Nga Gerti Xhaja
Oficerët e policisë ushtrojnë dhunë ndaj futbollistit të Peqinit, Erald Turdiu. I riu ishte dëshmitar në një sherr. Policët e denoncojnë se i fyeu rëndë. Futbollisti: Nuk kam fyer ndonjë polic, por ata më goditën mua. 

TIRANE Oficerët e Komisariatit numër 3 të Policisë së Tiranës "rrahin" futbollistin e Shkumbinit të Peqinit, Erald Turdiu, dhe i bëjnë kallëzim penal këtij se i ka fyer për shkak të detyrës. Ngjarja ka ndodhur pas mesnate duke gdhirë dita e diel. Sipas vet futbollistit, ai ishte shoqëruar në rajonin e policisë në rrugën "Mine Peza", si dëshmitar i një grindjeje të ndodhur. Policia e Tiranës ka shmangur nga komunikata për shtyp ngjarjen. Gjithashtu dhe Komisariati numër 3 i policisë së kryeqytetit nuk ka dashur të komentojë ngjarjen, ndonëse oficerët e tij nxituan të denonconin Turdiun për fyerje dhe kanosje, përpara se ky të mund të dilte nga ambientet e shoqërimit në komisariat.
"Nuk është e vërtetë që kam fyer, kanosur, apo goditur ndonjë polic. Kanë qenë policët që më kanë goditur dhe më kanë denoncuar për të justifikuar dhunën e ushtruar ndaj meje", -është shprehur dje futbollisti Turdiu, i pyetur për ngjarjen nga Gazeta. Turdiu ka shtuar se ka pasur dëshmitarë që kanë parë dhunën fizike dhe psikologjike të ushtruar ndaj tij nga policët. Në fakt, futbollisti ka dashur të ndërhyjë pas një grindjeje mes disa miqve të tij, për të bindur policinë për atë që kishte ndodhur. Ky veprim ka mjaftuar që policia të merrte së bashku me palët e përfshira në grindje për në komisariat edhe Turdiun. Ecuria e ngjarjeve duket se është "trashur" më shumë në komisariat. Sipas Turdiut, ndaj tij është ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike, ndërsa sipas policisë, ka qenë futbollisti që ka fyer dhe kanosur uniformat blu. Ndërkohë Turdiu, pas nënshkrimit të deklaratës së tij është lënë i lirë. Por akuza e punonjësve të policisë për "fyerje dhe kanosje", i është referuar prokurorisë për hetime të mëtejshme. Vetë Turdiu ka thënë për Gazetën se ngjarjen e ka konsideruar një incident dhe nuk kishte ndërmend ta ndiqte penalisht. Ndonëse ishte habitur kur kishte mësuar se policia i kishte paraprirë duke bërë denoncimin ndaj tij.
Kush është?
Erald Turdiu është futbollist i Shkumbinit në kategorinë superiore të futbollit shqiptar. Ai është 24 vjeç dhe në Shqipëri është bërë i njohur si lojtar i Kastriotit, ku luajti deri në sezonin e shkuar. Pasi ekipi i Kastriotit ra nga kategoria, Turdiu iu bashkua ekipit peqinas. Megjithatë, Erald Turdiu është produkt i shkollës së Tiranës, pasi ka dalë nga ekipet zinxhirë të saj. Këtë sezon, ai është bërë pjesë e klubit peqinas, duke qenë një nga lojtarët më të spikatur. Turdiu është thuajse në çdo ndeshje titullar me ekipin e drejtuar nga Gugash Magani, që këtë sezon pretendon një vend në Kupat e Evropës.


(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)