Maxhoranca nuk merr parasysh vërejtjet e Presidentit për ligjin e mbetjeve. Deputetët e djathtë në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese rrëzuan dekretin e Bamir Topit që kërkonte shfuqizimin e neneve 48 dhe 49, të cilët parashikonin importin e plehrave. Vetëm me votat e maxhorancës pas shumë diskutimesh dhe me grupet e interesit, u vendos që ligji të mos preket. Tashmë do të jetë seanca parlamentare e së enjtes e cila me një rrëzim të mundshëm të dekretit, i jep automatikisht fuqi ligjore draftit, të cilin Presidenti Topi e cilësoi në kundërshtrim me Kushtetutën.





“Nuk kam administruar në këtë komision asnjë amendament të opozitës, me
të cilin ata të kërkonin rrëzimin e nenit 49 të ligjit. Në një vit të
tërë janë vetëm 3 kërkesa për import”, tha Jemin Gjana, deputet i PD-së.




“Bizneset nuk kanë kapacitet mbi atë që prodhon Shqipëria. Ndonëse ne
kemi paisjet, ne nuk kemi burimet njerëzore të mjaftueshme dhe faktin që
një pjesë e mirë e këtyre burimeve njerëzore kompromentohen për të
monitoruar të gjithë këto që futen në Shqipëri”, tha Besnik Bare,
deputet i PS-së.



Aleanca kundër importit të plehrave i kërkoi ministrisë së Mjedisit, që
të shfuqizonte nenet 48 dhe 49 të ligjit. Por kërkesa u cilësua si e
pavend.



“Importi i mbetjeve duhet ndaluar sepse mungon infrastruktura
monitoruese, administrative dhe ligjore që mungon për implementimin e
tij. Në fakt, në Shqipëri në mungesë të këtyre kapaciteteve do të
importohen plehra, jo mbetje", tha Blendi Kajsiu nga shoqëria civile.



Në komision nuk munguan akuzat për favorizim të kompanive të caktuara që
merren me riciklimin e mbeturinave, por sipas ministrisë ligji lejon
importin e mbeturinave të ndara që shërbejnë si lëndë e parë.



Elona Gjylmi