Në Shqipëri zhvillohej fushata elektorale, një shqiptar vinte në Shqipëri për të tërhequr një nga dekoratat më të larta, siç është Urdhri i Skënderbeut. Në Shqipëri zhvillohej fushata elektorale, një shqiptar vinte në Shqipëri për të tërhequr një nga dekoratat më të larta, siç është Urdhri i Skënderbeut. Nuk bëhet fjalë për një person të zakonshëm, bëhet fjalë për ish-trajnerin e Kombëtares, Gianni De Biasi, i cili këtë të hënë ishte në Top Story.


Sokol Balla: Kam dashur gjithmonë që tua marr intervistën si trajner, tashmë po ua marr si ish-trajner. Megjithatë, besoj që të gjithë shqiptarët Gianni De Biasin do të respektojnë dhe nderojnë për një periudhë shumë të gjatë. Mister, shumë vetë mendonin se do të ishit trajner i Kombëtares përgjithmonë, por mesa duket çdo fillim e ka edhe një fund, apo jo?


Gianni De Biasi, ish-trajner i Kombëtares: Ka ardhur një moment ku unë besoja se kisha dhënë gjithçka dhe nuk kisha më se çfarë tu jepja lojtarëve. Çdo gjë e ka një fillim, por ky ishte momenti.


Sokol Balla: Cili është bilanci juaj si trajner në sasi dhe cilësi sa i përket futbollit tonë kombëtar?


Gianni De Biasi: Besoj që në këto 52 ndeshje që kam bërë, besoj që ishte një bilanc shumë i mirë. U nisëm nga një situatë e vështirë, edhe sa i përket skuadrës. Kishim shumë pak lojtarë dhe shumë pak lojtarë me përvojë. Na u desh që të bënim një hap dhe të provonim kualifikimin për në Botërorin e Brazilit. Problemi më i madh ishte që të krijonim grupin dhe më pas rezultatet.


Sokol Balla: Çfarë kujtoni nga kontakti i parë për të marrë drejtimin e Kombëtares?


Gianni De Biasi: Kontakti i parë ishte informativ për të mësuar se cili ishte realiteti shqiptarë, nga këndvështrimi sesi jetohej dhe shikohej futbolli, cili ishte zhvillimi i futbollit, sepse flasim për mentalitete të ndryshme nga pikëpamja e punës. Ishte dëshira për të mos hyrë direkt, por me një gradualitet.


Sokol Balla: Kjo ndoshta ishte edhe arsyeja se përse turneu i parë, ai i kualifikueseve për në Brazil 2014 kaloi dhe shumë pa u vënë re. Pati rezultate të mira, por mbajtët një profil të ulët edhe për vetë skuadrën.


Gianni De Biasi: Kemi bërë një pjesë të parë të kualifikimit shumë të bukur. Kemi kaluar një në vend të dytë në grup. Bëmë një fitore shumë të bukur në Norvegji, një ndeshje të bukur këtu me Slloveninë. Më pas erdhën tre humbjet e menjëhershme dhe në barazimin me Norvegjinë këtu ëndrra jonë u zvenit. Megjithatë, nuk ishin kushtet për të shkuar aq larg.


Sokol Balla: Dhe më pas erdhën kualifikueset për në Francë 2016. Çfarë vendosët të ndryshonit? Çfarë shkonte gabim në skuadrën Kombëtare, apo këtu trokitët nëpër dyert e talenteve shqiptare nëpër Europë?


Gianni De Biasi: Ishte një rritje graduale e grupit. U përmirësua cilësia e lojtarëve dhe skuadrës dhe sipas meje edhe fakti që gjetëm dhe miksuan përvojën me lojtarët e rinj, por edhe për të gjetur talente nëpër kampionate të ndryshme nëpër Europë. Kjo ishte pjesa thelbësore dhe nisja shumë e bukur, më 7 shtator me fitoren në Portugali. Ishte një fitore që do të mbetet gjatë në kujtesë, fitore me skuadrën që më pas u shpall kampione Europe. Që pas fitores tonë, Portugalia nuk u mund më deri në fitoren e kupës. Më pas filluam të mendonim se mund të shkonim në finalet e Europianit.


