Një autobus i firmës "Krupp" po çante pluhurin në një rrugë të pashtruar. Brenda tij 44 udhëtarë, të gjithë për herë të parë të hipur në një autobus. Reagimet e tyre ishin shumë të çuditshme. Shumë prej tyre ishin të habitur me atë që po e përjetonin. Kështu disi mund të jetë dukur udhëtimi i parë me një autobus në qytetin e Gjakovës. Ngjarja ka ndodhur diku në fillim të viteve të 30-ta, kohë kur në këtë qytet erdhi autobusi i parë.

Një version të tillë e tregonte edhe Emin Rizvanolli, pasardhës i familjes që e solli autobusin në Gjakovë. Emini, sot rreth të 70-ve, nuk ka qenë dëshmitar i këtij zhvillimi, por ai e tregon këtë histori i bazuar në rrëfimet e më të vjetërve. "Ka qenë autobusi i parë që ka hyrë në Gjakovë në atë kohë", konfirmon me bindje të plotë ai, për të vazhduar me tej me historinë prej ditëve të para të këtij autobusi, e deri tek themelimi i kompanisë së parë transportuese në Gjakovë, kompanisë së vëllezërve Rizvanolli.

Adem Rizvanolli, shoferi i parë në Gjakovë

"Gjithçka ka filluar me Adem Rizvanollin, në vitin 1925", fillon rrëfimi i Eminit. "Në vitin 1925 Ademi ishte nisur për në Tiranë, me qëllim për të mësuar zejen e automekanikut. Atje ka takuar një mjeshtër çek, i cili quhej Ciril Kotreq. Nga ai ka mësuar për automekanikë dhe vozitje të makinës. Aty Ademi takohet edhe me një automekanik dhe vozitës të oborrit mbretëror te Mbretit Zog, një hungarez i quajtur Ignjac Llopar, prej të cilit ka mësuar po ashtu shumë gjëra rreth motorit dhe ngasjes së makinës", vazhdon Emini me historinë e paraardhësit të tij.

Tre vjet më vonë, Ademi kthehet në Gjakovë si i diplomuar, por edhe me të drejtë të ngasë automjetin dhe kamionin. Në ndërkohë, ai shkon ushtar dhe atje caktohet si shofer. Kjo i mundëson që të aftësohet edhe më shumë si shofer dhe t'i sigurojë të gjitha kategoritë për drejtimin e automjeteve të ndryshme.

Ndërsa, Ademi profesionalizohet si shofer, vëllezërit më të mëdhenj të tij investojnë në blerjen e një autoveture. "Ademi e shfrytëzon atë për të punuar si taksi në relacionet në qytetet fqinjë si Pejë e Prizren", kujton Emin Rizvanolli. "Te familja jonë në ndërkohë edhe dy vëllezër të tjerë të Ademit, Qazimi dhe Nazimi, e japin provimin për patentë shofer. Kështu bëhen tre shoferë dhe fillojnë ta ndihmojnë vëllanë si mekanik dhe për ngasje të veturave. Përmes punës edhe kapitali shtohet dhe ata blejnë vetura të tjera", shton më pas ai.

Rizvanollët fillojë ta shtojnë numrin e veturave, ndërkohë që blejnë edhe kamion për transportimin e mallrave, por nevoja për transport po rritet çdo ditë e më tepër dhe ata detyrohen të mendojnë zgjidhje të tjera. "Para se të blinin autobusin e parë, vëllezërit Rizvanolli janë detyruar që njërin prej kamionëve të tyre ta improvizojnë si autobus, sepse interesimi i qytetarëve për të udhëtuar ishte tejet i madh", tregon Emin Rizvanolli.

Kamioni, i shndërruar në autobus, që punonte me dru

Nga pasioni që ka për automobilizmin dhe traditën e familjes së tij në këtë profesion, Emini edhe sot e di me çdo detal se si ka funksionuar kamioni i improvizuar në autobus. "Kamionit i është hequr sënduku i mallrave dhe është montuar në formë kontejneri prej dërrasave të gështenjës, me ulëse të drurit. Kështu që e tërë ajo infrastrukturë prej druri i ka mbajtur 70 udhëtarë. Ky autobus ka punuar me dru. Ka qenë një gjenerator i posaçëm, është konstruktuar një kazan i dyfishtë për ndezje të drurit që është dashur të jetë vetëm 10 centimetra i gjatë dhe i hollë sa një laps. Dikujt prej familjes i është dashur të bëjë dru të tilla gjithë ditën. Ka pasur një enë të dyfishtë, e cila ka shërbyer për ndezjen e drunjve, pastaj energjia që është liruar, gjegjësisht monoksidi i karbonit - tymi, ka kaluar nëpër gypa dhe ka shkuar në ftohës prej aty ne filtër ku është ndalur pluhuri dhe ka depërtuar vetëm gazi dhe prej aty përmes një ventilatori ka shkuar deri te motori. Te motori me një hinkë, e cila ka qenë në vend te karburatorit të sotëm, në kontakt me oksigjenin është bërë edhe ndezja, e cila e ka venë në funksion motorin", tregon Rizvanolli, sipas të cilit atëherë kur ka pasur nevojë, ky "autobus" ka tërhequr edhe një rimorkio me 30 ulëse dhe së bashku kanë bartur 100 udhëtarë.

Brenda pak kohësh, duke parë nevojat e qytetarëve për të udhëtuar, kjo familje vendos të blejë autobus të vërtetë. Po ashtu rrit edhe numrin e itinerareve dhe vijat qarkulluese. "Pasi u blenë autobusët, ka qenë një kohë kur kompania e vëllezërve Rizvanolli ka pasur 360 ulëse kapacitet për bartje të udhëtarëve, duke përfshirë këtu pesë autobusë, autovetura dhe kamion me rimorkio", tregon Emin Rizvanolli.

Por e gjithë kjo histori e kësaj ndërmarrjeje në rritje, nuk ka zgjatur më shumë se 15 vjet. "Afarizmi i kompanisë zgjati deri në vitin 1945, në kohën kur u bë shtetëzimi i çdo prone private. E, tërë makinerinë e kompanisë e kapi shtetit. Automjetet, pronë e familjes Rizvanolli, u dërguan në Prizren dhe bashkë me disa automjete të kompanive prizrenase formojnë shoqatën e transporteve "Kosmet". Nga ana tjetër, punishtja e familjes Rizvanolli, në të cilën vëllezërit Rizvanolli kanë punuar si automekanikë, më vonë ka shërbyer si nisje e ndërmarrjes transportuese shtetërore "Pashtriku" të Gjakovës", tregon Emini.