Entela Resuli DITA


Ilir Kanini, zotëria me flokë të thinjura, që vitet e fëmijërisë i kaloi në ish-Bllok, fundjavën që lamë pas doli në pension. Në ambientet e Ministrisë së Arsimit, ku prej 33 vitesh ishte shtëpia e tij e dytë iu organizua një festë surprizë nga ministrja Lindita Nikolla me prezencën e kryeministrit Edi Rama. U përlot. 40 vite punë dhe përkushtim nuk janë pak për një njeri.


E takojmë pranë Shallvareve në kryeqytet, zonë në të cilën edhe banon. 65-vjeçari, ka lindur në Tiranë, por rrënjët i ka nga Përmeti.


Për shkak se babai i tij ka punuar si kuzhinier në ish-Bllok, banesa e tij ka qenë shumë pranë asaj të Enver Hoxhës, Hysni Kapos, Manush Myftiut


Dhe pyetja për kujtimet e fëmijërisë na fut dashje pa dashje në Bllokun e viteve 50.


Ka qenë ndryshe. Shokët me të cilët jam shoqëruar kanë qenë çuna të mirë. Zamir Myftiu, djali i Manush Myftiut ka  qenë një ndër shokët e mi më të ngushtë. Luaja shpesh te shtëpia e tij sepse na ndante një mur. Madje, më kujtohet që, çantën e parë kur kam shkuar në shkollë ma ka dhënë e ëma e tij. Në fillim më futën edhe mua në një klasë me ta, për shkak se banoja në Bllok. Ishte klasa që njihej ndryshe si klasa e byrosë politike, pasi aty ishin djemtë e udhëheqjes. Kam pasur edhe djalin e Enver Hoxhës, Sokolin. Po atë ditë, më larguan, se unë djalë populli isha Më pas ka filluar të qajë Zamiri, se ne ishim shokë. Aty më thonë se ka ndërhyrë vetë ministri i asaj kohe (Manush Myftiu) duke thënë se, ata që kur kanë lindur kanë qenë bashkë, kështu që nuk kemi pse ti ndajmë. E kështu, unë deri në klasë të katërt kam qenë të Shkolla 11 Janari me çunat e Bllokut.


Deri në moshën dhjetë vjeç komshi me Enver Hoxhën, e keni takuar ndonjëherë, e pyesim duke e futur në kujtime.


Dy herë. Njëherë kur na çuan si kopsht në shtëpinë e tij, pasi kishte ditëlindjen dhe unë isha në kopshtin e fëmijëve të udhëheqjes. Mbaj mend që, na priti në një dhomë të madhe, ku kam parë në një tavolinë të pjerrët shumë telefona, më janë fiksuar sepse unë nuk kisha parë ndonjëherë telefona. Po nuk më kujtohet çfarë është thënë se isha i vogël.


Herën e dytë ka qenë kur ka pasur ditëlindjen djali i madh, Iliri, Lilo i thoshim ne atëherë. Pas Bllokut, afër shtëpisë së Haxhi Lleshit ka qenë një fushë sportive, aty kemi bërë një ndeshje klasash, Iliri ka ndenjur si arbitër. Aty ishte edhe Enveri. Kemi bërë edhe foto të cilat janë botuar diku, por më vonë nuk  i kam gjetur më. Ata kanë qenë çuna shumë të mirë, të edukuar, si Zamiri (Myftiu) edhe Koli (djali i Enver Hoxhës). Kanë qenë edhe nxënës të mirë. Pas klasës së pestë u ndamë. Unë shkova në një shkollë tjetër. Kemi patur kontakte, por më rrallë. Unë isha djalë populli, atë djem Blloku, por të them të drejtën dhe ata kishin qejf të rrinin me ne. Luanim bashkë.


Një jetë tjetër


Kanini edhe pse kishte të dëshirë të bëhej mjek, kjo ëndërr nuk iu plotësua. Ai studioi Histori-Gjeografi dhe u diplomua në vitin 1975 si Mësues i Historisë dhe Gjeografisë për shkollat e mesme.


Partia e emëroi si mësues në fshatin Troshan të Lezhës ku qëndroi për nëntë vite. Nuk ishte e thjeshtë për një djalë nga Tirana të zhvendosej duke punuar dhe jetuar në këtë qytet verior, por Iliri nuk i bënte bisht punës. Nga Lezha ka mësuar shumë. Breza të tërë ka nxjerrë nga bankat e shkollës, ka gëzuar ndër vite dashurin e banorëve, por mbi të gjitha, aty njohu dhe njeriun e jetës, bashkëshorten e tij të ardhshme, Marian. Sot, janë prindër të dy djemve të rritur.


Ilir Kanini


Ilir Kanini



Pas 9 vitesh pritje erdhi dhe transferimi për Ilirin por ndërkohë Lezha ishte vendi nga i cili u largua me dy dekorata lavdërimi për shkrimet dhe punën e bërë.


Në 83 u emërua redaktor dhe më pas kryeredaktor i gazetës e përjavshme Mësuesi (gazetë e Ministrisë së Arsimit), post të cilin e mbajti deri në vitin 2003.