Sokol Balla: Në Europian deri në sekondat e fundit ishte dilema do të kualifikohej apo jo, pas fitores me Rumaninë diskutohej do të kualifikohej Shqipëria apo Portugalia dhe më pas Portugalia përfundoi kampione e Europës.


Gianni De Biasi: Fatkeqësisht për ne, ne kemi luajtur ndeshjet të parët dhe skuadrat që luanin pas nesh e dinin rezultatin që duhet të kërkonin për tu kualifikuar. E kemi nisur shumë keq kundër Zvicrës. Ishim me 10 lojtarë, por kemi rrezikuar shumë për ta barazuar ndeshjen, kundër Francës deri në ekstrem të ndeshjes ishim 0-0. Kemi dalë me kokën lartë nga ky Europian.


Sokol Balla: Në librin tim Loja që ndryshoi Shqipërinë unë ju quaj një nga faktorët që sollën ndryshimin, por çfarë gjetët, çfarë zbuluat ju në futbollin dhe lojtarët shqiptarë që trajnerët para jush nuk e kishin zbuluar apo gjetur?


Gianni De Biasi: Unë besoj që ishte nevoja tu përcillje lojtarëve një organizim ndryshe ku skuadra vendos dhe vlerëson karakteristikat direkte të lojtarëve. Ky nuk është sekret i madh, por nuk është e thjeshtë për tja transmetuar skuadrës dhe jo gjithmonë në aspektin teknik dhe taktik ekuilibri dhe kompaktësia mes lojtarëve.


Sokol Balla: Cila është risia që ju sollët, taktika, mentaliteti, hapja ndaj talenteve, apo të trija bashkë?


Gianni De Biasi: Kam ngulmuar për një përgatitje të madhe në aspektin taktik të ndeshjes, por edhe parapërgatitje. Puna me mentalitetin e skuadrës për të menduar se mund tja dalësh në këtë ndeshje.


Sokol Balla: Më kujtohet mesazhi juaj pas barazimit me Danimarkën në Elbasan, ku të gjithë u mërzitën përse barazuam. Më kujtohet mesazhi juaj: Sokol, këtu askush nuk e kupton se një skuadër si Shqipëria, nuk ka rëndësi të fitojë, ka rëndësi të mos humbasë.


Gianni De Biasi: Ajo ndeshje ishte thelbësore. Kaluam në avantazh, por ata kishin më shumë cilësi se ne dhe na barazuan. Gjithsesi i lamë pas në rezultat dhe ishte një rezultat shumë i rëndësishëm. E rëndësishme ishte që duhet të luftonim për rezultat dhe për të kërkuar kualifikimin.


Sokol Balla: Këtu, të gjithë shqiptarët, përfshirë edhe unë, të gjithë jemi kryeministra më të mirë, presidentë më të mirë, trajnerë më të mirë. Nëse do më pyesnin mua për meritën e Gianni De Biasit, unë do të thoja që merita më e madhe është që e vuri Shqipërinë me këmbë në tokë.


Gianni De Biasi: E rëndësishme është që të dish gjithmonë që të ruash gjërat në normalitet tek skuadra. Kjo është një nga aftësitë e Mournihos, që merr të gjitha kritikat vetë dhe e lë skuadrën të qetë dhe të lirë nga kritikat. Ky ishte edhe debati që unë bëja. Trajneri duhet të dijë se çfarë i ngarkohet, duhet të mbajë presionin dhe problematikat dhe duhet tu transmetojë lojtarëve cilësitë që kanë për të mundur këdo.


Sokol Balla: Një nga gjërat na ka bërë përshtypje, është fakti që gjatë fazës eliminatore, Kombëtarja pothuajse nuk po humbiste më dhe befas mbërrijnë dy humbje rresht, ajo me Serbinë dhe ajo me Portugalinë. Dramatike!


Gianni De Biasi: Ishte periudha më e vështirë për mua. Të kesh një kualifikim të pastër, pa humbje dhe të vish tek dy ndeshjet më të rëndësishme në fushën tende dhe të humbasësh, me Portugalinë në kohën shtesë dhe me Serbinë, që në vend që të mendonim të mos pësonim gol, menduam fitoren. Edhe unë e doja fitoren, por mes fitores dhe humbjes duhet të mendojmë se kë kundërshtar kemi përballë. Barazimi ishte shumë i rëndësishëm për ne. U hodhëm të gjithë në sulm dhe pësuam golin e parë, të gjithë në sulm dhe pësuam golin e dytë. Kështu shkuam në ndeshjen e fundit në Armeni, që nuk ishte aspak e lehtë.


