ELBASAN-Shirat e rrëmbyeshëm të 24 orëve të fundit kanë krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve në disa rrugë të qytetit të Elbasanit. 

Shefi i Emergjencave Civile në këtë qytet, Mustafa Arapi bën me dije se në aksin Elbasan-Peqin ka pasur edhe rrëshqitje dheu. Ndërsa në kthesën e Murrashit rruga është e qarkullueshme. Arapi bën me dije se në aksin Elbasan-Librazhd po punohet për largimin e dherave. 

RRËSHQITJE DHEU EDHE NË GRAMSH
Ndërkohë rrëshqitje dheu ka pasur edhe në zonë e Gramshit. Për shkak të shirave të rrëmbyer disa akse rrugore janë bllokuar. Kështu autoritetet vendore bëjnë me dije se aksi Kodovjat-Kukur është i bllokuar nga rrëshqitjet e dherave. Shirat kanë shkaktuar dëmtime edhe në tokat bujqësore në Kodovjat- Lenie. Kreu I Komunës Kukur në Gramsh Luan Kokla, bën apel për ndihmë. Ai bën me dije se është njoftuar edhe Prefektura.

(a.n/BalkanWeb)