Gazetën Mësuesi mund ta quajmë një ndër dashurit e tijë të mëdha. Flet me pasion për punën me të, në të cilën ka pasur jo pak vështirësi.  Pas viteve 90 asgjë nuk ishte si më parë.Gazeta Mësuesi përmbante shkrime për arsimin, shkollat, kushtet, mësuesinë. Sigurisht kishte kritika dhe akuza si p.sh, që shkruante në favor të qeverive, por në fakt synimi ynë ishte të shkruanim jo për çfarë nuk ishte bërë, por për atë që po bëhej, sepse aty po ndërtohej diçka; Po zhvilloheshin tekstet, shkollat, programet, dhe qëllimi jonë  ishte tju tregonim njerëzve se edhe këtu arsimi po merrte zhvillim- shprehet Kanini


Në këtë punë, e cila ka qenë pjesë e jetës së tij, me bindje tregon se ka dhënë shpirtin.


Në 2003 e lë gazetën dhe që prej asaj kohe Iliri ka vazhduar të punojë në Ministrinë e Arsimit si specialist i inspektimit dhe i monitorimit nëpër shkolla.


Nuk e ka patur të thjeshtë ti mbijetojë ndryshmeve politike, qeverive dhe ministrave (17 ministra gjatë viteve të punës). Madje shumë herë tregon se ka qenë në fije të perit, për tu hequr nga puna. Por as vetë nuk e shpjegon dot, se si arriti ta mbyllte me sukses karrierën e tij.


Nuk kam pasur frikë të them atë që mendoja edhe kur e dija që mund të më pushonin, përkundrazi ju kam shprehur eprorëve të mi të gjitha ato që mendoja se nuk shkonin siç duhej, dhe më vjen mirë që më kanë dëgjuar dhe nuk ka pasur qejfmbetje-tregon profesori.


Shikoni, administrata është një nga gjërat më të çmuara të një shteti. Njerëzit të cilët fillojnë të punojnë aty, marrin përvojë, eksperiencë, trajnohen. Shteti harxhon miliona për formimin e tyre dhe nuk mund ti heqësh sa hap mbyll sytë. Një person i cili ka 20 vite në një sektor, e bënë shumë herë më mirë punën se sa një i ri i cili duhet ta fillojë nga zero. Politika nuk duhet ti fusë hundët tek punonjësit e administratës. Ata janë pasuri. Largimi i tyre, shkatërron sistemin e punës dhe asgjë nuk ecën mirë- shprehet Kanini.


Ndoshta, sekreti i jetëgjatësisë sime në këtë punë ka të bëj më faktin që unë nuk jam përzier me asnjë parti. Edhe pse, këtu tek ne është një fenomen i çuditshëm. Kur kundërshton një nismë të një qeveria se ty nuk të duket mirë, të akuzojnë si i partisë kundërshtare. Kur vjen pala tjetër dhe ti thuaj në të njëjtën mënyrë mendimin tënd hapur, janë këta që të hedhin nga krahu tjetër. Edhe unë, gjatë këtyre


Iliri me bashkeshorten dhe djemte


Iliri me bashkeshorten dhe djemte



viteve, për nga bindjen jam bërë ping-pong. Por e kam patur të ngulitur në vetvete, se partia ime e vetme është puna.


17 ministra, 33 vite në Ministrinë e Arsimit, si i vlerësoni ministrat?


Unë profesionist vë në vend të parë Skënder Gjinushin, nuk i binte fjala në tokë. Ethem Ruka, po ashtu, elokuent. Një tjetër profesionist ka qenë edhe Luan Memushi. Linditën e vlerësoj për anën esaj njerëzore. I akullt ishte Ben Blushi. Për mua siç hyri, doli. Krijoi rrjetin e vet, bënte punë të mbyllur.


Pas viteve 90 arsimi ka ndryshuar rrënjësisht. 65-vjeçari ka udhëtuar në të gjithë Shqipërinë dhe e njeh gjendjen e shkollave. Thotë se kemi institucione të mira të dijes, por edhe vende ku gjërat nuk shkojnë mirë. Arsimi është shumë i vështirë. Unë mendoj se po ka një vend ku nuk duhet të fusë hundët politika është arsimi. Nëse specialistët do të zgjidhen politikisht, atëherë ne i kemi vënë flakën arsimit. Po që se do ndërrohen qeveritë dhe do bëjnë ndryshime për inat të njëri- tjetrit, ne nuk kemi për tu bërë ndonjëherë.


Është i lumtur që ka punuar me përkushtim, por e gjitha kjo nuk e ka lënë pa pasoja. Shumë herë jam stresuar, kam debatuar, jam zemëruar kokëfortësia dhe dëshira për ti bërë gjerat korrekt, sot me kanë lenë pasoja. Jam operuar katër herë nga zemra. Jam me diabet, me nerv shiatik por, së punuar nuk do të pushoi asnjëherë- tregon Kanini duke qeshur.


Kur e pyesim se çfarë do bëjë tani si pensionist, thotë se do të vazhdojë të punojë. Nuk kam asnjë para mënjanë. Nuk është e lehtë të arsimosh dy fëmijë.


Teksa përshëndetem me profesorin, pranë asaj që njihet si ura e Bllokut, shkëmbehem me një grup turistësh të huaj pensionistë, të cilët ecin qetësisht në trotuar. Mendja më shkon te profesor Iliri, i cili mund të ishte një prej tyre, por me rrogën e tij ka mbajtur vetëm familjen. A nuk duhen vlerësuar më shumë këta njerëz?!