I nxehti i verës i nxit njërëzit ti drejtohen plazheve të ndryshme , për të cila Shqipëria ka shumë për t’u krenuar. Zoti ka bërë punën e tij duke i dhënë natyrës të gjitha bukuritë që çdo banor i botës do ti dëshironte, ndërsa ne njerëzit nuk po e bëjmë siç duhet punën tonë.


Plazhi i Velipojës është destinacioni turistik i shumë shqipëtarëve dhe të huajve, por rruga që të çon tek ky plazh, lë mjaft për të dëshiruar. Edhe pse e rikonstruktuar vitet e fundit, në këtë rrugë mungojnë sinjalistikat rrugore, duke e bërë këtë rrugë destinacionin e aksidenteve të shpeshta gjatë çdo vere. Aksidentet e ndodhura gjatë një vere i trishtojnë të gjithë, por më shumë të trishton fakti që edhe pas këtyre aksidenteve, askush nuk ka bërë asgjë për të shmangur aksidentet në verën që pason të parën. Një postbllok policie për të ndëshkuar dhe vënë gjoba për shpejtësi mbi normat e lejuara, nuk është zgjidhja për të orientuar siç duhet rrjedhën e trafikut në këtë aks rrugor, duhet bërë më shumë. Karroca me kafshë, pa asnjë sinjalistikë, bëhen shpesh burim aksidentesh dhe shkak për bllokim trafiku.


Një fenomen që të bie shumë në sy në këtë aks rrugor është edhe kalimi i bagëtive përgjatë asfaltit. Barinjtë përpiqen të largojnë bagëtitë e tyre nga rruga, të cilat ecin rëndë-rëndë si për të thënë se “këtu prioritetin e kalimit e kam unë”. Është projektuar që këto kafshë duhet të kalojnë përgjat rrugëve dytësore, por nuk mjafton vetëm të projektosh, duhet të gjenden mënyra që ato projekte të gjejnë zbatimin e tyre duke i bërë vetes gjithmonë një pyetje: Cili është imazhi që po japim për plazhet tona të bukura? Ne pronarët e kësaj toke të quajtur Shqipëri, duhet ta drejtojmë së pari gishtin nga vetja.


A është e hijshme dhe e shëndetëshme për mua dhe për tokën time , që të fluturojë nga dritarja e makinëës shishen bosh të ujit dhe mbeturina të tjera, që përveçse ia heqin bukurinë, i heqin edhe imazhin e një vendi me kulturë “shqiponjës sonë” .


Vasilika Zeka