20/04/2012  Rezoluta për Autoritetin e Konkurrencës


Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, ka shprehur rezerva ndaj projektrezolutës së Kuvendit për Autoritetin e Konkurrencës, ku gjatë votimit të djeshëm ai ka bashkuar votën e tij me opozitën. Projektrezoluta u miratua nga Kuvendi me 70 vota pro, ndërsa opozita me 52 vota e abstenoi atë. Por ajo që ra në sy në këtë votim ishin rrjedhjet e votave nga të dyja kampet politike. Ministri Olldashi u shpreh në të njëjtën linjë me vendimin e grupit të PS-së, duke e abstenuar projektrezolutën e Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2011. Ndërsa deputeti i PS-së Fatmir Toçi doli kundër PS-së, duke votuar pro projektrezolutës së miratuar nga mazhoranca. Interesant ishte dhe votimi i deputetit socialist Ilir Gjoni, i cili votoi jo vetëm kundër mazhorancës, por dhe kundër forcës që ai përfaqëson në Kuvend.


Projektrezoluta


Gjatë punimeve të djeshme të seancës plenare kjo projektrezolutë ngjalli debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës. Deputetët e PS-së akuzuan qeverinë për praktika korruptive që shmangin konkurrencën në tregun shqiptar. Në vlerësimin e tij mbi veprimtarinë e Autoritetit të Konkurrencës gjatë vitit të kaluar Kuvendi vlerësoi rritjen dhe konsolidimin e e poziciononit të këtij institucioni për rregullimin dhe mbikëqyrjen e tregjeve, që sipas gjykimit të Kuvendit është “në përputhje me politikën kombëtare të konkurrencës, normat dhe praktikat më të mira të administratës publike”. Kuvendi vlerësoi veprimtarinë e Autoritetit të Konkurrencës edhe në drejtim të nxitjes së konkurrencës së lirë dhe mbrojtjes së konsumatorëve nëpërmjet ndërmarrjes së hetimit në tregun e importit dhe të shitjes me shumicë. Ndërkohë për objektivat e vitit 2012 Kuvendi i kërkon Autoritetit të përmirësojë punën e tij në plotësimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kuadrit ligjor sekondar me rregullore dhe udhëzues që në gjykimin e Kuvendit kanë ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin dhe zbatimin e ligjit të konkurrencës. Kuvendi kërkon përfundimin e hetimeve të nisura si dhe zgjerimin e thellimin e hetimeve në tregje për të eliminuar deformimet e konkurrencës dhe për të mbrojtur konsumatorët. Ndër të tjera, Kuvendi kërkon nga Autoriteti që të rrisë efiçiencën në ndërhyrjet në tregjet ku shfaqen shenja të kufizimit të konkurrencës nëpërmjet përsosjes së teknikave investigative, nëpërmjet rritjes profesionale të punonjësve të Autoritetit të Konkurrencës. Gjithashtu Kuvendi kërkon rritjen e ndërgjegjësimit të aktorëve të ndryshëm dhe publikut për rëndësinë e konkurrencës dhe rolin e Autoritetit në ruajtjen e saj, si dhe bashkëpunimin me ta në këtë proces. Në përfundim Kuvendi i kërkon Autoritetit të rrisë shpejtësinë e ndërhyrjeve në treg, si dhe forcimin e bashkëpunimit dhe ndërveprimit institucional me entet rregullatore dhe institucionet e tjera publike.


Anëtarët e AK


Kuvendi miratoi dje dy anëtarë të rinj të Autoritetit të Konkurrencës, përkatësisht Iva Zajmin dhe Koço Brokën. Kandidatja e propozuar nga mazhoranca në votimin e fshehtë mori 107 vota, 13 kundër dhe 7 abstenim. Ndërsa kandidatura e PS-së, Broka, mori 112 vota.


Konsensusi


PD-ja e PS-ja miratuan dje me konsensus ratifikimin e dy marrëveshjeve: ajo me qeverinë e Katarit për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe ajo me qeverinë e Emirateve të Bashkuara për shërbimet ajrore. Me konsensus kaloi dhe ligji “Për shëndetin mendor”.


Amendimet


Gjatë votimit në ligjin për shëndetin mendor Kuvendi rrëzoi amendimet e deputetit të PS-së Astrit Beci në lidhje me nenin 30 të këtij ligji. Pasi u nda në 2 votime, mazhoranca miratoi variantin e parë të Komisionit, duke rrëzuar me 71 vota pro amendimet e PS-së.