Aktorja e njohur Roza Anagnosti duket tronditëse në rolin e saj tek Medea. Vepra nën regjinë e Dhimitri Milonais kthen në skenë aktorë si , Ahmet Pasha, Viktor Zhusti, Alfred Trebicka, Adriana Tolka, Kristian Koroveshi, etj. Kjo vepër e rikthen Anagnostin në teatër pas një kohe të gjatë.Tragjedia e lashtë greke Medea bazohet në mitin e Jasonit dhe Medeas dhe u ngjit në skenë për herë të parë në vitin 431 para Krishtit.


Subjekti përqendrohet mbi veprimet e Medeas, dikur princeshë e mbretërisë barbare të Kolkias dhe bashkëshorte e Jasonit. Një rrënqethje ku vuajtja dhe ndjeshmëria e dashurisë së vrarë vizatohen fuqishëm, deri sa kulmojnë me veprën e tmerrshme të hakmarrjes. Një shfaqje ku interpretimi harmonizohet me tingujt drithërues të muzikës dhe koreografisë. Kjo tragjedi është një tablo mjeshtërore e pasionit me nënshtresat dhe zgavrat e tij sekrete.


Vuajtja dhe ndjeshmëria e dashurisë së vrarë vizatohen fuqishëm, deri sa kulmojnë me veprën e tmerrshme të hakmarrjes. Fuqishëm është ravijëzuar gruaja me joshje të jashtëzakonshme, e cila është njëkohësisht e dobët. Notat e butësisë mëmësore janë patetike në shkallën më të lartë. Lufta e emocioneve, gjeneruar nga pasioni, rrëfehet në mënyrë të admirueshme; dhe mes gjithë stresit nga konflikti i tyre, dhe mes gjithçkaje të sofistikuar dhe iluzive, që gërryen shpirtin, urrejtja dhe hakmarrja fitojnë betejën. Medea është kriminele, por jo pa shkak dhe jo pa forcë e dinjitet.


Në dallim nga Eskili epik dhe Sofokliu i përqënduar te ndërveprimi i karaktereve, Euripidi i hapi artit dyert e një bote të re dhe na jep një pamje më të afërt të ndjenjës pasionante, edhe në format e saj më të pastra, edhe në çmenduritë më të egra, të cilat kontrollojnë, pështjellojnë apo shkatërrojnë njerëzit.


Vepra është shkruar nga Euripidi i njohur si shkrimtar dhe novator i ideve në tragjedinë antike greke, apo më mirë i njohur si babai i tragjedisë: Euripidi lindi në Athinë në vitin 480 p.e.s dhe vdiq më 406 në Pele të Maqedonisë, ku edhe u varros. Kronologjikisht Euripidi është i treti ndër tragjediografët grek Eskilit dhe Sofokliut.


9 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)