Nga Ledi Shamku-Shkreli

Të dielën e dt. 19. IV. 2009, në shtojcën “Milosao” të “Gazetës Shqiptare”, pata botuar artikullin me titull “Formula e Pagzimit - Kumte të reja nga dokumenti më i vjetër i shqipes”, ndaj të cilit pata reagime nga dy studiues, secili syresh me pretendimin e ekspertit në fushën përkatëse.


I pari qe dom Gjergj Meta, i cili në respekt të plotë ndaj autores së shkrimit, me njerzí e kompetencë paraqiste rezervat e tij ndaj disa prej argumenteve të përdorura në atë shkrim, kryesisht ndaj atyre me qasje teologjike (duke i cituar kontekstualisht pjesët që komentonte nga shkrimit im). Duke e falënderuar paraprakisht dom Gjergjin për sugjerimet e vlefshme, një pjesë të s’cilave i vlerësoj fort, i bëj me dije, nëse lexon këto radhë, se për pjesën tjetër të arsyetimeve, për të cilat kam bindje të ndryshme, do replikoj në monografinë e zgjeruar mbi Formulën e Pagëzimit për të cilën po punoj, e që shpresoj ta përfundoj para fundit të vitit.


Ndërkaq, reagimi i dytë, krejt i ndryshëm, erdhi nga Kristo Frashëri (në gazetën “TemA”, dt. 26. IV. 2009), një profesor i kohës së komunizmit, i cili zbrazi kundër shkrimit tim, por edhe kundër meje personalisht, një dozë të pamotivuar vreri, e cila e stërkalonte masën që duhej të kishte njoftimi i tij mbi një botim pararendës që ai vetë paskësh bërë...


Por, në të vërtetë, pavarësisht mveshjes “shkencore”, qëllimi i asaj dhune verbale, e që kuptohej qartë vetëm në paragrafin e fundit të shkrimit, del açik aty ku profesori evokon rrezikun tim eventual si politikane. Veç kështu shpjegohet egërsia, mungesa e politesës dhe loja e papastër që bën me fjalën ky person, mosha dhe titulli i të cilit përndryshe më kishin imponuar në distancë një paragjykim pozitiv. Reagimi i prof. Kristos, nxjerr në pah faktin se ende pas kaq vitesh, elita e shkërbejve të shenjtë (monstri sacri) të kohës së Komunizmit, rezervon akoma sot një mllef të pashuar ndaj gegnishtes e ndaj lagjes Parrucë a Gjuhadol të Shkodrës; e jo vetëm kaq, por edhe ndaj martirëve si Pjetër Mëshkalla, shqipja e të cilit s’ka të krahasuar me shqipen e cungët të profesor Kristos.


Gjithsesi, s’kam ndërmend të merrem personalisht me profesorin për t’cilin shkruhet se ndihmoi në rrënimin e L. Nosit (shih M. Korça, “Hedhje drite rreth shtrembërimesh historike”, fq. 326; Tiranë 2008) apo që, si studiues, gatoi mitin e H. Qamilit, dhe që gafat në histori të t’cilit i ka bërë botërisht me dije te “Skënderbeu” studiuesi i mprehtë K. Biçoku. Kështu, këto rreshta po i shkruaj vetëm për lexuesin e interesuar, i cili, sikurse unë, dëshiron që shkrime të tilla të kontribuojnë sadopak për të sqaruar pjesë të errëta a të pazdritura mirë të s’kaluarës sonë.


Nga shkrimi i prof. Kristos del se Konstitucjonet e Pal Êjllit janë botuar më 2005 në brendësi të një përmbledhjeje me dokumente, titulluar “Skënderbeu dhe lufta shqiptaro-turke në shek. XV. Burime dokumentare shqiptare”. Kjo qe një risi për mua, pa kërkuar të fshihem pas kësaj “surprize”, pasi ky informacion më kish munguar qoftë në kërkimet e skedarëve të bibliotekave, qoftë në bisedat me gjuhëtarë e me ndonjë gjysmë duzine historianësh të njohur në vend (sic!). Në skedarin e Bibliotekës Kombëtare, në titullin e librit të mësipërm, nuk ka as edhe një fjale-kyçe që të shpie te Kostitucjonet. Asnjë promocion publik nuk u bë për këtë botesë parake të dokumentit në një botim aspak cilësor e vende-vende i palexueshëm. Tash mësova se kjo heshtje e çuditshme kish ardhë, pasi libri, ndonëse mban siglën e Akademisë, nuk paskësh marrë aprovimin e këshillit të Institutit të Historisë që ish mbledhë për këtë qëllim. Do duhej të mbaronte këtu historia e kulisave të profesorit.


