09/04/2005  Dekanët kundra, bie dhe ideja e vendosjes së një kufiri pikësh për pranimet në Universitet


Duke qenë se testi special është i njëjtë për të gjitha fakultetet dhe degët e Universitetit Politeknik, u hodh ideja që të zhvillohet vetëm një konkurs për gjithë degët inxhinierike dhe më pas ndarja të bëhet nëpër degë sipas pikëve. “Në këtë mënyrë është një konkurrent për degën elektronike, i cili nuk fiton pasi ka marrë 100 pikë, ky student të ketë të drejtë të zgjedhë një degë tjetër tek inxhinieria e minierës, apo ajo mekanike. Kështu që në këto degë nuk do të regjistrohen studentë me minus pikë dhe cilësia e studentëve të ardhshëm do të jetë më e mirë”, thotë Rektori i Universitetit Politeknik, Përparim Hoxha. Pedagogu Stavër Ristani tha se kjo është mëse e arritshme, pasi vitin e kaluar u bë korrigjimi elektronik i testeve. Inxhinierët mund të vendosin në program dhe një tjetër kualifikim, ku për secilin konkurrent të shënoheshin degët ku dëshiron të studioj, zgjedhja primare, e dytë dhe e tretë. Kështu, krahas rezultatit, jepen menjëherë dhe dega ku mund të regjistrohet. Në këto kushte arrin të ruhet cilësia e studentiti, pasi të gjithë do të jenë fitues me mbi 50 pikë e lartë. Është bërë një studim mbi kontigjentet e të rinjve që hyjnë në konkurs dhe atyre që arrijnë të bëhen studentë dhe ka dalë se kërkesat e degëve pak të kërkuara mund të plotësohen me studentët që kanë fituar mbi 50-70 pikë deri 150 pikë. Ndërsa ata që fitojnë mbi 150 pikë janë kontigjent për degët e kërkuara Inxhinierinë e Ndërtimit ose Inxhinierinë Elektronike.


Votimi


Vitin e kaluar në Universitetin Politeknik konkurrojnë mbi 4000 veta për 1100 veta. Por, dekanët thanë se ky korrigjim dhe klasifikimi i njëkohshëm është i vështirë. Megjithëse argumentet bindëse për këtë mënyrë të re ishin më të shumta se ato kundërshtuese, ky mendim nuk u pranua me 11 vota kundër dhe 10 pro. Ata që e rrëzuan këtë ide ishin pikërisht dekanët dhe studentët përfaqësues. “Po u bë një konkurs për gjithë fakultetet ka konflikt interesash, megjithëse kërkohet cilësi dhe korrektësi”, thotë profesor Ismail Hoxha.


Kufi pikësh për të hyrë në universitet


Një tjetër ide ishte vendosja e një kufiri pikësh pranimi, mbi 50 pikë, ose mbi 70 pikë, por nëse do të bëhej konkursi i veçantë për secilin fakultet, për degët pak të kërkuara nëse vendoset kufi pikësh, do të mbeten vende bosh. Kështu që ideja për të vendosur një kufi pikësh u hodh poshtë. Një tjetër ide është dhe ajo e publikimit të rezultateve në internet, sapo mbaron korrigjimi elektronik, në mënyrë që të mos ketë lëvizje pikësh. Por, as kjo ide nuk u shqyrtua gjatë.