Numri i vizitorëve në vitin 2014 është rritur për 2.42%, në raport me vitin 2013, kurse netëqëndrimet e vizitorëve vendorë janë rritur për 0.74%, ka bërë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) e cila ka publikuar statistikat e hotelerisë në Kosovë për tremujorin e katërt të vitit të kaluar (TM4-2014).

Sipas ASK-së, rritje ka te vizitorët e jashtëm për 22.44%, kurse netëqëndrimet e vizitorëve të jashtëm janë rritur për 21.68%, në raport me vitin 2013.

Në TM4-2014 numri i vizitorëve është 24,664, prej tyre 40.98% janë vizitorë vendorë dhe 59.02 % janë vizitorë të jashtëm. Kurse, numri i bujtjeve në TM4-2014 është 38,276, prej tyre 35.42% janë nga vendorët dhe 64.58 % janë nga të huajt.

Sipas ASK-së, me numrin më të madh të vizitorëve, gjatë vitit 2014, prin kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, me 77,167 vizitorë, pastaj Peja radhitet e dyta me 11,534 vizitorë dhe Prizreni i treti me 8,615 vizitorë.

Po ashtu, në TM4-2014, numrin më të madh të vizitorëve dhe netëqëndrimet e tyre e ka rajoni i Prishtinës me 17,260 vizitorë dhe 26,667 netëqëndrime.

Ndërsa numri më i madh i vizitorëve të huaj përqëndrohet në rajonin e Prishtinës, Pejës etj. Kurse, sa u përket shteteve se prej nga vijnë, numri më i madh i tyre është nga Shqipëria, SHBA-ja dhe Gjermania.

Pjesë e kësaj ankete janë 105 hotele, që ushtrojnë veprimtari hoteliere në territorin e Kosovës, pjesa më e madhe e tyre gjenden në rajonin e Prishtinës, Pejës, Ferizajt, etj. Sipas anketës, kapaciteti i shfrytëzuar në nivel vendi është 10.48%.