Nico Rosberg me Mercedes fitoi garën për cmimin e madh të Montekarlos duke lënë pas dy makinat Red Bull të Sebastian Vettel dhe Mark Webber.



Rosberg dhe Hamilton, dy pilotët e Mercedes u nisën nga vija e parë, megjithatë vetëm Rosberg mundi të ruajë pozicionin fillestar, kjo ndoshta edhe falë vështirësive për të parakaluar në këtë pistë. Ndërkohë, Hamilton humbi terren dhe u rendit vetëm i katërti, duke lënë pas Adrian Sutil, që u bë protagonist në disa momente të garës me parakalimet e tij spektakolare, njëri prej të cilëve në dëm të pilotit të Ferrarit, Fernando Alonso. Ky i fundit e mbylli garën në vendin e shtatë, pas Jenson Button, ndërsa piloti tjetër i “Kokëkuqes”, Felipe Massa, i nisur nga vendi i fundit, pësoi sërish aksident, dhe si për ironi të fatit, në të njëjtën kthesë me aksidentin e regjistruar një ditë më parë gjatë provave të lira. Ky është cmimi i dytë i madh i fituar nga Nico Rosberg në karrierën e tij, cmim që vjen më domethënës së kurrë për të. 30 vite më parë, pikërisht në pistën e Monakos, edhe babai i tij, Eric “Keke” Rosberg do të triumfonte. Pas kësaj gare, Vettel thellon diferencën nga ndjekësit e tij në klasifikimin për pilotë. Gjermani i Red Bull shkon në 107 pikë, duke lënë pas Raikonen me Lotus me 86 dhe Alonson me Ferrari me 78 pikë. Formula 1 rikthehet në Top Channel më 8-9 qershor me provat dhe garën për cmimin e madh të Kanadasë. / Top Channel