Por ndërkaq ai ngazëllehet që “ajo zbulon gjëra që janë të zbuluara dhe si rrjedhim puna i vete huq”. Asnjë punë që mëton botimin e dokumenteve themelore të kulturës sonë kombëtare nuk mund të shkojë huq. Madje, nuk mundem ta konsideroj as humbje kohe gjurmimin dhe konvertimin e negativave të filmit 20x30mm në pozitiva të digjitalizuar, pasi tek e mbramja, nga gjithë kjo, jo vetëm mësova udhakimin e tyre në Shqipëri, të cilin ma bëri me dije me mjaft fisnikí zj. N. Nika (shih H. D. 1-2009), por edhe u realizua një botim cilësor e në format të përshtatshëm i Formulës. Tani shqiptarët, të cilëve ajo iu ish mohuar për 40 vjet, kanë mundësi ta shohin qartë e ta ristudiojnë. Por do doja të theksoja këtu se botimi, çka unë e ndërmora privatisht, nuk ish aspak një qëllim në vetvete; botimi shërbente për të rritë shkallën e përshkueshmërisë të gjykimit mbi një dokument primordial për gjuhën tonë, dhe, siç thashë, mundimi për këtë ia vlen gjithnjë. Rëndësia e botimit tim te “Hylli”, nuk qe “shtënia në dorë” dhe as thjesht publikimi i Kostitucjoneve sikurse rreket të thotë profesor Kristo, por analiza fjalore e paragrafit ku ndodhet vetë Formula, për të cilën unë ngre dyshime të arsyeshme mbi interpretimin kontekstual të saj, si dhe rimarrja në shqyrtim e fjalës shqipe Bashtinë, aty ku e pat lënë N. Resuli, e cila jo vetëm motnohet me 93 vjet, por edhe del e konsoliduar në shqipen e shek. XV me kuptimin e sotëm (përkundrejt kuptimit sllav).


Rëndom këto janë arsyet e botimit të dokumenteve të tilla, pra rishikimi dhe riformulimi i tezave apo hipotezave në lidhje me opinione tradicionale të formuara në kontekste të ndryshme nga të sotmet. Dhe këto nuk kanë si të jenë “çikërrima”, siç deklaron përbuzshëm profesori ynë, por janë plotësa të çështjeve themelore të gjindjes shqiptare. Gjithsesi, po rreshtoj këtu pasaktësitë e rënda të lekturës që ai i bën shkrimit tim, gjë që nxjerr në pah metodën dhe mënyrën me të cilën profesor Kristo duhet të ketë punuar gjatë karrierës së tij.


SË PARI, nuk kam përmendur, e as pretenduar gjëkundi në shkrimin tim fjalën “zbulim”, të cilën z. Kristo e vendos krejt rrejshëm në gojën time. Përkundrazi, citoj qoftë zbuluesin e hershëm, qoftë prurësin e dokumentit në Shqipëri më 1967 (B. Hoxha). Ngulmi im pra nuk është zbulimi, por botimi i tekstit të plotë të fotografuar të Kostitucjoneve, tekst i cili simbas meje nuk i ishte dhënë publikut të gjerë asnjëherë në formën e tij të plotë, e deri në momentin e botimit te “Hylli i Dritës”, nuk është dhënë as në mënyrë cilësore.


SË DYTI, nuk kam “zbuluar” askund se Eqrem Çabej, modeli im në shkencë, të ketë bërë ndonjë “shtrembërim tronditës”. Ky është montim i sforcuar i profesor Kristos. Kam shkruar se Çabej me siguri nuk e ka pasë në dorë tekstin e plotë të Formulës (që prof. Kristo e mbankësh prej 40-vjetësh në sirtar), pasi në të kundërt do ta kish hasë fjalën bashtinë më së pari te Pal Êjlli dhe jo te Buzuku.


