Muzikantët holandezë dhe ata kosovarë nga Rock Shkolla e Mitrovicës do të performojnë muzikë rock në Shkup.


Nga Alfred Beka më 19 gusht 2011 në ora 11:50

Edicioni i katërt vjetor i Shkollës Verore të Rock Shkollës së Mitrovicës konsiderohet të jetë më ambiciozi deri më tani.



Më 21 gusht, 24 nxënës të Rock Shkollës së Mitrovicës do të arrijnë në Shkup, për të mësuar së bashku me shtatë rock muzikantë holandezë nga akademia Fontys Rock. Gjatë një jave, të rinjtë nga Mitrovica do të krijojnë katër grupe me përbërje të përzier etnike, do të zgjedhin këngë dhe emra për grupet dhe së bashku do të përgatisin një shou të madh. Më 26 gusht, e premte, të gjithë pjesëmarrësit do të marrin pjesë në koncertin e madh në natyrë, në skenën Guaca në Parkun e Qytetit të Shkupit.



Duke e ditur se para luftës Mitrovica ishte qendër për rock muzikë në rajon, organizatorët e këtij aktiviteti kanë për qëllim që përmes Rock Shkollës së Mitrovicës t’ia kthejnë reputacionin që e ka pasur dikur ky qytet.



Përmes një komunikate për media, organizatorët bëjnë të ditur se për shkak se qyteti i Mitrovicës është i ndarë në dy pjesë, edhe Rock Shkolla ka dy degë, nga një në të dy anët e qytetit. Çdo vit, me qëllim që të depërtojë nëpër këtë ndarje, Rock Shkolla fton 24 nga nxënësit e vet dhe të gjithë profesorët në rock and roll shkollën verore në Shkup.

“Gjatë javës, pjesëmarrësit do të trajnohen nga 12 profesorë dhe koordinatorë të Rock Shkollës së Mitrovicës dhe shtatë trajnerë nga Akademia Fontys Rock nga Holanda. Do të pasojë një program intensiv, i cili përfshin ushtrime dhe prova pesëditore, duke përfshirë ligjërime individuale dhe grupore nga të gjitha aspektet e teorisë së muzikës, marketingut, projektimit dhe produksionit”, thuhet në komunikatë.



Ky projekt është iniciativë e përbashkët e Muzikantëve pa Kufij, Community Building Mitrovica, IKV Pax Christi dhe akademia Fontys Rock. Shkollën Verore të Shkupit e drejton Civil – Qendra për Liri, organizatë joqeveritare udhëheqëse në fushën e të drejtave të njeriut, paqes dhe kontrollit të armëve në Republikën e Maqedonisë.



Shkolla Verore e Shkupit 2011 është e përkrahur financiarisht nga ambasadat e Finlandës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Norvegjisë dhe Francës në Prishtinë. Rock Shkolla e Mitrovicës është projekt financiarisht i përkrahur nga Social Transformation Program (Matra) të Ministrisë së Jashtme të Holandës.



Me këtë edicion të katërt, tejkalohet numri prej 100 muzikantëve të rinj nga Mitrovica, të cilët do të luajnë dhe ekzekutojnë së bashku në Shkup, para 1.500 të rinjve nga Maqedonia, si dhe miqve dhe prindërve të tyre nga Mitrovica. Rock Shkolla nga viti në vit e rrit diapazonin e vet, duke e përhapur mesazhin e paqes në rajon.



Rock Shkolla e Mitrovicës, deri në verën e vitit 2012, ka për qëllim të bëhet e pavarur, një institut ndëretnik dhe rajonal i rock muzikës.