Ekspertët e videos Meta-Prifti kanë paraqitur sot në Gjykatën e Lartë konkluzionet mbi regjistrimin mes ish-ministrit të Ekonomisë dhe ish-zëvendëskryeministrit, duke hedhur dyshime të forta mbi origjinalitetin e saj. Ata kanë bërë të ditur se në orën e dorës të ndodhur në zyrën ku është zhvilluar biseda nuk ka gjurmë të regjistrimit, ndërkohë që ajo ka qenë e pajisur me një pajisje USB për videoregjistrimin. Në konkluzione thuhet se ndërhyrje në material janë të larta dhe se materiali i transmetuar në media, nuk është i njëjtë me atë që është marrë nga kompjuteri i Priftit.





Avokati i ish zv.kryeministrit Meta, Gëzim Veleshnja është shprehur se
akti i ekspertimit është real. Nga ana e saj, prokuroria ka kërkuar
listën e programeve që janë përdorur nga ekspertët për videon. Por
avokatët kanë kundërshtuar, duke akuzuar Prokurorinë se po u bën presion
ekspertëve. Gjykata e Lartë vendosi të shtyjë seancën për në 17 nëntor.



Tre ekspertët Ardian Pollo, Ermal Beqiri dhe Artur Rahmani u caktuan nga
gjykata për të hetuar video regjistrimin e skandalit mes ish deputetit
të LSI-së Dritan Prifti dhe kreut të LSI-së, Ilir Meta.



Denada Shkodrani