New York – Në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 1992, fushata e George H. W. Bushit bëri një spërkatje politike duke ndjekur shoun televiziv të Murphy Brown – për herë të parë, por jo për të fundit, që një karakter fiktiv ishte përdorur për të fituar pikë politikë në Amerikë. Murphy Brown, luajtur nga aktorja Candice Bergen, ishte një anomali televizive gjatë asaj kohe, një nënë e portretizuar në mënyrë simpatike. Dan Quayle sulmoi këtë shoun më shumë shkaku i normalizimit të tepruar të amësisë, sesa për stigmatizimin e saj.
Kishin pasuar shumë duartrokitje meqë nënat e pamartuara (asnjëherë deri atëherë edhe baballarët e pamartuar) ishin paraqitur në televizion si lajmëtare fatkeqe të rënies të vlerave të Amerikës. Kishte implikime se gratë (nëse ishin aso që punonin shumë), po vinin interesat e tyre mbi ato të fëmijëve të tyre. Studimi i botuar i Daniel Patrick Moynihan, “Familja e zezë: Rast për aksion kombëtar” kishte krijuar një pasqyrë kinse nënat e vetmuara në qytete, veçanërisht ato afrikano-amerikane, ishin shkaktare të kriminalitetit, shkeljeve dhe përdorimit të drogës.
Si kanë ndryshuar kohërat. Sikurse ishin gjykuar në mënyrë iracionale nënat e pamartuara, edhe sot është ngritur një gjykim i ngjashëm rreth tyre. (Evropa për dallim nga Amerika, ka më shumë nëna të vetmuara, por është interesante që në Evropë ka më pak nevojë për moralizim). Në pop kulturën amerikane, nëna e vetmuar ka kaluar prej asaj nënës që dikur përdorte drogën dhe kishte një jetë më të shfrenuar, në një nënë të guximshme që kalon më mirë dhe në shumë raste edhe kryen punë heroike, duke ia kaluar nënave të martuara.
Në të vërtetë nënat e vetmuara janë ideal i ri matriarkati – gra të cilat me vullnetin e tyre vendosin t’ia kushtojnë jetën rritjes së fëmijëve me gjithë presionin e madh të statusit të vetmuar social.
Fotografia e Angelina Jolie me foshnjën e saj, të adoptuar nga Kamboxhia, në revistën “Vanity Fair” tregoi më së miri këtë ndarje: gruaja e re seksi dhe djali i saj në një dhomë gjumi të një hoteli luksoz e bëri nënën e vetmuar të dukej rehat dhe glamuroze.
Krejt papritur të gjithë yjet e tjerë të Hollywoodit filluan të ndiqnin rrugën e saj: Calista Flockhart, që luajti një rol të një nëne të vetmuar pa fëmijë, adoptoi një fëmijë – dhe sikur të ishte në përralla, u takua dhe u martua me Harrison Fordin. Kourtney Kardashian e reality-shout “The Kardashians” kishte një foshnjë si një “nënë e pamartuar” – një term stigmatizues që ka dalë mode – dhe u mundua t’i kryente të gjitha detyrat që i takojnë një nëne, duke kryer edhe rolin e babait që mban familjen.
Rrëfimi për të bijën e Sarah Palinit, Bristolin, po ashtu është prezantuar si rrëfim për një nënë që kujdeset e vetme për familjen dhe një baba të papjekur. Kur çifti i ri u nda, gazetat shkruanin për një nënë të re heroike kundër atij që shpesh paraqitej si baba axhami, që adhuronte birrat.
Madje edhe Jennifer Aniston, të cilën Brad Pitt e braktisi për shkak se ajo nuk donte fëmijë, psherëtin nëpër intervista dhe thotë se tani, në prag të ditëlindjes së 42-të, nuk është duke e pritur më princin e ëndrrave dhe se ka gjasa që të jetë e gatshme të birësojë e vetme një fëmijë.
Ngjashëm, reklamat televizive për ushqime dhe sigurime – në të cilat protagoniste ishin vetëm familjet kompakte – kanë filluar të paraqesin nëna të pamartuara, të cilat ziejnë me dashuri apo blejnë sigurime jetësore.
Glorifikimi i nënave të pamartuara manifeston tërbimin kolektiv të një pjese të grave të Amerikës – dhe grave që marrin vendime nëpër media. Gjatë të nëntëdhjetave, rrëfimi kryesor ishte ai për gra që prisnin të frustruara derisa “ora e tyre biologjike” ecte, duke e mallkuar veten që e kishin vënë karrierën në vend të parë dhe e kishin lënë anash kërkimin e personit të duhur dhe krijimin e familjes. Në botën e revolucionit post-seksual të meshkujve skeptikë rreth martesës, gratë thuhej se ishin në gjendje të bënin çmos për ta siguruar një baba të martuar për fëmijët e tyre.
Porosia që jepnin mediat ishte ajo e fajësimit të grave, si ballina e famshme e të përjavshmes “Newsweek” e cila konkludonte (gabimisht) se një grua beqare pak më në moshë kishte më shumë gjasa të ishte e pranishme në ndonjë sulm terrorist, sesa të gjente bashkëshort. I tërë rrëfimi, siç shkruan me të drejtë Susan Faludi, nuk kishte të bënte me martesën, mirëpo ishte luftë kundër feminizmit.
Megjithatë, me kalimin e kohës gratë fituan ndikim të mjaftueshëm sa për të hedhur poshtë kolektivisht vlerën e lartë sociale të ofertave mashkullore për unazë. Gratë filluan të mendojnë se do të mund të punësoheshin dhe të krijonin të vetme familje – dhe se një gjë e tillë do të ishte mjaft e mirë. Reklamimi i nënës që rrit e vetme familjen nuk është realist, mirëpo i mundëson pop kulturës femërore që ta shprehë hakmarrjen ndaj të gjithë bashkëshortëve potencialë dhe baballarëve që u larguan, apo të cilët nuk ishin bashkëshortë të ëndrrave, apo që donin seks, mirëpo jo fëmijë dhe shpenzime për shkollim.
Kur Bill O’Reilly nga “Fox News” e akuzoi kohë më parë Anistonin se kishte bërë film për një nënë të pamartuar “The Switch”, film ky që duket se i thotë “një dymbëdhjetë apo trembëdhjetëvjeçareje se nuk të duhet burri”, ai kishte të drejtë. Porosia u shkon për shtati grave të lodhura, të dëshpëruara dhe të etura për fëmijë, që mbase kanë kaluar me vite duke e pritur “ofertën”, pasi që filmi atyre u thotë se në të vërtetë nuk kanë nevojë për burrë.
Ky trend vështirë se e nënkupton fundin e civilizimit siç e njohim, pasi që shumica e grave do të preferonin një partner që i mbështet në rritjen e fëmijëve. Megjithatë, imazhi i nënave beqare na tregon se po bëhet e vështirë – nëse jo e pamundur – që gratë të detyrohen t’u përshtaten rregullave.
(Autorja është aktiviste politike dhe kritike sociale. Ky vështrim është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore, “Project Sindycate”, pjesë e të cilit është edhe ”Koha Ditore”)