Aktivitet ndërkombëtar "Shkodra Jazz Festival", që zhvillohet për të pestin vit me radhë në qytetin verior, këtë vit është vendosur më pranë qytetarëve, në rrugën e re këmbësore "Kol Idromeno" në qendrën muzeale të këtij qyteti. Sipas organizatorëve kjo bëhet në respekt të vlerave të artistit shkodran me famë botërore, Rrok Jakaj, që u nda nga jeta aksidentalisht në Itali në kulmin e karrierës. Miqtë dhe kolegët e artit krijuan pesë vjet më parë shoqatën kulturore me emrin e tij, shoqatë nën kujdesin e së cilës organizohet dhe festivali i xhazit.

Aktiviteti muzikor do të përmbyllet në 30 maj në qytetin e Shkodrës. Me një skenë të thjeshtë të improvizuar në qendër të rrugës Kol Idromeno individë dhe grupe të njohur shqiptare dhe të huaja interpretojnë çdo natë muzikën e xhaz për publikun. Ndërkohë që falë kombinimit me bizneset e rrugës "Kol Idromeno", aktiviteti ka marrë pamje familjare, pasi lokalet kanë shtrirë tavolinat në gjithë hapësirën e rrugës. Shoqata Rrok Jakaj ka si objektiv ringjalljen e ndjenjës së lirisë kulturore në një qytetet me tradita të lashta muzikore dhe artistike, ti kthejë Shkodrës kolonën zanore dhe të bëjë këtë të fundit ambasadoren e imazhit të këtij qyteti me shpirt krijues. Festivali i kushtohet violinistin të shquar Rrok Jakaj, i ndarë para kohe nga jeta, i cili ishte dhe iniciatori. Artistët si: Alberto Mandarini Quartet, Alberto Mandarini (tromb), Daniele Tiono (piano), Riccardo Barbera (kontrabas), Gigi Biolcati (bateri), Robert Bisha (pianist), The Dream trio, Sokol Prekalori (violinë), Nico di Batista (kitarë elektrike dhe akustike), Luca Fuiano (bateri), Diego Borotti (saksofonist) etj, janë duartrokitur nga artdashësit shkodran, adhurues të kësaj rryme muzikore. E reja tjetër e këtij edicioni muzikor është se "Shkodra Jazz Festival" është shtrirë dhe në shkollën e mesme artistike "Prenk Jakova", pasi çdo ditë ka orë mësimi të veçanta për muzikën xhaz, gjë e cila është mirëpritur shumë mirë nga nxënësit. Në festivalin "Shkodra Jazz Festival" në mbrëmjen e 30 majit në skenën e Teatrit "Migjeni" në prani të shumë personaliteteve vendore dhe të ardhurve nga Tirana, do të interpretohen pjesët më të mira të festivalit.