Ndonëse Kosova nuk ka statistika të sakta se sa është numri i fëmijëve me nevoja të veçanta, sfidë për këta fëmijë mbetet qasja e tyre në shkollim. Sipas disa hulumtimeve të bëra në Kosovë, thuhet se vetëm 11% e fëmijëve me nevoja të veçanta vijojnë mësimin.

Kështu thotë udhëheqësi i organziatës "Hendikos", Afrim Maliqi, sipas të cilit, ky fakt është mjaft shqetësues.

"Përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në sistemin arsimor, është një numër i vogël dhe shqetësues. Këtu nuk hyn vetëm faktori i infrastrukturës fizike. Duhet marrë parasysh që edhe mirëqenia e familjeve është jashtëzakonisht e varfër dhe nuk kanë mundësi të dërgojnë fëmijët në shkollë. Transporti është shumë i papërshtatshëm, e shumë faktorë të tjerë. Gjithashtu, çështja shëndetësore, rehabilitimi, pajisjet e përshtatshme për ta, është një zinxhir që e vështirëson përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta në sistemin arsimor", tha Maliqi, raporton REL.

Ndërkaq, Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e Koalicionit të organizatave joqeveritare për mbrojtjen e fëmijëve "KOMF", ka thënë se ndonëse qasja e fëmijëve me nevoja të veçanta është e përfshirë brenda legjislacionit, ekziston mungesa e vullnetit institucional në planifikimin buxhetor, për zbatimin e ligjeve që kanë të bëjnë me gjithpërfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta në sistemin arsimor.

Kelmendi shton se institucionet relevante duhet të fokusohen më shumë në cilësinë e arsimit për fëmijët me nevoja të veçanta, pasi që siç thotë ajo, kjo është përmendur edhe në kuadër të Raportit të Progresit për Kosovën për këtë vit.

Për përfshirjen në sistemin arsimor të fëmijëve me nevoja të veçanta, Aziz Nishori, sekretar i Shoqatës së prindërve të fëmijëve me nevoja të veçanta, thekson mungesën e asistentëve në klasa, ku ndërlidhet edhe cilësia e arsimimit.

Sidoqoftë, respektimi i të drejtave të fëmijëve në Kosovë në përgjithësi, nuk është në nivel të kënaqshëm, thonë zyrtarë që merren me këtë problematikë. Sipas tyre, edhe pse është punuar në hartimin e ligjeve për të drejtat e fëmijëve, ato nuk po zbatohen në tërësi.