Ministria e Financave: 3 miliardë lekë të reja do të përdoren për rritjen e pagave

Ministria e Financave ka hartuar tabelat me rritjen e pagave për çdo kategori dhe pritet vetëm mbledhja e ardhshme të qeverisë për të miratuar shtesën mbi pagën. Burime zyrtare nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se ka përfunduar





përllogaritja dhe rritja e pagave fillon nga 2 për qind për pagën maksimale, ndërsa arrin deri në 12 për qind për mjekët. Sipas përllogaritjeve të bëra, pagat e Presidentit të Republikës, Kryetares së  Kuvendit dhe Kryeministrit do të jenë rreth 2 për qind, duke u rritur me rreth 4 mijë lekë mesatarisht. Sipas këtij vendimi, pagat minimale do të rriten nga 5.6 deri në 7 për qind, me një përfitim mujor 1400 lekë. Ndërkohë efekti financiar i përllogaritur për buxhetin e shtetit do të jetë 3 miliardë lekë të reja për periudhën 6 mujore të këtij viti. Sipas Ministrisë së Financave rritja e kalon 2-7 herë normën e inflacionit, e cila po shënon ulje. Sipas të njëjtave burime mësohet se rrogat mesatare do të arrijnë deri në 500 dollarë duke reklamuar kështu se rritja e pagave dhe pensioneve po realizohet duke u mbështetur në politika të qëndrueshme sociale.



Skema
Paga minimale dhe përfituesit e saj në sektorin publik do të rritet me 5.6 për qind, ndërsa pagat maksimale do të rriten vetëm me 2 për qind. Burime nga zyrtare nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se punonjësit e shërbimit civil do të kenë rritje nga 2-7 për qind duke mbajtur nivelet më të larta në diferencave nga pagesa dhe duke rritur për administratën në nivelin 7 për qind. Sipas të njëjtave burime mësohet se pagat e punonjësve të ushtri me grada do të rriten nga 2-7 për qind. Ndërkohë që për pagat në arsimin parauniversitar, rritja do të jetë me 6 për qind. Një tjetër kategori që do të përfitojë nga rritja, janë edhe mjekët, pagat e të cilëve do të rriten me 12 për qind. Rritja do të prekë edhe infermierët në masën 10 për qind mbi pagën. Rritje page do të përfitojnë të gjitha kategoritë e administratës shtetërore nga Presidenti, Kryeministri, ministrat e deri tek punonjësit më të thjeshtë të shëndetësisë. Duke parë piramidën e pagave, pa dyshim që rritjen më të ulët do ta kenë pagat e larta. Këto paga do të kenë një rritje prej 2 për qind, ku përfshihen posti i Presidentit, Kryeministri, zyrtarët e lartë shtetërorë. Zyrtarë të Ministrisë së Financave theksojnë se edhe në këtë rritje që do të ndërmarrë qeveria, përfituesit kryesorë do të jenë kategoria e infermierëve, arsimtarëve dhe kategori të tjera më paga të ulëta.



Efektet
Burime zyrtare nga Ministria e Financave bënë të ditur se efekti gjashtëmujor do të jetë 3 miliardë lekë të reja. Ky fond do të shpërndahet për shtesat që do të alokohen mbi pagat e gjithë punonjësve të sektorit publik. Ndërkohë që të mërkurën është miratuar dhe rritja e pensioneve sipas kategorive. Sipas vendimit të qeverisë mësohet 540 mijë pensionistë, do të përfitojnë rritje të pensionit, që varion nga 4 në 10 %. Sipas vendimit shuma e pensioneve të rritura arrin në 2.5 miliardë lekë të reja dhe është tregues i dinamizmit të ekonomisë shqiptare. Kategoritë që do të përfitojnë nga vendimi i qeverisë, ministri Bode tha se 290 mijë pensionistë që banojnë në qytet do të përfitojnë një rritje prej 6  për qind, ndërsa 160 mijë pensione në fshat do të rriten me 10 për qind. Pensionet e fshatit rriten më 10 për qind dhe kjo përbën rritjen më të madhe që është bërë ndonjëherë në pension. Shuma totale e pensioneve të rritura për periudhën gjashtëmujore kalon 25 milionë dollarë. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përllogariten në shumën prej 1912 milionë lekësh dhe përballohen nga fondi i kontigjencës, i caktuar në buxhetin e shtetit të vitit 2010 për rritjen e pensioneve. Shpenzimet për procedurat teknike të zbatimit të këtij vendimi dhe për pagesën e komisioneve të shërbimit të pagesave të pensioneve nga Posta Shqiptare, sh.a., për 0.75 për qind në muaj, përllogariten në shumën 14 milionë lekë dhe përballohen nga fondi i kontigjencës, i caktuar në buxhetin e shtetit të vitit 2010. Ndërkohë, ngarkohen Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Posta Shqiptare, sh.a. për nxjerrjen e udhëzimeve teknike dhe për zbatimin e këtij vendimi.

Rritja e pagave sipas kategorive
Paga minimale rritet me 5. 6 për qind
Paga maksimale rritet me 2 për qind
Paga për shërbimin civil 4- 7 për qind
Paga në ushtri 2- 7 për qind
Pagat e mjekëve 12 për qind
Pagat e infermierëve 10 për qind
Pagat për mësuesit 10 për qind


 


Ornela Manjani






Last Updated on E Premte, 02 Korrik 2010 21:48