Autori i Lajmit: Redaksia


Pekin – Ëndrra kineze, ashtu si edhe ajo amerikane, ka marrë formë nga premtimi se çdo brez i ri do të jetojë më mirë se pararendësi i tij. Në vitet e fundit, kjo do të thoshte më shumë mundësi pune, më shumë të mira materiale dhe pasuri të paluajtshme. Vjeshtën e shkuar, 80 për qind e të pyeturve nga një sondazh online i China Youth Daily thanë se prona ishte kusht paraprak për lumturinë. Sot tregjet e shtëpive në qytetet kryesore të Kinës kanë rritur ndjeshëm ofertën e tyre, duke rrezikuar të krijojnë një brez të rinjsh që u duhet të punojnë shumë, por janë të zemëruar nga sistemi që ndërpret në mes ëndrrën e tyre kineze. Me çmimet e banesave dhe ato tregtare që kanë pësuar rritje me 11.7 për qind nga viti i shkuar, veçanërisht në qytetet e nxehta lindore, qeveria e Pekinit është më e shqetësuar se kurrë. Chen "Aggie" është një profesioniste e marketingut në Pekin. Vajza e një shitësi dyqani, ajo është nga një fshat i vogël në provincën perëndimore të Guizhou. Ajo ka ardhur në Pekin për të ndjekur kolegjin dhe ka bërë një hap përpara që shumë familje do ta ëndërronin. Ajo ka siguruar një punë aq të paguar sa 10 ose dhe 5 vjet më parë do të kishte mundësi të blinte një apartament. Por me çmimet e sotme, kjo mbetet një ëndërr. "Kam lindur shumë vonë”, - thotë ajo. “E humba shansin”. Sipas bankës së investimeve, Goldman Sachs, gjatë viteve të fundit, çmimet e shtëpive në Pekin janë rritur deri në 80 për qind më shumë se sa pagat. Shokët e Chenit që vijnë nga familje me të ardhura të kënaqshme (quhen brezi i dytë i pasur) kanë qenë në gjendje për të marrë para nga familjet e tyre për të përmbushur detyrimet shkollore, por pjesa më e madhe 20-vjeçarëve të tjerë kinezë nuk e kanë këtë mundësi. Por dhe Chen nuk e kishte gjithçka të shtruar, madje ajo thotë se kishte planifikuar që të largohej nga kryeqyteti. Në disa pikëpamje ajo thotë se Pekini nuk ka ndonjë dallim të madh nga kryeqytetet e tjera të botës, si Londra, Parisi, Nju-Jorku, ku mund të jetojnë vetëm njerëzit e pasur. Zemërimi i rinisë kineze të shkolluar është shndërruar në një çështje shumë të ndjeshme politike. Së fundmi, qeveria ka ndaluar transmetimin e një emisioni popullor në televizion, “Vo Ju”, një lloj seriali si Friends, ku të rinjtë aspironin të ecnin me këmbët e tyre përpara dhe të bëheshin të pasur. Fakti që Vo Ju u konsiderua shumë i rrezikshëm nga politika, tregon se sa e thellë është problematika e shtresave ambicioze të shoqërisë kineze.



Ky lajm është publikuar: 16/05/2010