Dyshimi për korrupsion







Altin Abdiu ka rrëzuar kërkesat e kolegut të tij për papërdorshmërinë e kallëzimit penal dhe CD-së ku është regjistruar biseda që implikon gjyqtarin Qani Hasa në një aferë të dyshimtë korruptive




TIRANë - Hetimi i nisur rreth një vit më parë ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Elbasanit, Qani Hasa, i pezulluar nga detyra me vendim të KLD-së, do të vazhdojë derisa dosja të depozitohet për shqyrtim në gjykatë. Ky ka qenë verdikti i Gjykatës së Tiranës, e cila pak ditë më parë është shprehur për dy kërkesa të gjyqtarit Hasa, i cili nuk është dakord që kallëzimi penal i depozituar ndaj tij të përdoret gjatë hetimeve. Po ashtu, gjyqtari që dyshohet se është përfshirë në një aferë korruptive me një çështje që gjykohej prej tij, ka kërkuar nga kolegët e tij të shpallin si të pavlefshme edhe CD-në ku, sipas prokurorisë, është një bisedë e regjistruar mes gjyqtarit dhe familjarëve të të pandehurit që është dënuar për shpërndarje narkotikësh. Por edhe pse kjo çështje është shqyrtuar në proces gjyqësor, përfaqësuesi i akuzës nuk ka pranuar të vërë në dispozicion të gjykatës minidiskun me bisedën e përgjuar, duke argumentuar se dëmtohet sekreti hetimor i çështjes. Pasi ka dëgjuar palët, gjyqtari Altin Abdiu ka vendosur t’i japë të drejtë prokurorit, duke rrëzuar kështu të dyja kërkesat e gjyqtarit Hasa, që është marrë i pandehuri për akuzën e “korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve apo funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.


Kërkesat


Sipas vendimit të gjykatës, mësohet se gjyqtari Hasa ka kërkuar të shpallen të papërdorshme kallëzimi penal i depozituar në Prokurorinë e Elbasanit më datë 24 shkurt të vitit të shkuar dhe minidiskut me incizim zëri, i dorëzuar po në të njëjtën datë në prokurori. Sipas përfaqësuesit të akuzës, materiali kallëzues mbi bazën e të cilit Prokuroria e Rrethit Elbasan ka regjistruar fillimisht procedimin penal, përbëhet nga kallëzimi i shtetasit Ibrahim Hoxha dhe një minidisk kompjuteri, ku kallëzuesi ka pretenduar se disku që kishte dërguar përmban një incizim audio që i është bërë gjykatësit të Gjykatës së Elbasanit, Qani Hasa, i cili dyshohet se ka marrë si ryshfet shumën prej 3 milionë lekësh për një çështje penale që ka gjykuar ndaj shtetasit Gazmend Ocka, i akuzuar për shpërndarje narkotikësh. Prokurori ka argumentuar para gjykatës, se “nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se shtetasi që ka dërguar kallëzimin dhe minidiskun, i quajtur Ibrahim Hoxha, nuk gjendet pasi nuk ka shtetas me këtë emër në adresën e dhënë në kallëzim”. Për sa i përket minidiskut me incizim, sipas prokurorisë, rezulton se nga transkriptimi i bisedës që përmban minidisku i dërguar, ekzistojnë të dhëna që implikojnë të pandehurin Qani Hasa në aferë korrupitve. Por ky minidisk dhe transkipti i bisedës së pretenduar nuk i është paraqitur gjykatës nga prokurori, me pretendimin e cenimit të interesave të hetimit.


Hetimi


Hetimi ndaj gjyqtarit të Elbasanit, Qani Hasa, ka nisur fillimisht në prokurorinë e këtij rrethi, ku një person i prezantuar me emrin Ibrahim Hoxha ka paraqitur një kallëzim penal dhe një CD, që përmbante bisedën e regjistruar mes gjyqtarit dhe familjarëve të një prej të pandehurve të gjykuar prej tij. çështja u përcoll për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës, e cila pas disa muajsh hetime i kërkoi Këshillit të Lartë të Drejtësisë të japë autorizim për hetimin e gjyqtarit Qani Hasa, i cili paralelisht u pezulluar nga detyra deri në përfundim të hetimit dhe procesit gjyqësor ndaj tij. Sipas të dhënave të hetimit, rezulton se gjyqtari ka marrë 3 milionë lekë të vjetra nga familjarët e një prej të dënuarve prej tij për akuzën e shpërndarjes së narkotikëve. Por vetë gjyqtari në prononcimet publike që ka bërë për këtë çështje, ka mohuar të ketë marrë para, duke thënë se gjithçka është e qëllimshme dhe e nxitur për të anashkaluar probleme shumë më të mprehta që ka aktualisht Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan. Muajt e fundit Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka dhënë katër autorizime për hetimin e gjyqtarëve që dyshohen për përfshire në aferë korruptive dhe ka vendosur pezullimin e tyre nga detyra.






