Pas më tepër se një muaji, nga humbjet në miqësoret me Kosovën dhe Ukrainën, ku duket se ka marrë pushimet për të reflektuar rreth asaj që do të jetë Shqipëria e së ardhmes, Christian Panucci rishfaqet sërish.


Këtë herë trajneri ka folur për të kaluarën, duke thënë se ka bërë gabimin më të madh në karrierë në momentin kur vendosi të largohej nga Reali i Madridit për tu kthyer në Serinë A te Interi.


Panucci u përqendrua edhe te transferimi i Cristiano Ronaldos te Juventusi, ku shprehu besim se ylli portugez do të shkëlqejë edhe në Itali, sepse ai e ka Championsin në gjak.


Sipas drejtuesit të stolit kuqezi, blerja e 33-vjeçarit ishte një zgjedhje e zgjuar jo vetëm për kampionët e Italisë, por që do ti shërbejë imazhit të Serisë A, pasi të tjerë kampionë do të ndikohen për të luajtur në elitën e futbollit italian.


Panucci e komentoi si mëse normal entuziazmin e tifozëve dhe mediave në momentin e prezantimit të Cristiano Ronaldos, sepse më i miri në botë ka vajtur të luajë në Serinë A.


Sipas trajnerit, me largimin e trajnerit Zidan dhe të pesë herë fituesit të Topit të Artë, sezoni i ri mund të jetë mjaft i vështirë për Realin e Madridit, sepse klubi spanjoll nuk do ta ketë të lehtë ti zëvendësojë pasi fitoi Champions-in tre herë radhazi.


17 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)