Shpenzimet për interesat e borxhit publik shqiptar pritet të rriten me një ritëm dy herë më të lartë sesa shpenzimet totale të buxhetit, si pasojë e rritjes së interesave të brendshme dhe shtimit të kredive tregtare të vendit, bëhet e ditur nga statistika të publikuara prej Ministrisë së Financave. Këtë vit, 36 miliardë lekë (277.2 milionë euro) do të shkojnë për të mbuluar interesat e borxheve me një rritje prej 14 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Nga këto, interesat për borxhin e jashtëm pritet të dyfishohen.



Borxhi i brendshëm filloi të shtrenjtohej gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar, deri sa shënoi nivelin më të lartë në shumë vite në shkurt të këtij viti. Interesat e bonove të thesarit me afat maturimi 12-mujor kapërcyen nivelin 9 për qind, kuotë që nuk qe regjistruar që nga viti 2002. Në ankandin e djeshëm, interesat për bono me afat 6-mujor u rritën me 15 pikë bazë dhe arritën në 7.61 për qind në një ankand ku oferta e bankave për para mbuloi vetëm 60 për qind të kërkesës së qeverisë për borxh.



Interesat për borxhin e huaj pritet "të hanë" këtë vit 35.5 milionë euro sipas planifikimit të Ministrisë së Financave. Por ekspertët e vënë në dyshim saktësinë e këtij parashikimi. Vitin e kaluar, shpenzimet në këtë zë qenë vetëm 25 milionë euro.



Shqipëria ka borxhe të jashtme, me vlerë rreth 1.5 miliardë euro, por shumica e këtij borxhi është dhënë nga Banka Botërore dhe donatorë të tjerë me interesa koncesionare. Janë pak kredi tregtare që kërkojnë shumicën dërrmuese të shpenzimeve për interesa.



Vitin e kaluar, Shqipëria shpenzoi 2.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për interesa për borxhet, ndërsa këtë vit interesat do të mbulojnë 3.1% të PBB-së.