, me vendim te datës 7 gusht 2017, e ka shpallur ne kërkim ndërkombëtar për veprat penale Vrasje, e vrasje e mbetur në tentativë dhe Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit, parashikuar nga nenet 56, 110, 575 dhe 577 të Kodit Penal Italian, si dhe neneve 10-12-14 të ligjit nr. 497/74.


Maksimumi i mundshëm i dënimit për 22-vjeçarin është Burgim i përjetshëm.


15 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)