Dita e monumenteve





Në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve sillet në vëmendjen e lexuesit një nga kontribuuesit unikë të monumenteve të kulturës - profesor Emin Riza, që një ditë më parë ka lënë tryezën e institutit ku punonte prej më shumë se 30 vitesh, për t’u ngjitur në nivelin e akademisë shqiptare











Fakti domethënës që Shqipëria ka të përfshirë në UNESCO tre qendra kombëtare, si Butrinti, Gjirokastra dhe Berati, është tregues i vlerave materiale që gjallojnë në trevat shqiptare, si dhe shenjë e kontributit të një plejade shkencëtarësh, specialistësh dhe restauratorësh, që vunë jetën e tyre në shërbim të monumenteve të kulturës, pasqyrës dhe dëshmisë së qytetërimit evropian dhe shqiptar, ku Prof. Emin Riza është hartuesi i dosjeve të Gjirokastrës dhe Beratit. Kjo punë, shkencore dhe kërkimore, në të gjitha aspektet e zbulimit, mbrojtjes, restaurimit dhe rijetësimit të vlerave shpirtërore materiale, bëri të mundur që Shqipëria të njihet jo si një vend i zhvilluar në fushën e kulturës materiale, por njëherëshi edhe si një vend ku studiuesit, restauratorët, punonjësit shkencorë arritën të ruajnë dhe studiojnë vlerat monumentale të krijuara, që nga antikiteti i hershëm deri në ditët e sotme.


Nuk është rastësi që puna e tyre kërkimore dhe shkencore filloi të dëshmohet dhe promovohet në botimin që vazhdon e sot e kësaj dite, revista “Monumentet”, që me numrin e ri, që i kushtohet Prof. Emin Rizës, shkon në 49 numri i kësaj reviste, ku gjejmë përvojën e vyer të gjithë plejadës së shkencëtarëve dhe restaturatorëve të Monumenteve të Kulturës, botim shkencor i këtij instituti.


Prof. Emini përveç pjesëmarrjes me artikuj dhe shkrime në këtë revistë, si pjesë e çmuar e kërkimit shkencor, vjen edhe me botime të tjera shkencore si: Gjirokastra - Qytet muze (Katalog), Restaurimi i banesave popullore; Ndërtimet fshatare në Labëri; Historia e arkitekturës Shqiptare; Berati, historia dhe arkitektura; Arkitektura tradicionale e Ballkanit; Qyteti dhe banesa shqiptare e mesjetës së vonë; Mbrojtja dhe restaurimi i monumenteve në Shqipëri; Teoria dhe praktika e restaurimit të monumenteve të kulturës etj., tekste që sot janë në dorë të studiuesve, restauratorëve dhe arkitektëve të rinj.


Është fat që dijet e këtyre kapaciteteve t’i kemi të dokumentuara në veprat e tyre, por edhe në arkivin tekniko-shkencore. Profesori bëri të mundur që një vit pas themelimit të IMK, të funksionojë arkivi teknik, si dhe metodologjia e ruajtjes së dokumentacionit. Bashkë, me themeluesit e këtij instituti, u rrit edhe arkivi teknik, ku sot kemi mbi 4.200 dosje monumentesh me dokumente grafike dhe mbi 400.000 foto të përmasave të ndryshme, pa përmendur filmat, diapozitivat, bibliografitë etj. Qenë ata, që vendosën edhe për dokumentacionin që do të kishte një monument kulture nga gjurmimi, shpallja dhe restaurimi i herëpashershëm i tyre.


Dokumentacioni grafik dhe fotografik, sipas normave të përcaktuara nga prof. Emin Riza, u caktua si bazë dokumentimi për monumentet e kategorisë parë dhe me vonë të kategorisë dytë. Tipologjia e thjeshtë e ruajtjes së tyre ka bërë të mundur shërbimin e shpejtë të çdo dokumenti për studiuesit, restauratorët dhe të interesuarve, në fushën e studimit dhe restaurimit të monumenteve të kulturës. Rregullorja e parë e arkivit i takon këtyre viteve, po ashtu edhe udhëzimi metodik në ndihmë të punonjësve për krijimin e dokumentacionit. Nëpërmjet tyre u arrit që vlerat e krijuara, kërkimore dhe shkencore, restauruese dhe studimore, të ruhen dhe transmetohen tek brezat pasardhës, si shina të vendosur tashmë në këtë fushë.


Dixhitalizimi i këtij dokumentacioni mbetet sfidë e një të ardhmeje të afërt, sfidë që do të bëjë të mundur “shpëtimin” e dëshmive dhe të vlerave të kujtesës materiale. Thellimi shkencor i Profesorit, sidomos në fushën e banesave tradicionale popullore, banesave qytetare dhe fshatare, e bën atë që të mbetet një udhërrëfyes në këtë drejtim për ruajtjen e këtyre vlerave të pallogaritshme të trashëgimisë kulturore. Projektet model për restaurimet në qytetin e Gjirokastrës, Beratit, Krujës, Korçës, Shkodrës etj., janë të pafundme nga ky autor. Mbështetja që kanë gjetur tek profesori punonjësit e rinj e të vjetër është e paçmuar. Eksperienca e tij na nevojitet për këtë institucion të specializuar që krijon rrallë personalitete të tilla. Ishte shumë pak çka ai ka bërë në të vërtetë, por këto mendime na u zgjuan natyrshëm në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve të Kulturës, edhe si një shans për t’i uruar profesor Emin Rizës suksese të mëtejshme në punë e tij të re në Akademinë e Shkencave të Shqipëri.