SË TRETI, nuk shkruaj askund se rumuni N. Jorga ka gabuar që i ka “manipuluar” faqet ku ndodhet Formula, pasi motivin pse ai ka bërë një kolazh e kam shpjeguar qartë; d.m.th., në kushtet e një ekonomie të paraqitjes për efekt të një riprodhimi të thjeshtëzuar. Por aty kam nënvizuar faktin se kjo dorëvënie (manipulim) apo montazh, është transmetuar për dhjetëvjeçarë të tërë nga historianët tanë pa i botuar askurrë paragrafët në trajtën e tyre të saktë. Edhe këtu termi “zbulim tronditës” është i rrejshëm dhe i sajuar nga prof. Kristo.


SË KATËRTI, profesori, pasi ngre dyshimin e lig, nëse e kam kaluar nëpër duar përmbajtjen e kodeksit, i jep përgjigje negative supozimit të vet, gjithnjë me dëshirën senile për të gënjeshtruar “pseudointelektualen” Shamku-Shkreli. Por ai nuk merr as mundimin ta verifikojë këtë dyshim te “Hylli, ku artikulli është botuar i plotë e, aty, me konsulencën e studiueses E. Paci, kam përshkruar paragrafët e Kostitucjoneve.


SË PESTI, prof. Kristo i mëshon, përsëri rrejshëm, faktit se Shamku-Shkreli këtë “zbulim e ka shtënë në dorë”. Ç’don të thotë kjo shprehje? Ta mbaj në sirtar, sikundër ai vetë për 40 vjet, këtë dokument të vyer? E vërteta është ca ndryshe: një kopje të CD-së me materialin e skanuar e kam depozituar menjëherë në arkivin e Institutit të Historisë e të Gjuhësisë, në mënyrë që përveçse në shtëpinë e z. Kristo, ky dokument të jetë edhe në arkivin e këtij institucioni.


SË GJASHTI, del se prof. Kristo është thartuar e rrudhur së tepërmi që në shkrimin tim kam përdorë patronimin Êjlli në vend të apelativit engjëlli, dhe se jam shprehë në gegnisht nëvendse në standardisht. Ai nuk ka dëftuar të ketë kompetenca në punë të gjuhës, por po bëj një sqarim për lexuesit e interesuar. Për këtë po ndaloj paksa te forma e emrit të Pal Êjllit (lat. Paulus Angelus). Sqaroj paraprakisht se një nga parimet e rëndësishme të onomastikës në gjuhësinë e gjysmës së dytë të shek. XX (e neglizhuar në kohën e formimit shkencor të prof. Kristos), është se jeta e një Substantivi të përgjithshëm, i cili i nënshtrohet rregullave të ortografisë, paraqitet shpesh e ndryshme nga jeta e një Patronimi (mbiemri = nomen famiglias) ose një Toponimi, që nuk i nënshtrohet këtyre rregullave. Madje, patronimi nuk duhet t’i nënshtrohet, pasi substantivi (emri = apelativi) është marrëveshje e përtërijshme sociale dhe ndryshimet në të i kryen shoqëria, ndërsa patronimi është një e dhënë gjuhësore trashëgimore, mbi të cilin shoqëria nuk ndërhyn, përndryshe kemi të bëjmë me tjetërsim ose falsifikim. I bëj me dije prof. Kristos se në Shqipërinë Veriake, ka familje, ku sot e gjithë ditën, e prej shekujsh, gjallon patronimi i lashtë Êjlli (me “e” hundore e cila ngërthen në vetvete një “n” të absorbuar - dhe jo trajta Ejëlli që prof. Kristos vë në penën time, formë e cila nuk ekziston në shqipe), ashtu sikundër në jug të Shqipërisë gjallojnë patronimet Angjeli, por edhe Ngjela.


