Irma Kurti, autore e disa vëllimeve me poezi, si edhe e shumë tekste këngësh, vjen para lexuesit me një rrëfim autobiografik të titulluar “Midis dy brigjeve”, pasi prej vitesh autorja jeton mes Shqipërisë e Italisë

Emri i saj sot mund të tingëllojë i njohur nga rreshtat e poezive që u bënë këngë në Festivalet e Këngës. Irma Kurti la edhe pesë vëllime me poezi për lexuesin shqiptar para se ta ndante jetën mes dy brigjeve, Shqipërisë dhe Italisë. Rikthehet jo më me vargje, por me një rrëfim për veten. “Midis dy brigjeve”, botuar nga “Dudaj”, është libri autobiografik që e kthen te lexuesi shqiptar. çfarë e nxiti shkrimtaren të shkruajë për veten?


Një libër autobiografik. Erdhi si nevojë, ishte koha për një të tillë apo çfarë?


Nuk e kisha menduar asnjëherë të shkruaja një autobiografi. Ky libër lindi më tepër si një nevojë e imja për të shprehur përjetimet dhe vuajtjet pas humbjes së nënës sime Sherifes në Itali. Që nga ajo kohë unë pothuaj çdo ditë shkruaj. Ndoshta nga ndjesia e boshllëkut, nga pasiguria për të përballuar të përditshmen dhe duke folur për dhimbjen time, ngjarjet që më sollën këtu. Dalëngadalë nisa “të zbuloj” veten dhe mendova se mund të shkoja më tej.


Eshtë një lloj katarsisi të rrëfyerit për veten?


Mendoja se isha e fortë, e pathyeshme, mendoja që përballë dhimbjes do të dija të rezistoja. Në atë kohë kur gdhija netët e trishtuar, kur lutesha me sytë e drejtuar nga qielli, kur qaja e përqafuar në krahët e nënës sime se nuk kishte Zot të më ngushëllonte, unë kuptova se nuk isha 40 vjeçe, por një fëmijë i trembur, i pambrojtur. Në fillim nuk e dija se çfarë po shkruaja. Më dukej sikur kisha nisur vetëm të rrokëzoja dhimbjen time. Kishte raste kur kjo më bënte mirë, ndihesha më e çliruar. Kishte raste të tjera që ndihesha keq. Isha kështu nën presionin e dy forcave të kundërta, njëra që më nxiste të shkruaja, se kisha plot gjëra për të thënë dhe tjetra që më tërhiqte pas, sepse donte t’i shmangesha vuajtjes.


Në fund e shkruat dhe e titulluat "Mes dy brigjeve"…


Po, sepse gjithnjë kam qenë e ndarë midis dy vendeve, ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, mes dëshirës për të ardhur në vendin fqinj dhe për të qëndruar atje. Kur shkoja në Itali malli dhe nostalgjia për vendin tim më trazonte, ndaj merrja rrugën e kthimit. Isha përpjekur dy herë të rrija në Itali duke qëndruar për pak muaj, për t’u vendosur përfundimisht herën e tretë, në prill 2006. Libri mban këtë titull, sepse ka në të pjesëza të jetës sime në Shqipëri, atje ku ndërtova jetën, punën, dashuritë e mia, si dhe Italisë ku prej 4 vjetësh punoj, vuaj e gëzoj, duke i përkitur kështu së përditshmes së këtij vendi.


Humbja e nënës është një pjesë që ju i mëshoni fort në faqet e librit. Një lidhje e fortë që duket se ka lënë gjurmë të thella. çfarë tjetër keni ndarë me publikun nga jeta juaj?


“Midis dy brigjeve” është një roman i ndërtuar mbi dhimbjen, përballimin e saj në jetën e përditshme. Por gjithashtu libri përfshin edhe pjesëza të fëmijërisë, krijimtarisë sime, pjesëmarrjen time në festivale. Sigurisht një pjesë të rëndësishme zënë faqet e tij muajt e fundit të jetës së nënës sime, raportin e veçantë që kisha me të. Në këtë libër kujtoj edhe kohën e adoleshencës kur nisa të hedh për herë të parë vargjet në letër, kur këndoja në skenat e festivaleve për fatosa e pionierë në Elbasan, gjithashtu vështirësitë në aktivitetin tim krijues, kur krijoja tekste këngësh, bashkëpunimi im me kompozitorët, shumë prej të cilëve ishin një zhgënjim i madh.


Zhgënjim? Pse?


Kam hyrë për herë të parë në godinën e Radio Tiranës kur isha 16 vjeçe, por magjia e asaj që deri atëherë më dukej ëndërr m'u shua shpejt. Dëshira ime e madhe për të bashkëpunuar me kompozitorët u ndesh me një mur të fortë: njerëzit e artit, ata me emër, nuk ishin njerëzit që unë kisha në mendje. Ishin jokorrektë, gënjeshtarë, shumë prej tyre imoralë. Nuk më shikonin si poete, por si një femër. Bota e artit ishte një botë e frikshme sfidash! M’u desh të përpiqesha shumë për të krijuar një emër, për të gjetur edhe pas shumë e shumë vitesh një kompozitor, një njeri, të cilit do t’i pëlqeja jo unë, por poezia ime.


Por, ndërkohë ju flisni dhe për dashuritë tuaja. Sa kujtime të bukura ose jo ruani për to?


Në libër zënë vend të rëndësishëm. Kam përshkruar historitë më të rëndësishme të jetës sime, çastet e bukura dhe zhgënjimet. Kur kthej kokën pas e rimendoj ato dashuri që më kanë bërë të vuaj, të qaj, të braktis shumë gjëra e të rrok shumë ëndrra të tjera, kam shumë pak nostalgji dhe natyrisht i njoh vetes dhe gabime.


Aktualisht me çfarë merreni në Itali, përveçse shkruani?


Jap anglisht dhe bëj edukatoren në një kopsht fëmijësh afër Bergamos. Kam mbaruar Universitetin e Tiranës, në degën Anglisht. Nuk jam shumë larg asaj që kam bërë dhe në vendin tim. Nga ana tjetër, duke ditur sa e vështirë është të gjesh një punë që t’i përgjigjet përgatitjes profesionale në një vend të huaj, jam e kënaqur me këtë që bëj.


Ndërsa në letërsi çfarë tjetër do të presim?


Hapi tjetër është ai i botimit të librit në italisht, kjo është ëndrra ime më e afërt që do përpiqem ta realizoj.








#