Përfaqësuesja shqiptare e 19-vjeçarëve humbi finalen e turneut Roma Caput Mundi përballë Rumanisë, pas ekzekutimit të penalltive.


Me kohën e rregullt të lojës që përfundoi në barazim pa gola, për të përcaktuar fituesin ishte e nevojshme ruleta e penalltive, e cila penalizoi kuqezinjtë e Erjon Bogdanit, me kundërshtarët rumunë që triumfuan 4-3.


11-metërshat të cilët i kushtuan Komëtares së të rinjve trofeun ishin e vetmja note negative e këtij edicioni, ku skuadra e drejtuar nga ish-bomberi kuqezi ishte thuajse perfekte. Pas fitoreve 5-1 me Maltën, 2-0 përballë Greqisë dhe 2-1 ndaj përfaqësueses së krahinës së Lazios, 19-vjeçarët shqiptarë ishin sërish të pamposhtur në lojë edhe në finale, deri në ekzekutimin nga pika e bardhë.


Pavarësisht faktit që nuk arriti të merrte sërish trofeun në Roma Caput Mundi, për të përsëritur suksesin e edicionit të kaluar ndaj Rumanisë, kuqezinjtë e vegjël u vlerësuan për paraqitjen e tyre në fushë, duke treguar cilësi e dhanë besim se ata do të jenë e ardhmja e Shqipërisë.


23 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)