Aksidenti



Gjendet i djegur në makinë 27-vjeçari


TIRANë - Udhëtonte nga Elbasani drejt Tiranës, por në Kërrabë ka humbur kontrollin e makinës dhe më pas ka gjetur vdekjen nga flakët e rëna në makinë. Ngjarja tragjike ka ndodhur mbrëmjen e djeshme dhe viktima është një djalë 27-vjeçar me emrin Ergys Lleshi. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës kanë bërë të ditur gjatë mbrëmje së djeshme, se ngjarja e ndodhur ka qenë aksidentale dhe nuk ka pasur shkaqe kriminale. Grupi i hetimit i uniformave blu mbërriti në vendin e ngjarjes dhe ka verifikuar rrethanat e përplasjes. Gjithashtu, ata kanë verifikuar dhe kufomën, si dhe natyrën e zjarrit të rënë në makinë, origjinën e tij nëse ishte shkaktuar me lëndë djegëse apo faktorë të tjerë. Pak pas ngjarjes, policia bëri të mundur dhe identifikimin e viktimës dhe të automjetit të djegur në Kërrabë. Kufoma e cila është gjetur në kilometrin e 27-të të rrugës Tiranë-Elbasan dhe është identifikuar si shtetasi Ergys Lleshi, 27 vjeç. Ndërkohë, policia pas hetimeve në vendngjarje ka theksuar se vdekja e Lleshit është aksidentale. Sipas policisë, pas humbjes së kontrollit nga drejtuesi i mjetit makina tip “Renault” me targa Tirane, është përplasur rreth 50 metra me pjesën anësore të rrugës dhe ka marrë flakë. Kanë qenë shoferët, ata të cilët kanë njoftuar dhe policinë, që ka bërë edhe hetimet.





Arrestohet 23-vjeçari



Zihet me policin, e qëllon me levë para komisariatit



TIRANë - Një efektiv i policisë së kryeqytetit është plagosur rëndë dhe ndodhet në spital, pasi u qëllua me levë nga një person për motive ende të paqarta. Sipas burimeve zyrtare nga policia, ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë rreth orës 17:00, pak metra larg Komisariatit Nr. 6 të Policisë së Tiranës. Menjëherë pas incidentit, specialistët e Seksionit Kundër Akteve Terroriste arrestuan në flagrancë 23-vjeçarin Fuat Xhima, banues në Tiranë. Sipas policisë së kryeqytetit, arrestimi i 23-vjeçarit është bër,ë sepse ai në afërsi të Komisariatit të Policisë Nr. 6, pasi ka parkuar mjetin e tij “Benz” me targë TR 7573 H dhe për motive të paqarta ka tentuar të vrasë, duke e goditur me mjete të forta, levë, një punonjës policie, i cili aktualisht ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Policia tha se në lidhje me këtë ngjarje është bërë raport hetimor dhe materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të Fuat Xhimës do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprës penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”.




30-vjeçarja humbi në Belgjikë



U zhduk dy vjet më parë, kërkohet në Shqipëri



TIRANë - Humbi në Belgjikë, një 30-vjeçare kërkohet në Shqipëri. Policia e Shtetit ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme, se autoritetet belge kanë kërkuar ndihmën e uniformave blu shqiptare për të gjetur 30-vjeçaren Albana Margjeka, e cila është shpallur e humbur në Belgjikë që më datë 15 janar 2008. Gjatë ditës së djeshme, Policia e Shtetit ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për të kontribuar me informacione që mund të çojnë në gjetjen e vajzës shqiptare. Margjeka, 30 vjeçe, mësohet se është zhdukur në datën 15 janar 2008, rreth orës 14:00, kur ajo ka lënë banesën e saj në Ham-Sur-Heure/Nalinnes, rruga “Bois Rombut”, në Belgjikë. Në këtë orë ajo kishte lënë banesën e saj në Belgjikë. Pas kësaj date nuk ka pasur më asnjë gjurmë të saj. Për këtë arsye, autoritetet belge kanë kërkuar ndihmën e Policisë së Shtetit për të gjetur këtë shtetase. Margjeka është rreth 1,65 metra e gjatë, me trup të dobët dhe flokë të zinj të prerë shkurt. Në momentin e zhdukjes ajo ishte veshur dukshëm me veshje sportive të zezë. Sipas të dhënave nga policia belge, Margjeka është parë të lëvizë me mjetin e saj tip “Volksvagen Golf” me targë XQM 558. Policia shqiptare ka bërë thirrje dhe ka kërkuar nga qytetarët se, nëse e keni parë këtë person ose nëse dini vendndodhjen e saj, kontaktoni me shërbimet e Policisë së Shtetit ose në numrin pa pagesë 129.