Sokol Balla: Para se të shkojmë tek ndeshja me Armeninë, i rikthehemi ndeshjes me Serbinë në Beograd. Besoj se në atë ndeshje duhet të jeni ndeshur me realitetin e Ballkanit dhe skuadrës që drejtonit, apo jo?


Gianni De Biasi: Kur kemi mbërritur në aeroport ishte diçka e çmendur. Kemi mbërritur në një vend ku ishte një klimë dhe tension i çmendur. Ishte diçka e tepruar, por e kuptova një ditë më vonë se përe ishin marrë këto masa.


Sokol Balla: Cili ishte motivi sipas jush? Terror psikologjik ndaj skuadrës?


Gianni De Biasi: Ishte përpjekja e tyre për të mbajtur gjendjen nën kontroll sepse ishte frika për sulme nga grupe të ndryshme. Nga ajo pikë jemi mbrojtur shumë mirë. Ajo që ishte jashtë kontrollit, ishte ajo që ndodhi brenda fushës. Ishte diçka absurde. Kemi luajtur në një klimë tërësisht të vështirë. Ishe aty dhe e kupton shumë mirë se çfarë kemi kaluar. Edhe pas shumë vitesh do ta kujtojmë se çfarë kemi kaluar. UEFA nuk duhet të vendoste dy skuadrat në të njëjtin grup.


Sokol Balla: Si një ish-lojtar i njohur i Serisë A, që keni drejtuar klube në kushte të vështira, patët në ato orë të tmerrshme në Beograd një pendesë që ndoshta nuk do të donit të kishit qenë trajner i Shqipërisë në ato momente?


Gianni De Biasi: Absolutisht jo! Unë besoj që përshtatem shumë mirë sepse kam përjetuar situata të tilla në fushë në Itali, por atë natë e vetmja gjë që më bezdisi ishte që kisha frikën se mund të futeshin tifozët në fushë. Ishte diçka shumë e frikshme. Në çdo moment mund të pritej çdo gjë. Gjëja që më shqetësonte ishte se ishim të mbrojtur në çdo moment në mënyrë të ekzagjeruar nga policia, por që ndoshta e kuptova më vonë që ishte shumë e mirë.


Sokol Balla: Vazhdojmë me atë fitoren kundër Armenisë. E shkëlqyer, por deri diku edhe e papritur, e pabesueshme. Kujt ja kushtoni fitoren, vetes, ekipit, federatës? Ishte një rezultat i shumëpritur, por i papritur për ne.


Gianni De Biasi: Jam shumë bujar! Ua kushtoj të gjithëve atë sukses! Bijës time, bashkëshortes time, tifozëve dhe të gjithëve që më duan të mirën. Tifozëve që kanë vuajtur dhe kanë qenë në rrugëtimin e kualifikimit tonë. Ishte fitorja e gjithë Shqipërisë, e gjithë Shqipërisë, e gjithë shqiptarisë, në Kosovë, Maqedoni dhe më tej. Ishte një fitore e dyluftuar që jep shembull që nëse impenjohesh mund të arrihen objektiva të tilla.


Sokol Balla: Përse ishit kaq i sigurt që ne do të kualifikoheshim nga fillimi? Keni qenë optimist që nga fillimi.


Gianni De Biasi: Kujtoj shumë mirë datën. 29 shkurt 2012, ndeshja e parë miqësore në Gjeorgji. U kisha drejtuar lojtarëve një letër, ku u thashë që nëse kishin forcën për të besuar dhe për të më ndjekur natyrisht që do të ishin të parët që do të shkruanin faqet e historisë së futbollit shqiptar. Besoj që është shumë e rëndësishme të punosh me anën psikologjike të lojtarëve, sepse brenda vetes, nëse mendon që e ke të pamundur për tja arritur, atëherë nuk ja arrin. Prandaj mendoj se është shumë e rëndësishme të punosh me pjesën psikologjike të lojtarëve.


10 korrik 2017 (gazeta-Shqip.com) / Top Channel