Ky fakt i rëndomtë dëfton se siguria e profesorit është krejt e supozuar, përndryshe ai nuk mund të na tregojë asnjë patronim Engjëlli të kohës së Skënderbeut, përpos apelativëve engjejet (Gj. Buzuku) apo engel (F. i Bardhe) që nuk janë patronime. Shumë emra të vjetër që sot kanë humbur ose janë duke dalë nga përdorimi, ruhen sakaq të pacenuar ndër mbiemra apo patronime. Kështu sa për të dhënë një shembull, po i referohemi emrit të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit, siç del tek Frangu i Bardhe, pra në format Giec (Gjeç) dhe Gierg (Gjergj); ku e para, sot thuajse jashtë përdorimit, ruhet e pacenuar vetëm ndër mbiemra, si p.sh., te patronimi i përkthyesit të madh Pashk Gjeçi. Pra, për një qëndrim shkencor, e jo divulgativ, aty nuk kemi siguri të madhe për mungesë dokumentesh në gjuhën tonë, rekomandohet referimi ndaj traditës patronimike, pa e ngatërruar atë me evolucionin apo shumëformësinë e varianteve apelative. Përndryshe, nga afshi për gjuhën e standardizuar, do vijonim t’i thoshim Frangut, Frëngu dhe b. fj., z. Aleksandër Frangaj (familja e të cilit ruan patronimin mesjetar) do ta quanim A. Frëngaj. Por, kaq e fortë është prirja toskëzuese e standardit të sotëm dhe kaq bubullijnë kërcënueshëm rojet e tij, sa megjithëqë z. Kristo deklaron se dikur e “ka kritikuar Fan Nolin”, ka ende syresh që mund të mos e besojnë këtë, dhe për të qenë brenda, Demetrio Franco-n vijojnë dhe e shkruajnë akoma sot Dhimitër Frëngu!?...


SË SHTATI, për emrin e kishës ku u mblodh Kuvendi i Matit nuk gjendet askund në shkrimin tim fjala Trinidad, që profesor Kristo ma ngjit rrejshëm. Në shkrim, për emërtimin e kishës Sancte Trinitatis, kam përdorë formën mesjetare Shindërtat sikurse e përdor dhe N. Resuli, E. Çabej e K. Ashta, të cilët për metodikë të saktë i referohen emërtesës që memoria e popullit të zonës në fjalë ruante. Termi gegë Trinì (përkundër atij toskë Triadhë) përshfaqet fare vonë, kur formantja Shi (për Shën) ka filluar të bjerret; por edhe këto, sikundër ato me lart janë shestime gjuhësore pa vlerë për profesorin. Me logjikën e tij, vendbanimi i Shkallnurit në Shqipëri të Mesme do duhej quajtur Shën Janar.


SË FUNDI, po përfitoj nga rasti të theksoj se, kur Partia Socialiste të fitojë zgjedhjet, unë nuk do mëtoj të jem ministre e Arsimit dhe e Shkencës, pasi nuk është e thënë që kush punon për programet politike duhet doemos t’i verë vetë në jetë ato. Për këtë të fundit kërkohen menaxherë shumë të zot, dhe socialistët kanë politikanë të tillë. Por pavarësisht kësaj, e siguroj profesor Kriston se forca jonë politike, krejt e ndërgjegjshme për çka ndodhur në vitet e diktaturës, nuk ka ndërmend të luajë me kulturën kombëtare si kanë luajtur shokët tij, shì atëherë kur i shkatërronin jetën atij filozofit që ai përmend, Pjetër Mëshkallës. Koha kur politika dikton shkencën në Shqipëri po përfundon dhe sovjetiku Lisenko tashmë ka vdekur prej kohësh. Në fakt, prof. Kristo nuk më ka njohur fillimisht nga “retorika partiake” sikurse thotë, por nga parathënia e botimit anastatik të Fjalorit të Gjuhës Shqipe - 1954 (sikundër e deklaron ca më poshtë), pra dy vjet përpara se të merrem me problematikat e arsimit. Profesor Kristo, me sytë e mendjes, kish parë se parathënia e shkurtë e atij Fjalori s’qe veçse fillimi i një J’acuse ndaj filozofisë dhe metodës përjashtuese e antidemokratike që Akademia e Shkencave e Shqipërisë i pat bërë sistematikisht pjesës më të madhe të shoqërisë dhe të kulturës shqiptare. Kjo është e vërteta e artikullit të mllefshëm të profesor Kristos, mllef që në thelb fsheh një nacional-komunizëm të transformuar, por ende të rrezikshëm.


Po e mbyll këtë sqarim me fjalët e dijetarit Pjetër Mëshkalla: “Nuk më ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira”.