Tri ditë pas rrahjes barbare, gjyqtari Armando Kamberaj, i cili ishte "viktima" e ndeshjes Shkodra-Partizani B, tregon për “GSH” çfarë ndodhi, goditjen e papritur nga një lojtar shkodran dhe në fund falënderon policinë që ndërhyri. "Kur kam parë pamjet në 'News 24', edhe pse isha unë protagonisti kryesor i atij histerizmi, thashë me vete: Shyqyr që jam gjallë, mund ta kisha pësuar më keq. Falënderimi special shkon për policinë, që ndërhyri në momentin e duhur, pasi nëse do të kishin vijuar edhe për pak sekonda, nuk e di nëse do t'i kisha duruar gjithë ato grushte dhe shkelma nga futbollistët shkodranë", - rrëfehet arbitri nga Patosi, Armando Kamberaj, i cili, të premten e kaluar, teksa gjykonte një ndeshje të Kategorisë së Tretë, u godit masivisht nga lojtarët e Shkodrës.
DHUNA
Nuk është hera e parë që në futbollin shqiptar ndodhin raste të tilla dhune, por pavarësisht dënimeve, madje përjashtimeve përjetë nga futbolli, ngjarjet përsëriten, madje në forma edhe më të rënda, siç ishte rasti i Kamberajt. "Ajo që më habit më shumë është indiferenca e atyre që më goditën. Minimalisht, ata duhej të kërkonin ndjesë, por në adresë time nuk ka ardhur asgjë. Ose të paktën të dilnin publikisht në ndonjë medie dhe të kërkonin falje. Kjo tregon edhe amatorizmin e tyre, ndërsa flasin kot që janë profesionistë", - shton në fjalët e tij Kamberaj. Dhe si për të vërtetuar ato që thotë gjyqtari nga Patosi, Sejdi Guri, futbollisti i Shkodrës, që goditi i pari barbarisht gjyqtarin kryesor të ndeshjes, ka deklaruar se nuk i ka bërë përshtypje dënimi dhe do të vijojë të luajë futboll për qejf.
APELI
Kamberaj lëshon një apel për të gjithë familjen e futbollit, duke deklaruar që nga ngjarje të tilla të nxirren mësime. "Falënderoj 'News 24' që u tregua korrekt në pasqyrimin e ngjarjes, pasi nëse nuk do të kishte pasur pamje filmike, me siguri që do të ishte trajtuar vetëm në gazetë dhe të nesërmen do të harrohej. Ndërsa falë këtyre pamjeve, dhunuesit u dënuan sipas disiplinës sportive. Apeli është për të gjithë futbollistët dhe drejtues të futbollit, që këtë lojë magjike ta marrin si sport dhe jo si luftë. Ne njerëz jemi, mund të gabojmë, por dhuna kurrsesi nuk mund të justifikohet. Imagjinoni kur ato pamje i sheh nëna ime apo pjesëtarë të familjes, një tjetër tragjedi shkaktohet", - përfundon gjyqtari nga Patosi, Armando Kamberaj, i cili akoma ka shenjat e dhunës në fytyrë dhe në trup, por fatmirësisht, kaloi pa pasoja për shëndetin. 
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)