XHENTILA GJOSHI/ Ish-kreu i Bashkisë Vorë, Agim Kajmaku, qëndroi i kyçur me prangat e Policisë vetëm 24 orë.kajmaku


Vetëm një ditë pas arrestimit të tij, Gjykata e Apelit Tiranë vendosi ta lirojë Kajmakun nga Arresti me burg, për shkak të shëndetit të tij jo të mirë. Trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Elona Tora, Albana Lluri dhe Zengjine Sallaku, ndryshuan seancën e djeshme masën e sigurisë nga Arrest në burg në Detyrim paraqitje. Ka qenë vetë organi i akuzës, i përfaqësuar nga Arta Marku, që ka kërkuar zbutjen e masës së sigurisë me argumentin se Kajmaku nuk mund të qëndronte në burg për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.


Gjykata vlerësoi si të drejtë kërkesën e mbrojtjes për ndryshimin e masës së sigurimit personal për zotin Agim Kajmakun, nga Arrest në burg në Detyrim për paraqitje. Nga sot, z. Kajmaku gjykohet i lirë. Kjo kërkesë gjeti mbështetje të pjesshme edhe nga akuza, u shpreh avokati i Kajmakut, Isuf Shehu, pas përfundimit të seancës. Kajmaku u arrestua dy ditë më parë, pasi u paraqit në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin privat në kryeqytet, për shkak të diabetit. Ishin mjekët ata që njoftuan Policinë, se Kajmaku ndodhej i shtruar në spitalin ku ata punonin.arta marku


Ai ishte shpallur në kërkim që prej 9 nëntorit 2019 dhe akuzohej për 3 vepra penale: Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve, Falsifikim i dokumenteve dhe Kryerja e funksionit pas dhënies fund të detyrës. Ndërkohë, mësohet se në herët, avokati i Kajmakut kishte dorëzuar në Gjykatën e Apelit një kërkesë për lirimin nga akuza e Arrestit në burg për ish-kryebashkiakun Kajmaku. Siç duket, kërkesa e tij është miratuar edhe nga prokurorja Arta Marku, e cila u emërua së fundmi nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si prokurore e përkohshme në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë.


ARRESTIMI


Ish-kryetari i Bashkisë Vorë, Agim Kajmaku, u arrestua nga Policia e Tiranës, pasi shkoi në gjendje të rëndë në një spital privat në kryeqytet. Sipas informacioneve zyrtare të Policisë, Kajmaku ishte shpallur në kërkim që prej muajit nëntor të vitit të kaluar, pas akuzave të ngritura për falsifikim të formularit të dekriminalizimit si dhe kryerjen e funksionit pas shkarkimit nga detyra.


Ish-kryebashkiaku Kajmaku po trajtohej në spital për problemet shëndetësore, në momentin e ekzekutimit të masës së Arrestit me burg, të dhënë më herët nga Gjykata. Sipas burimeve, Kajmaku ishte paraqitur në spital pas problemeve shëndetësore si pasojë e diabetit, ndërsa arrestimi i tij është bërë në dhomën e spitalit ku vazhdon ende të marrë mjekim. Ai ishte në shoqërinë e avokatit të tij në momentin e mbërritjes së efektivëve të Policisë, të cilët u lajmëruan nga mjekët.


Prokuroria e Tiranës njoftoi më herët se më 16 janar kishte marrë të pandehur ish-kryebashkiakun e Bashkisë së Vorës, i shkarkuar për shkak të ligjit të dekriminalizimit, për akuzën Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve, Falsifikim i dokumenteve dhe Kryerja e funksionit pas dhënies fund të detyrës.


Tri akuzat e ngritura ndaj Agim Kajmakut


Agim Kajmaku ishte shpallur në kërkim nga Policia prej datës 11 nëntor 2019, disa ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi përfundimin e mandatit të tij për shkak të mosdeklarimit të një procedimi penal në Greqi për falsifikim kartëmonedhash. Menjëherë pas vendimit për përfundim të mandatit, ndaj Kajmakut filluan hetimet për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.


Gjykata e Tiranës vendosi ndaj tij masën e Arrestit me burg, por kjo masë nuk u ekzekutua nga Policia deri në momentin kur Kajmaku shkoi në gjendje të rëndë në spitalin privat tri ditë më parë. Po ashtu, Kajmaku akuzohet se është futur në zyrë pas përfundimit të mandatit dhe në bashkëpunim me disa prej nëpunësve të bashkisë, ka bërë tri vendime duke shkarkuar dy nënkryetarë dhe emëruar një të tretë.


Sipas Prokurorisë, kjo është bërë duke shtuar numra protokolli me fraksion. Në dëshminë e protokollistes, e cila sipas akuzës pranon se i ka marrë vendimet më 1 nëntor 2019, rreth orës 12:00 nga asistentja e Kajmakut, rreth 1 orë pas vendimit të KQZ për përfundimin e mandatit të Kajmakut.


PANORAMA