Ramadan Selimi është rizgjedhur kryetar i Federatës së Boksit të Kosovës (FBOXK), pasi fitoi pjesën dërrmuese të votave të delegatëve, në Kuvendin Zgjedhor të kësaj federate, i cili u mbajt të shtunën në Shtëpinë e Sporteve në Prishtinë.

Edhe pse pritej që në këtë Kuvend të sprovoheshin tre kandidatë, kjo nuk ndodhi: Aziz Salihu nuk ia kishte dalë ta siguronte bazën deleguese nga asnjë klub, kështu që mbeti jashtë. Ndërsa i deleguari nga klubi i Fushë Kosovës, Ramadan Jashanica, u tërhoq në momentet e fundit, me arsyen se nuk ka kohë të lirë dhe nuk ndihet i gatshëm për ta udhëhequr një federatë, si ajo e boksit.

Për të mos e lënë Selimin të vetëm, delegatët e pranishëm, 37 nga 39 të mundshëm, e panë të udhës që ta propozonin një tjetër kundërkandidat: Bajram Bashën.

Dhe, ky i fundit nuk doli të jetë kundërshtar i denjë për Ramadan Selimin, i cili fitoi 29 vota, karshi 5 të Bashës, derisa një votë u shpall e pavlefshme. “Ju falënderoj për besimin që ma dhatë”, iu tha Ramadan Selimi delegatëve, pasi e fitoi mandatin e tretë si kryetar i FBOXK-së.

“Do të mundohemi që bashkërisht ta ngrisim boksin kosovar. Do të jem i paanshëm dhe do të mundohem t’i bëj bashkë klubet kosovare, ngase i urrej përçarjet. Me këtë besim, ju më shtyni të punoj edhe më shumë në të ardhmen. Gjithashtu, do të mundohem që boksin kosovar ta inkuadroj në Federatën Botërore dhe atë Evropiane”, u shpreh kryetari Selimi.

Në Kuvend u aprovuan edhe pikat e parapara: Raporti i punës së FBOXK-së për vitin 2009, raporti financiar i FBOXK-së për vitin 2009 dhe programi i punës për vitin 2010.

Përpos kryetarit, në Kuvend u zgjodhën edhe dy nënkryetarët e FBOXK-së. Delegatët këto poste iu besuan Zahir Shabanit dhe Besim Vokshit. Ndërkaq, anëtarë të Bordit u zgjodhën: Sylë Morina, Sylejman Voca, Gani Halilaj, Nazif Gashi dhe Xhevdet Peci.

Aziz Salihu mbetet jashtë

Aziz Salihu ka mbetur jashtë Kuvendit Zgjedhor. Legjenda e boksit kosovar, nuk ka arritur ta sigurojë bazën deleguese për të konkurruar për kryetar të FBOXK-së, edhe pse i ishte premtuar një gjë e tillë. Ai pritej ta siguronte bazën deleguese nga klubi i Lipjanit, por nuk e arriti një gjë të tillë. Salihu ndihet i tradhtuar nga udhëheqësit e boksit kosovar.

“Ndihem i tradhtuar nga kryetari Ramadan Selimi, i cili më kishte premtuar se do të ma siguronte bazën deleguese nga Lipjani. Nuk e kam pritur një tradhti të tillë. Unë e kam merituar të isha pjesë e Kuvendit, sepse jam sportist i merituar. Si duket, ata ia kishin frikën Aziz Salihut, pasi kanë menduar se do të humbnin”.

Salihu nuk ndalet me kaq. “Unë nuk do të dorëzohem. Do të kërkoj drejtësi, do ta ndjek procedurën deri në fund. Ky kuvend është jolegjitim. Shumë shpejt unë do t’i zbuloj të gjitha të fshehtat e Federatës”, ka thënë Salihu, i mllefosur.

Në anën tjetër, kryetari i FBOXK-së, Ramadan Selimi, theksoi se Salihu nuk ka arritur ta sigurojë bazën deleguese, kështu që nuk ka mundur të jetë pjesë e Kuvendit.

“Unë, dje (të premten) kisha një bisedë me Aziz Salihun dhe i sqaruam të gjitha problemet. Unë e sugjerova që ta sigurojë bazën deleguese për të kandiduar. Unë ia sqarova atij se në emër të klubit të Prishtinës nuk mund të kandidonte, sepse kjo do të ishte shkelje e statutit. Por, sot e mora vesh që as klubi i Lipjanit nuk ia ka dhënë pëlqimin për të kandiduar, e as klubet e tjera nuk e kanë dashtë. Unë nuk kam pasur ndikim”, pohoi Selimi, i cili do të jetë në krye të FBOXK-së edhe për katër vjet.