Rrjeti i njohur i hotelerisë, që prej 14 vitesh ishte prezent edhe në Shqipëri, do të largohet nga vendi ynë në muajin janar.


Është fjala për Sheraton.


Lajmin e njofton Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve & Agjencive Turistike (ATOA).


Përmes një deklarate për media, kjo shoqatë e konsideron këtë zhvillim shumë negativ dhe paradoksalisht vjen në një kohë kur qeveria sapo mori masat e saj për të stimuluar pikërisht hotelet e rangut të Sheratonit, duke i hequr TVSH-në.


Sheratoni (që një vit me parë u ble nga grupi më i madh hotelerik në botë Marriott) është një emër shumë serioz dhe me peshë në grupet e zinxhirëve hotelerik. Për 14 vite me radhë Sheraton Tirana i besoi emrin e vet, një destinacioni problematik dhe me imazh shumë të cënuar siç ishte Shqipëria, duke riskuar në kosto të imazhit dhe biznesit të vet, imazhin e një vendi ku skishte shkelur asnjë zinxhir hotelerik më parë. Për më tepër në 2003 kur Sheratoni vendosi të vinte në Tiranë, shumë pak kryeqytete në rajon kishin hotele brand të këtij niveli. Madje edhe sot e kesaj dite Sheraton nuk ka çdo vend fqinj,thuhet në reagimin e Shoqatës Shqiptare të Turoperatorëve & Agjencive Turistike.


Nuk jemi të sigurt sesa rol mund të luante qeveria për të frenuar ikjen e të vetmit hotel brand në vend, por jemi të sigurt që nuk mund të bënte indiferentin por të ishte një nga aktorët kryesor ne tavolinën e bisedimeve. Sepse përpara se të kërkohen hotele brand të reja, duhen mbajtur ato pak që kemi aktualisht, vijon reagimi i shoqatës.