Tarifa në Rrugën e Kombit për banorët e Kukësit dhe zonave përreth pritet të jetë 1.5 euro për një kalim, ose 3 euro vajtje-ardhje.


Edhe pse zyrtarisht Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë thotë se nuk ka bërë ende asnjë propozim konkret, burime nga grupi negociator shprehen se vlera 1.5 euro është opsioni që mendohet si më i mundshëm për banorët dhe përdoruesit e shpeshtë të rrugës, ndërkohë që për pjesën tjetër tarifa do të mbetet 5 euro në vajtje dhe 5 në ardhje.


Veç uljes së tarifës për banorët e zonës, qeveria ka premtuar se ulje do të ketë edhe për mjetet e transportit publik, që të mos ketë rritje të çmimit të biletave.


Tarifa e kalimit në rrugën Durrës-Kukës u vendos për herë të parë në fillim të këtij muaji. Qeveria nuk aplikoi asnjë skemë lehtësimi për banorët e zonës dhe përdoruesit e shpeshtë.


Kjo çoi në zemërimin e qytetarëve, të cilët dy ditë pas vendosjes së taksës protestuan duke djegur pikën e kalimit me pagesë.


Aktualisht në Rrugën e Kombit po kalohet pa pagesë, ndërsa qeveria nisi negociatat me koncesionarin, me të cilin ka firmosur kontratën.


20 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)